Nagavci: Të jemi sa më të kujdesshëm për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e internetit

Aktuale

Nagavci: Të jemi sa më të kujdesshëm për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e internetit

Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 15:26
Arbërie Nagavci

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit(MAShTI) ka hapur ekspozitën me punimet e nxënësve të shkollës së mesme të ulët “Faik Konica”, për nder të ditës ndërkombëtare të sigurisë nga interneti. Ministrja Arbërie Nagavci apeloi për kujdes gjatë përdorimit të internetit nga ana e fëmijëve.

E para e MAShTI-t tha po ashtu se prindërit duhet të jenë vigjilent në mënyrë që të fëmijët të mos bien pre e abuzimit gjatë përdorimit të internetit dhe rrjeteve të ndryshme sociale.

Ajo porositi nxënësit që internetin ta përdorin për avancimin e tyre.

Nagavci: Të jemi sa më të kujdesshëm për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e internetit

“Prej këtu po e përcjellim porosinë për të gjithë që të përdorim sa më shumë internetin dhe mundësitë që i ofron interneti në shkollat tona për avancimin, edukimin dhe arsimimin e të gjithë nxënësve. Por, në anën tjetër të jemi sa më shumë të kujdesshëm për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet që mund të përballen në internet. Në këtë linjë është një përgjegjësi e shtuar e të gjithë neve të rriturve, mësimdhënësve, menaxhmentit të shkollave por edhe prindërve që t’i këshillojnë mirë fëmijët dhe të jenë kujdestarë që të mos jenë pre e çfarëdo rreziku që mund të ofrohet nga përdorimi i rrjeteve sociale dhe rrjeteve të tjera... Të jeni sa më shumë në kontakt edhe me shokët dhe shoqet të shkollës por edhe më tutje, në atë mënyrë që të sigurohemi që benefitet e shumta që na ofron interneti t’i përdorim për avancimin e secilit prej nesh, por në të njëjtën kohë të jemi të kujdesshëm që asnjë nga fëmijët tanë të mos bie pre e abuzimit, të dhunës apo rreziqeve që mund të krijohen nga përdorimi i papërgjegjshëm qoftë nga përdorimi i rrjeteve sociale apo formave të tjera ”, tha ajo.

Drejtoresha e shkollës “Faik Konica”, Jehona Oruqi, tha se nxënësit përmes punimeve të tyre po përpiqen të sensibilizojnë bashkëmoshatarët e tyre për përdorimin e internetit në mënyrë sa më të sigurt.

Oruqi: Nxënësit kanë punuar punimet që të japin një lloj mesazhi

“Nxënësit e shkollës sonë ka tash e një kohë që punojnë në këtë drejtim, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, ku në periudhën e parë janë mbajtur edhe ligjërata në disa klasë për aplikimin e udhëzuesit për përdorimin e internetit në klasë në mënyrë sa më të sigurt. Andaj nxënësit në këtë periudhë kanë përgatitur punimet të cilat japin një formë mesazhi se cila është mënyra se si duhet të përdorët në mënyrë më të mirë interneti dhe cilat janë dëmet që mund t’i kenë pa dashjen tonë. Po ashtu, kanë punuar edhe një fletushkë e cila po besoj që përmban goxha shumë informata dhe të njëjtën mund ta përdorin edhe nxënësit e shkollave të tjera”, tha ajo

Loris Behu, nxënës i kësaj shkolle tha se përmes kësaj ekspozite synojnë të paraqesin vlerat e internetit.

Behu: Me këtë ekspozitë ne synojmë vlerat e internetit

“Me këtë ekspozitë ne synojmë që t’i promovojmë vlerat e internetit të sigurt dhe të mësojmë nxënësit e shkollës sonë dhe të shkollave të tjera se çka është një internet i sigurt dhe si duhet të udhëtojmë nëpër internet, këtë e kemi bërë përmes disa punimeve artistike dhe një fletushke të cilën e kemi përgatitur, e cila përmban të gjitha informacionet për të udhëtuar sigurt nëpër internet”, tha ai.

Edhe nxënësja tjetër e shkollës Faik Konica, Rea Rexhepi foli për rëndësinë që ka përdorimi i sigurt i internetit.

Rexhepi: Kemi bërë ekspozitë për tu treguar se si duhet të mbrohemi nga interneti

“Sot në ditën ndërkombëtare të internetit të sigurt, për fëmijët sidomos, kemi bërë një ekspozitë nga shkolla jonë nga grupi i artit... Këtë ekspozitë e kemi bërë për t’iu treguar njerëzve dhe për të treguar një art, një kreativitet tonin dhe duhet të jemi më të sigurt në internet e sidomos për fëmijët”, tha ajo.

Përndryshe të gjitha punimet kanë pasur ndihmës nga mësimdhënësi i artit, Burim Jakupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat