Pse nuk guxojnë ta hetojnë fondin “Vendlindja Thërret” / Mbi 250 milionë marka u ‘zhdukën’

Aktuale

Pse nuk guxojnë ta hetojnë fondin “Vendlindja Thërret” / Mbi 250 milionë marka u ‘zhdukën’

Nga: Idriz Morina Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 17:34
Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe Azem Syla, figurat kryesore të "Shtabit të Rognerit"

Një fond ndaj të cilit nuk nisën kurrë hetimet është, ai i krijuar para afër 30 viteve në mërgim, fondi “Vendlindja Thërret”.

Ky fond u krijua nga lëvizja e majtë në perëndim, e cila nuk pajtohej as me politikat, por i refuzonte institucionet dhe organizimin institucional në Kosovë dhe në diasporë.

Për disa vite ky fond është konsideruar i varfër dhe pa mbështetje të mjaftueshme. Por, me keqësimin e situatës në Kosovë, që po shkonte drejt përshkallëzimit, do të fillojnë të shtohen gradualisht të hyrat, aq sa me fillimin e luftës do të bëhet një fond me shumë para, por që si duket do të mbetej në zotërim të pak figurave, dhe pak para nga ai fond të harxhoheshin për luftë.

Për dallim nga Fondi i 3 %, si quhej fondi i Republikës së Kosovës, për financimin e institucioneve të Kosovës, në “Shtetin paralel”, ku kishte një rregullshmëri dhe evidencë të të hyrave të parave, si dhe besohej se shumica e tyre dorëzoheshin në bankat ku Qeveria e Kosovës kishte llogaritë e saj, apo të filialeve të bankave përkatëse, paratë e fondit “Vendlindja thërret nuk ka të dhëna se janë ruajtur në një bankë, dhe në një mënyrë të besueshme në qasje.

Hetimet e filluara për 3 %

Shumë njerëz në diasporë veçmas, por edhe në Kosovë pyesin dhe kërkojnë llogari, për shkak të dyshimeve se fondi i 3 % mund të jetë keqpërdorur.

Bazuar në denoncimet e bëra, kryesisht nga disa ish-aktivistë të LDK-së, në vitin 2016 Prokuroria speciale e Kosovës kishte vendosur për hapjen e këtyre hetimeve.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve lidhur me rastin e fondit ‘3%’. “Këtë e ka bërë për shkak të disa veprimeve të dyshuara nga tre persona, të cilët kanë tërhequr disa shuma të parave, brenda 6-7 viteve të fundit dhe tani ende janë duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast. Lidhur më këtë rast Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë për sigurimin e informatave përmes Ndihmës Juridike Ndërkombëtare, nga Shqipëria dhe tani Prokuroria ende nuk ka pranuar ndonjë informatë relevante, përveç njoftimit se pas grumbullimit të informatave të njëjtat do t’ia përcjellin PSRK-së”, kishte deklaruar zyra për informim e kësaj prokurorie në vitin 2016.

Por, pavarësisht ankesave për keqpërdorime dhe kërkesave të vazhdueshme në opinion për hetimin e fondit “Vendlindja thërret”, as nuk është iniciuar ndonjë hetim.

Përkundrazi, mbështetësit e fondit “Vendlindja Thërret”, përkatësisht ata që kishin qenë të angazhuar në mbledhjen e parave për fondin në fjalë, besohet se kanë përfituar nderime, si statusin e “Veteranit të luftës”.

“Asnjë komisionar i FRK-së (Fondi i Republikës së Kosovës) nuk e ka fituar statusin e veteranit të UÇK-së; kurse shumica e komisionarëve të fondit "Vendlindja thërret", të cilët grumbullonin para nëpër kapuça, tani i kanë librezat e veteranit!”, ka shkruar një veprimtar i LDK-së, Xhevat Berisha që punon në Gjermani, këto ditë në Fb.

Megjithatë burime të tjera, i kanë thënë gazetës, se mendohet që rreth 20 veta edhe nga Fondi i Republikës, ta kenë përfituar statusin e “Veteranit”, por ky numër është thuaja asgjë krahasuar me numrin e jashtëzakonshëm, të atyre që ishin të angazhuar, thuaja në të katër anët e botës, në shumicën e shteteve perëndimore, në SHBA, Kanada e gjetkë.

Derisa Isa Mustafa e Bujar Bukoshin akuzohen si përgjegjësitë kryesor për keqpërdorime të fondit të 3%, për fondin tjetër “Vendlindja Thërret”, akuzohen nga vetë ish drejtues të LPK-së, Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla etj.

Por, sa ishte buxheti apo sa ishin të hyrat e fondit “Vendlindja Thërret”?

Duke marrë në llogaritje disa situata ekstreme, kur një qytetar ka dhënë në një rast të vetëm, një shumë prej 150 mijë dollarë amerikan, dhe disa të tjerë, së paku katër veta kanë dhënë nga 100 e 200 marka gjermane, atëherë një mestarë, duke e pjesëtuar me mesataren e duhur, por të përjashtimit, një në 100, rezulton një shumë minimale prej 1500 Dm (si valutë më e pranishme nga dhuruesit). Nëse besohet se së paku 100 mijë veta e kanë dhuruar këtë shumë, atëherë rezulton se fondi “Vendlindja Thërret”, për dy vite ka qarkulluar së paku 150 milionë DM. Por, kjo duhet të jetë vlera minimale, sepse të pakët kanë qenë ata që nuk kanë dhënë 2-3 herë brenda vitit, dhe kjo e çon shumën në 300-450 milionë DM. Por, nuk përjashtohet mundësia që të kenë qarkulluar edhe më shumë miliona.

Në anën tjetër, sipas fondit të 3%, si kryetari i këtij fondi për Zvicër i ka deklaruar gazetës, se zyrtarisht ky fond ka qarkulluar nga themelimi 300 milionë Dm.

Por, edhe kjo shifër vështirë të jetë e saktë, pasi gjatë luftës shqiptarët u bënë donatorë, thuaja të rregullt, dhe jo të gjitha paratë do të jenë kanalizuar nëpërmjet llogarish të sigurta.

Rexhë Xhakli, i cili ka ndërruar jetë me 4 prill 2020 një veprimtar shqiptarë në Amerikë, vetëm në një rast i kishte dhënë 150 mijë dollarë për fondin “Vendlindja Thërret”. Këtë dëshmi e kanë botuar shumë media dhe vazhdon të gjendet në internet. Madje në disa media bashkë me të edhe dëshmia e zyrtarit të këtij fondi në SHBA, që e kishte pranuar shumën e madhe.

Image
Dëshmia e dorëzimit të 150 mijë dollarëve nga Rexhë Xhakli

“Ne fondi “Vendlindja Thërret” e kujtojmë për kontributin e tij të madh për UÇK-ën. Personalisht mua mi dorëzoi 150.000.00 dollarë. Shkuam së bashku në Chase Bank ku ai i tërhoqi paratë e gatshme-cash”, thotë Shefki Mexhuani ish-drejtor ekzekutiv i fondit “Vendlindja Thërret” për SHBA dhe Kanada, njëherësh iniciator dhe themelues i “Batalionit Atlantiku”.

Sipas një indikacioni të dhënë për shumën që mund të ketë pasur fondi “Vendlindja thërret”, dëshmon një ish-komandant në UÇK e TMK, sipas të cilit, udhëheqës të fondit, u kishin premtuar ushtarëve, që tashmë ishin dalë nga lufta, një shpërblim prej 18 mijë deri në 20 mijë dm. Sipas këtij ushtari ishte llogaritur që një shumë të atillë ta përfitonte secili nga 14 mijë ushtarët e regjistruar, që i bie se vetëm për këtë qëllim janë premtuar duku 266 milionë marka.

“Gjatë viteve 1999-2000 na është premtuar që çdo ushtar i uniformuar, e që asokohe kemi qenë vetëm 13,974, dhe asnjë më shumë, sepse e di, ngase isha oficer i personelit, do t’i marrë prej 18 deri në 20 mijë marka gjermane. Dhe, e dini se sa kanë marrë ushtarët nga këto të premtuara… diku rreth 95 deri 97% i kanë marrë vetëm nga 100 marka gjermane”, thoshte ish- eprori në UÇK dhe në TMK Salih Salihu, në një deklarim publik në vitin 2019.

Image
Dëshmi pagese e bërë në fondin "Vendlindja Thërret", një mijë Dm.

Sipas dëshmisë së Salih Salihu, të cituar po aty, nga mediat me 2019, disa shokë i kanë thënë: “në një rast është zënë nga policia e asaj kohe vëllai i Hashim Thaçit, Gani Thaçi, në fshatin Lluzhan të Podujevës duke shkuar për në Serbi me 1 milion marka me vete. Kur është pyetur se nga po shkon, u ka thënë se është nisur për në Serbi, ngase atje ka një lloj biznesi për të bërë. Në tentativë për arrestim, ai u ka treguar se është vëllai i Thaçit dhe është liruar, vetëm është kthyer mbrapa”.

Hetime penale

Sipas publicistit Xhevat Bislimi, fondit “Vendlindja Thërret” është themeluar në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Degës së LPK-së jashtë vendit, e cila u mbajt me 3 Dhjetor 1993. Sipas tij, propozimin dhe arsyetimin për themelimin e këtij FONDI e kishte dhënë Jashar Salihu, i ndjerë.

Pra, kush i ka përfituar milionat nga fondi “Vendlindja thërret”? Kush duhet ta denoncojë ish-fndin për të nisur hetimi, pasi mediat nuk kanë pasur sukses pavarësisht evidentimit të provave dhe kërkesave publike të ndryshme për rreth 15 vite?

Pse kurrë nuk dhanë llogari, para asnjë organi udhëheqësit e fondit? Pse nuk raportuan kurrë?

A mblidhej fondi me ‘kapuqa’ dhe shporta si thonë disa mërgimtarë? A është e vërtetë se kurrë nuk numëroheshin? Edhe nëse numëroheshin nuk raportoheshin?

A ishte viktima Jashar Salihu, njeriu me të cilin identifikohej ky fond?

Pra, përveç hetimeve për qindra miliona të tretura, mbase duhet edhe një hetim penal!

Sipas letrave të Murat Jasharit rezulton se në Shqipëri kryetar i fondit “Vendlindja Thërret”, ishte Xhavit Haliti, dhe kjo kishte ndodhur pavarësisht që kryesia e LPK-së si themeluese e atij fondi kishte përcaktuar për atë përgjegjësi Halil Selimin e Ramiz Lladrovcin.

“Ndërkohë që ishin caktuar Halili dhe Ramizi, çka dojshe ti që i pranojshe çantat me dollarë, DM, CHF etj? Kush i adresonte këta korrierët me këso çanta të vinin veç te ju, kur dihej se ku duhej me u paraqit në Tiranë?”, thotë në pyetjen e tij të 125 për Halitin.

Ai kërkonte llogari edhe për 9 milionë franga të Zvicrës?

“291. Pas luftës a erdhi i ndjeri Jashar Salihu, kryetar i fondit “Vendlindja Thërret” në Tiranë? 292. Jashar Salihu a kërkoi ta bënte balancën e Fondit, apo jo? 293. Si u përgjigjen Adem Grabovci dhe Hashim Thaçi? 294. A e kërcënuan Jashar Salihun në familje? 295. A kërkuan paret e fundit, 9 milionë franga të Zvicrës? 296. A e helmuat Jashar Salihun në Tiranë? 297. A mori menjëherë kancerin? 298. Helmimi i Jashar Salihut a është bërë për të mos dhënë llogari?”, thuhet ndër të tjera në pyetjet Murat Jasharit të ndjerë.

Image
Një dëshmi tjetër pagese e bërë në fondin "Vendlindja Thërret", një mijë Dm
Image
Një dëshmi tjetër pagese e bërë në fondin "Vendlindja Thërret", 500 Dm

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat