Vendimi i ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës, deklarohet kryeministri Kurti

Aktuale

Vendimi i ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës, deklarohet kryeministri Kurti

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 08:38
Albin Kurti

(E plotësuar 13:33) - Qeveria sugjeron AKP-në të mos vendosë në shitje asete potenciale për t’u transferuar në fondin sovran

Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë vendimesh në mbledhjen e sotme. Kabineti qeveritar, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti themeloi Këshillin Organizativ për manifestimin gjithë popullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me datë 5,6 dhe 7 mars 2022. Ekzekutivi miratoi dy marrëveshje financiare me BE-në për IPA 2021 dhe IPA 2022 në vlerë 125 milionë euro, ndërkohë i dha dritë të gjelbër marrëveshjes për kornizën financiare me Komisionin Evropian për IPA III. Qeveria mori vendim edhe për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve Bjelloruse në ndërlidhura me presidentin Aleksandër Lukashenko. Krahas këtyre, sugjeruan Agjencinë Kosovare të Privatizimit që të mos vendosë në shtije asete potenciale që do të barten në fondin sovran.

Kryeministri, Albin Kurti para vartësve të tij tha se Epopeja e UÇK-së ndryshoi historinë për mbarë të Kosovës.

Kurti: Epopeja e UÇK-së e ndryshoi historinë për mbarë dhe bëri popullin tonë bashkë

“Është e vërtet që Epopeja e UÇK-së e ndryshoi historinë për mbarë dhe bëri popullin tonë bashkë. Sa herë kujtojmë ditët 5, 6 dhe 7 mars s’ka si të mos kujtojmë familjen Jashari, sakrificën dhe qëndresën e tyre. Gjithçka çka bëjmë dhe veprojmë duket pak krahas gjithçka që ata dhanë, duke falënderuar atyre jemi edhe ne këtu”, tha ai.

Duke arsyetuar marrëveshjet me BE-në për IPA 2021 dhe IPA 2022, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, tha se të njëjtat do të përdoren për projektet për mjedisin, bujqësinë dhe efiçencën e energjisë.

Bislimi: Këto janë përfitimet nga IPA 2021 dhe IPA 2022

“Kosova përmes saj përfiton siç e tha kryeministri 63 milionë euro nga BE-ja dhe atë për projekte si përkrahje për mjedisin, tregti bashkë me tregun e brendshëm, përkrahje për bujqësi dhe zhvillimin rural dhe përkrahje për komunat, deminimi etj. Këto fonde kombinohen me bashkëfinancime edhe të qeverisë së Kosovës në vlerë prej 16 milionë euro, si dhe financimi me partnerët e tjerë në shumë prej 3.8 milionë euro[...]Kjo marrëveshje financiare mundëson implementimin e programit vjetor IPA 2022 përmes së cilës ne përfitojmë nga BE-ja 70.5 milionë euro. Këto mjete do të përdoren për projekte të ndryshme, si përkrahje për mjedisin, energjinë e gjelbër dhe efiçencën e energjisë”, tha ai.

Ndërsa, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi tha se masat restriktive ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve Bjelloruse janë ndalimi i udhëtimit në territorin e Kosoës dhe ngrirjen e pasurisë.

Gashi: Masat restriktive janë ndalimi i udhëtimit në Kosovë dhe ngrirjen e pasurive

“Masat restriktive konsistojë në ndalimin e udhëtimit në territorin e Republikës së Kosovës dhe ngrirjen e pasurive të mbajtura në Kosovë për gjithë individët dhe etnitetet që në mënyrë aktive janë ende subjekt sanksionimi nga Këshilli Evropian”, deklaroi ajo.

Krahas këtyre, kryeministri Kurti bëri të ditur se janë shumë afër miratimit të koncept dokumentit për themelimin e fondit sovran.

Përkitazi me këtë, ai tha se AKP-ja nuk duhet të vendosë në shitje asete që janë identifikuar si potencial për transferim në këtë fond.

Kurti: Udhëzohet AKP-ja të mos vendos në shtije asete

“Udhëzohet AKP-ja të mos vendos në shtije asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në fondin sovran para miratimit të politikës së qeverisë lidhur me fondin sovran”, theksoi ai.

Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi vendimin edhe për lidhjen e marrëveshjes me shtetin e Kanadasë dhe Turqisë për njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Sveçla: Këtë javë pritet marrëveshja me Gjermaninë për njohjen reciproke të patentë shoferëve

“Pas një angazhimi të gjatë dhe pres që të përmbyllet suksesshëm këtë javë, lidhur me njohjen reciproke të patentë shoferëve me Republikën Federale të Gjermanisë”, tha ai.

Ndërkohë miratuan nismën për të filluar negociatat me BERZhH për një kredi të butë për projektin e efiçencës së energjisë në Prishtinë.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arsyetuar vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Para mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se 70.4 për qind e konsumatorëve shtëpiak nuk do t’i prek rritja e çmimit të energjisë elektrike ose do të jetë minimale.

Ai tha se vetëm gjatë dy muajve të fundit kanë importuar 40 për qind të energjisë elektrike dhe kjo formë, sipas tij është e papërballueshme për buxhetin e shtetit.

Kurti: 70.4 për qind e familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike

“Për konsum deri 800 kilovatë orë nuk do të ketë rritje. Në rastin e konsumit 850 kilovatë orë duke llogaritur një raport mesatar 60-40 të tarifës së lartë dhe ulët, dallimi ndërmjet faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë minimal. Nga 49.67 euro në 52.19 euro, pra një rritje prej 5 për qind, apo 2.5 euro në muaj. Në rast të konsumit 1000 kilovatë orë, duke llogaritur sërish një raport mestar 60-40 të tarifës së lartë dhe ulët, dallimi ndërmjet faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë rreth 17 për qind. Nga 58.10 euro në 68.18 euro, pra 10 euro më shumë në muaj për ata që konsumojnë 1000 megavatë në muaj. Ndërsa në rast të konsumit 1200 kilovatë orë në muaj, duke llogaritur përsëri një raport 60-40 të tarifës së lartë dhe ulët, dallimi ndërmjet faturës së vjetër dhe asaj që do të jetë pastaj do jetë pak më e lartë. Nga 69.35 euro në 89.51 euro, një rritje prej 29 për qind apo 20 euro. Sipas të dhënave tona bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar, 70.4për qind të konsumatorëve shtëpiakë gjatë dimrit shpenzojnë mesatarisht më pak se 800 kilovatë në muaj, kjo do të thotë se falë subvencionimit të qeverisë gjatë muajve të ftohtë mesatarisht 70.4 për qind e familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike ose do të preken minimalisht. Kurse gjatë muajve të verës, 89.40 për qind e konsumatorëve shtëpiakë shpenzojnë mesatarisht më pak se 800 kilovatë në muaj. Kjo do të thotë se gjatë muajve të nxehtë mesatarisht 89.40 për qind e familjeve nuk do të preken nga rritja e energjisë elektrike. Ndërsa 100 për qind e familjeve do të përfitojnë nga subvencionimi i 800 kilovatorëshit të parë që ata shpenzojnë. Ndërsa, në anën tjetër për bizneset nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike në një kohë kur çmimet e shumë produkteve janë duke u rritur për shkak të inflacionit të importuar. Në këtë formë dëshirojmë të shmangim rritjen e ndonjë produkti dhe shërbimeve që ato ofrojnë”, tha ai.

Ai tha se çmimet e importit të energjisë elektrike nuk pritet të rikthehen në shifrat e mëparshme dhe vendi duhet të vazhdojë të importojë energji elektrike, andaj, siç tha ka një hendek që duhet mbuluar.

Kurti: Subvencionimi i importit të energjisë është i papërballueshëm

“Gjatë muajve të dimrit na është dashur të importojmë rreth 40 për qind të energjisë elektrike që kemi konsumuar dhe me çmime të importit rreth shtatë herë më shtrenjtë se zakonisht. Vetëm për një ditë në muajin janar kemi paguar 2.5 milionë euro për import të energjisë elektrike. Në dy muajt e fundit kemi subvencionuar konsumin nga importi. Kemi mundësuar që të kemi furnizim të pandërprerë të rrymës, kështu që kriza që na ka prekur si vend të mos ndjehet nga qytetarët[...]Një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme dhe pa qëndrueshme për buxhetin e shtetit tonë. Gjatë këtyre muajve, çmimet e importit të energjisë elektrike nuk pritet të kthehen në shifrat e mëparshme. Sivjet duhet të vazhdojmë të importojmë energji elektrike, andaj kemi një hendek të kushtueshëm që duhet të mbulojmë”, shtoi Kurti.

Duke iu kundërpërgjigjur kritikave, kryeministri Kurti tha se ose duhet ndodhur mrekullia dhe të zhduket kriza ose të subvencionojë plotësisht qeveria importin. E para tha është e papërballueshme, ndërsa e dyta e pamundur.

Kurti: Nga fillimi i krizës deri tani kemi ndarë 120 milionë euro

“Kur kërkohet që mos të ketë rritje të energjisë elektrike në një kohë që po shpenzojmë më shumë se po prodhojmë dhe kur çmimet e importi janë më të larta se zakonisht, po kërkohet ose shtetit të subvencionoj plotësisht importin e energjisë, ose mrekullisht të zhduket kriza energjetike. E para është e papërballueshme e dyta është e pamundur. Nga fillimi i krizës deri tani kemi ndarë 120 milionë euro”, përfundoi ai.

Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 61-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës

Adresimi i plotë i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fillim të mbledhjes së 61-të të Qeverisë në lidhje me tarifat e reja të vendosura nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe mbështetjen e Qeverisë për qytetarët nëpërmjet subvencionimit

I nderuari kabinet qeveritar,

Të dashur qytetarë,

Gjatë muajve të dimrit na është dashur të importojmë rreth 40% të energjisë elektrike që kemi konsumuar dhe me çmime të importit deri 7 herë më shtrenjtë sesa zakonisht. Vetëm për një ditë në muajin janar kemi paguar 2.5 milionë euro për import të energjisë elektrike.

Në dy muajt e fundit, kemi subvencionuar konsumin nga importi. Kemi mundësuar që të ketë furnizim të pandërprerë të rrymës, kështu që kriza që na ka prekur si vend të mos ndjehej nga qytetarët. Muajt dhjetor dhe janar janë prej muajve më kritik të vitit. Janë muaj të gjatë edhe të ftohtë, që përcillen me shpenzime të festave të fund vitit, edhe me konsum më të lartë të energjisë elektrike. Prandaj, jemi kujdesur që gjatë këtyre dy muajve mos të ketë asnjë barrë shtesë për qytetarët tanë. Por, një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme dhe e paqëndrueshme për buxhetin e shtetit tonë.

Gjatë këtij viti çmimet e importit të energjisë elektrike nuk pritet të kthehen në shifrat e mëparshme. Sivjet do të duhet të vazhdojmë të importojmë energji elektrike, andaj kemi një hendek të kushtueshëm, të cilin na duhet ta mbulojmë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë dje ka bërë publik vendimin e saj në lidhje me tarifat e reja të energjisë elektrike. Me këtë vendim, ajo përveçse ka ulur tarifat që fillimisht kishte propozuar, po ashtu ka zhvendosur pragun e bllok tarifës nga 600 kWh në 800 kWh.

Përballë tarifave të reja të ZRrE-së ne tashmë kemi zotuar deri në 100 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët tanë. Pra, shumën fillestare prej 75 milionë euro e kemi ngritur në 100 milionë. Besojmë se kjo shumë e zotuar e ka mundësuar uljen e çmimeve të tarifave që fillimisht ishin propozuar nga ZRrE-ja dhe zhvendosjen e bllokut tarifor nga 600 kWh në 800 kWh. Çmimi i energjisë elektrike për të gjithë qytetarët që janë konsumatorë shtëpiakë mbetet i pandryshuar për 800 kWh-shin e parë të shpenzuar. Tarifat e reja do të aplikohen vetëm për shpenzimet mbi 800 kWh në muaj.

Më lejoni që të ndaj me ju disa shembuj të shpenzimeve mesatare sipas konsumit të konsumatorëve shtëpiakë dhe ndryshimet e përafërta me këto tarifa pas subvencionimit të Qeverisë.

Për konsum deri në 800 kWh, nuk do të ketë rritje.

Në rastin e konsumit 850 kWh, duke llogaritur një raport mesatar 60:40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë minimal. Nga 49.67 euro në 52.19 euro. Pra, një rritje prej rreth 5%, apo rreth 2 euro e gjysmë më shumë në muaj.

Në rast të konsumit 1000 kWh, duke llogaritur sërish një raport mesatar 60:40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë rreth 17%. Nga 58.10 euro në 68.18 euro. Pra, 10 euro më shumë në muaj, për ata, të cilët konsumojnë 1 mWh në muaj.

Ndërkaq, në rast të konsumit të 1200 kWh në muaj, duke llogaritur përsëri një raport 60:40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes faturës së vjetër dhe asaj që do të jetë pastaj është pak më e lartë. Nga 69.35 euro në 89.51 euro. Një rritje prej rreth 29% apo rreth 20 euro.

Sipas të dhënave tona, bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar, 70.4% të konsumatorëve shtëpiakë gjatë dimrit shpenzojnë mesatarisht më pak se 800 kWh në muaj. Mesatarisht. Që do të thotë se falë subvencionimit nga ana e qeverisë, gjatë muajve të ftohtë mesatarisht 70.4% të familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike ose do të preken minimalisht. Kurse gjatë muajve të verës 89.2% të konsumatorëve shtëpiakë shpenzojnë mesatarisht më pak sesa 800 kWh në muaj. Që do të thotë se gjatë muajve të nxehtë, mesatarisht 89.2% të familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike. Ndërkaq, 100% të familjeve do të përfitojnë nga subvencionimi i 800 kWh-shit të parë, që ato shpenzojnë. Në anën tjetër, për bizneset nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Në një kohë kur çmimet e shumë produkteve janë duke u rritur shkaku i inflacionit të importuar, në këtë formë synojmë që të shmangim ndonjë rritje të mëtutjeshme të produkteve dhe shërbimeve që ato ofrojnë, që do të mund të merrnin shkas rritjen e çmimit të energjisë. Kështu ruajmë edhe qytetarët edhe bizneset.

Qytetarë të dashur,

Në kriza energjetike, si në çdo krizë tjetër, nuk ka zgjidhje ideale. Në ballafaqim me kriza nuk mund të kërkohet menjëherë një gjendje si para saj. Duhet të synohet një mënyrë për tejkalimin sa më të shpejtë të krizës për sa më shumë prej jush. Kur kërkohet të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike në një kohë që po shpenzojmë më shumë se ç ‘prodhojmë dhe kur çmimet e importit vazhdojnë të jenë më të larta se zakonisht, çka në fakt po kërkohet është që ose shteti të subvencionojë plotësisht importin e energjisë ose që mrekullisht të zhduket kriza energjetike.

E para është e papërballueshme, e dyta është e pamundur. Nga fillimi i krizës energjetike, me qëllim zbutjen e saj, deri më tani kemi ndarë nga buxheti 120 milionë euro. Në perspektivë, kjo është më shumë sesa buxheti për shtesat për lehona dhe fëmijë, shtesat për skemat sociale dhe pensionale, buxheti për barna esenciale dhe buxheti për pajisje moderne për policinë dhe zjarrfikësit, të gjitha këto marrë së bashku.

Zotimi i ynë për subvencionimin të energjisë elektrike për qytetarëve është njëherit edhe thirrje ndaj qytetarëve për racionalizim të shpenzimeve të energjisë elektrike. Sa më shumë që kursehet energjia elektrike aq më e vogël nevoja për import dhe aq më i vogël ndikimi i krizës energjetike te ekonomitë familjare. Energjia e kursyer është buxhet i kursyer i shtetit dhe xhep i kursyer i qytetarit.

Solidariteti shoqëror në situata krize është i domosdoshëm, e ne jemi me fat që si popull, solidaritetin shoqëror e kemi virtyt kulturor e historik. Së bashku e solidarë do ta tejkalojmë edhe këtë krizë.

Ju faleminderit.

Miratohet marrëveshja e Kosovës me Kanadanë e Turqinë për njohje të patentë shoferëve

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjeve mes Kosovës me Kanadanë dhe Turqinë për njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se me këto marrëveshje qytetarët që kanë leje qëndrim në shtetet përkatëse nuk kanë nevojë të hynë në provime plotësuese apo teste.

Sveçla ka paralajmëruar se së shpejti pritet të finalizohet edhe marrëveshja mes Kosovës e Gjermanisë për patentë shoferë.

Pas një angazhimi të gjatë pres që të përmbyllet me sukses këtë javë me njohje reciprokeve të patetëntë shoferëve me Republikën Federale të Gjermanisë”, tha Sveçla.

Ndërkohë në mbledhjen e Qeverisë po ashtu është miratuar propozim-vendimi për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli Evropian i BE-së ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve bjelloruse të ndërlidhura me regjimin e Aleksandar Lukashenkos.

***

Qeveria vendos për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj personave që kanë lidhje me Lukashenkon

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i BE-së, ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve bjelloruse të ndërlidhura me regjimin e presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko.

Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi miratoi edhe marrëveshjen financiare për IPA 2021 me BE-në vlerë rreth 60 milionë euro.

Në këtë linjë, kabineti qeveritar miratoi edhe marrëveshjen me BE-në për IPA 2022 në vlerë 70 milionë euro dhe marrëveshjen e partneritetit për kornizën financiare në mes Kosovës dhe Komisionit Evropian për marrëveshjen e zbatimit të ndihmës financiare të unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit të para anëtarësimit IPA III.

Krahas kësaj, Qeveria miratoi vendimin edhe për lidhjen e marrëveshjes me shtetin e Kanadasë dhe Turqisë për njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Ndërkohë, udhëzuan AKP-në që mos të vendos në shitje asete që mund të transferohen në fondin sovran.

Kurti: Gjatë dimrit, 70 për qind e familjeve nuk preken nga shtrenjtimi i rrymës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka arsyetuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike, teksa ka thënë se subvencionimi i plotë i importit të energjisë me çmimet e larta të tregut aktualisht, është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit.

Kuti ka thënë se gjatë muajve të dimrit, 70.4 për qind e familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimit të energjisë ose do të preken minimalisht.

“Me këtë vendim është zhvendosur pragu i bllok tarifës. Shumën fillestare prej 75 milionë euro e kemi ngritur në 100 milion, besoj se kjo shumë e ka zvogëluar tarifën. Për konsumin deri në 800 kilovat nuk ka rritje të çmimit të energjisë. Për konsum 850 orë dallimi mes faturës së vjetër deri te ajo e re do të jetë minimale, një rritje deri në 5 përqind. Në rast të konsumit deri në 1000 mijë kilovat orë dallimi do të jetë 17 përqind. Gjatë muajit të ftohtë 70.4 e familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimit të energjisë ose do të preken minimalisht”, u shpreh Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë në mënyrë racionale energjinë elektrike dhe të tregojnë solidaritet shoqëror për ta tejkaluar këtë krizë.

“Në kriza energjetike nuk ka zgjidhje ideale, duhet të synohet një mënyrë për tejkalim sa më të shpejtë të krizës. Kur kërkohet të mos ketë rritje në një kohë kur shpenzojmë më shumë se kërkojë është që ose shteti të subvencionojë energjinë ose kriza mrekullisht të zhduket. Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve për racionalizim të energjisë elektrike. Sa më shumë së kurset aq më e vogël është nevoja për import. Së bashku e solidar do ta tejkalojmë edhe këtë krizë”, u shpreh kryeministri Kurti.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arsyetuar vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Para mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se në dy muajt e fundit kanë importuar 40 përqind të energjisë elektrike dhe se vetëm për 1 ditë kanë paguar 2.5 milionë euro.

Kjo formë sipas tij është e papërbaulleshme për buxhetin e shtetit.

Sipas tij nga tarifat e reja nuk do të preken rreth 74 përqind e familjeve ose do të preken minimalisht.

“Na është dashur të importojmë 40 përqind të energjisë elektrike, vetëm për 1 ditë kemi paguar 2.5 milionë euro. Por një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme për buxhetin e Kosovës. ZRrE-ja dje ka marr vendim për tarifat e reja dhe ne jemi zotuar deri 100 milionë euro për subvencionimin e qytetarëve tanë. Tarifat e reja praktikohen vetëm për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat orë”, tha ai.

Formohet këshilli për Epopenë e UÇK-së, Kurti: Ndryshoi historinë

Qeveria e Kosovës ka themeluar Këshillin Organizativ për manifestimin gjithë popullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me datë 5,6 dhe 7 mars 2022.

Kryeministri, Albin Kurti tha se Epopeja e UÇK-së ndryshoi historinë për mbarë të Kosovës.

“Epopeja e UÇK-së e ndryshoi historinë për mbarë dhe e bëri popullin bashkë. Çdo progres i yni duket pak për gjithçka çka ka dhënë familja Jashari”, tha ai.

LIVE: Nis mbledhja e Qeverisë

Ka nisur mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Kurti mbledh sot ministrat

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se mbledhja do të mbahet në orën 10:00.

Mbledhja e fundit e Qeverisë është mbajtur më 5 shkurt, ku është miratuar vendimi për zotimin e Qeverisë për subvencionimin e energjisë.

Në mbledhjen e sotme është miratuar propozimi i Ministrisë së Ekonomisë për zotimin e Qeverisë për subvencionimin e pagesës së energjisë nga konsumatorët. Sipas vendimit të miratuar, Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet për subvencionimin e energjisë në shumë prej 90.000.000.00 € (nëntëdhjetë milionë euro), për të ulur ndikimin e tarifave të energjisë për konsumatorët, duke marrë parasysh rritjen enorme të çmimeve të importit, rrjedhimisht krizën energjetike në të cilën ndodhet vendi”, kishte njoftuar Qeveria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat