Akuza tronditëse nga dëshmitari i vrasjes së Ivanoviçit / Thaçi, Veseli e Ramushi trafikuan armë me serbë në Emirate!

Aktuale

Akuza tronditëse nga dëshmitari i vrasjes së Ivanoviçit / Thaçi, Veseli e Ramushi trafikuan armë me serbë në Emirate!

Nga: I. Morina Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 17:26
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli, dikur

Në një artikull të botuar së fundi, një dëshmitar pohon se ai e din se kush janë vrasësit e një lideri lokal serb, që po bënte përpjekje të ndërtonte paqe me shqiptarët dhe t’i bindte serbët ta pranonin shtetin e Kosovës.

Dëshmitari, i cili aktualisht ndodhet në burgun e Pozharecit, quhet Negovan Velkoviq, i lindur me 1981.

Në një rrëfim të gjatë të botuar në media të Serbisë, dhe të përcjellur edhe nga disa media në Kosovë, ai pohon se e di se kush janë vrasësit e Oliver Ivanoviqit, porositësit dhe njerëzit e përfshirë në këtë rast, si dhe vet ekzekutori, që sipas tij erdhi nga Sllovenia.

Dëshmia e këtij të burgosuri, që apriori lë të kuptohet se është dëshmitar i vrasjes së Ivanoviçit, nuk do të merrte shumë vëmendje, sikur të mos përputhej në disa pika me dokumentet amerikane, të cilat çuan në shpalljen non grata të grupit ndërkombëtar kriminal serb, në krye me Zvonko Veselinoviçin dhe Milan Radojçiqin.

Pikat kyçe për të cilat ata akuzohen janë, për trafikim armësh dhe mallrash tjera të palejuara, komprometim të zyrtarëve të shtetit, të policisë dhe të doganës, për takime sy me sy, me zyrtarë shteti dhe të tjera çështje.

Por, pse ndodhi atentati?

Sipas kësaj dëshmie vrasja e Ivanoviçit u bë për shkak se ai (Ivanoviç) zotëronte dokumentacion komprometues, për grupin kriminal serb, por edhe për politikanë – zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës. Në mesin e skandaleve, ai veçon dy, trafikimin e armëve dhe sekuestrimin e disa kamionëve.

“I frikësoheshin Oliverit, pasi kishte në duar (dokumente) për shumë punë të pista, duke nisur nga kamionët që u sekuestruan, deri në shitjen e armëve serbe në Emiratet e Bashkuara Arabe nëpërmjet Kosovës. Në shitjen e armëve kanë pasur shumë hise edhe politikanët shqiptarë: Ramush Haradinaj, mik i madh i Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojiçiqit, pastaj Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por u trembën kur Oliveri u takua me Martti Ahtisaarin në Tiranë, sepse mendonin se Oliveri po i dorëzonte ata te lojtarët serioz, kështu që shpejt filluan të mendonin për likuidimin”, shkruan në letrën e gjatë ai.

Edhe Departamenti Amerikan i Thesarit në vendimin për shpalljen non grata të grupit kriminal serb, përveç se i akuzon për “skema ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe”, thotë se janë të angazhuar edhe në trafikim të armëve.

“Zvonko Veselinoviç (Veselinoviç), udhëheqësi i Grupit të Krimit të Organizuar (OCG), është një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës. OCG e Veselinoviçit është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të grupit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në dokumentin amerikan.

Takimet sy me sy

Sipas dëshmitarit serb, ekzekutuesi erdhi nga Sllovenia, dhe se ishte vendosur në një hotel në Leshak. Vrasësi sipas tij është ndihmuar nga “personat e Veljes të dërguar nga Veselinoviqi, kështu që janë përfshirë edhe Basara, Spasojeviq dhe Roshiq, të cilët i kanë përcjellë likuidatorët me automjete policore dhe i kanë nxjerrë me sukses nga Kosova nëpërmjet Jarinjës”.

Edhe dokumentet amerikane flasin për bashkëpunim të grupit kriminal serb me zyrtarë të shtetit, shqiptarë, duke përmendur takimet sy me sy.

“Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët. Nga fundi i vitit 2017, Veselinoviç dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviç (Zharko) kishin marrëveshje me politikanët për të ndihmuar partinë e tyre të fitojë zgjedhjet, të sigurojë fitore politike për kandidatët e tyre dhe të kontribuojë me shuma të mëdha parash për kandidatët”, thuhet në dokumentin amerikan.

Për një takim të paktën sy me sy të Ramush Haradainajt me Radojçiqin kanë raportuar edhe mediat në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat