Një e përdhunuar e luftës ngre padi ndaj tre serbëve

Aktuale

Një e përdhunuar e luftës ngre padi ndaj tre serbëve

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 11:44
Shkëndije Hoda

(E plotësuar 13:00) - Shoqata Krimet e Luftës Gjakova 98’99, dorëzoi sot kontingjentin e 15 të kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë gjatë luftës së fundit në Kosovës, në Departamentin e Krimeve të Luftës, në Policinë e Kosovës.

Udhëheqësja e grupit të shoqërisë civile për komunën e Gjakovës, Shkëndije Hoda, ka thënë se kanë dorëzuar 80 kallëzime penale. Ajo gjithashtu është shprehur optimiste se këto raste do të zbardhen.

HODA: Sot kemi sjell 80 kallëzime penale

“Faktikisht sot është kontingjenti i 15-të që Shoqata për krime lufte Gjakova 98/99, vazhdon t’i sjellë në Polici. Kësaj here kemi sjellë 80 lëndë, pra 80 kallëzime penale që kanë të bëjnë me vrasje, tortura dhe dëme materiale të shkaktuara gjatë kohës së luftës. Është një prioritet për shoqatën, por është edhe një shtyrje për gratë e tjera që përmes shoqatës kemi edhe një padi, ku një viktimë e dhunës seksuale e cila ka ngritur një kallëzim penal ndaj 3 kriminelëve të cilët i ka njohur dhe identifikuar në zyrën tonë”, tha Hoda.

Hoda tha se që nga viti 2018, kanë sjellë vazhdimisht kallëzimet penale, lëndë këto që kanë kaluar shifrën prej 500. E për të pasur më të lehtë që Policia të gjejë kriminelin, ajo tregoi edhe se si gjejnë fotografi të kriminelëve dhe bëjnë krahasime të viteve dikur dhe tani.

HODA: Që nga viti 2018, sjellim kallëzime penale

“Ne që nga viti 2018 i sjellim kallëzimet penale, pra ka kaluar shifrën prej 500 lëndëve, dhe është e natyrshme që një lëndë merr kohë, për shkak se nëse identifikohet krimineli, ne mundohemi të gjejmë ndonjë fotografi të tij duke barazuar me kohën atëherë se si ka qenë atëherë dhe si duhet tani për t’ia lehtësuar punën edhe Policisë”, tha Hoda.

Ajo gjithashtu është shprehur optimiste dhe e bindur që të gjitha rastet që i kanë dërguar në Polici, do të zbardhen dhe se do të arrestohen ata kriminelë që tentojnë të hyjnë në Kosovë.

Hoda: Unë besoj që Policia do t’i dënojë kriminelët që tentojnë të hyjnë në Kosovë

“Ne nuk e kemi luksin apo mundësinë, që të shkojmë në Serbi t’i arrestojmë, ndoshta edhe bashkëbisedimi dhe marrëveshja që do të bëhet do të sjellë një rezultat. Por unë jam e bindur që çdo kriminel që tenton të hyjë në Kosovë do të arrestohet, pasi që kanë fakte të mjaftueshme“, tha Hoda.

Ajo gjithashtu u shpreh se për të gjithë dëshmitarët do të qëndrojnë deri në procedurat e fundit.

Hoda: Ne do të jemi afër dëshmitarëve që do të paraqiten në Gjykatë

“Ne do të vazhdojmë deri në familjarin e fundit, edhe pas kallëzimit të penaleve sepse ne do të jemi afër dëshmitarëve që do të paraqiten në Gjykatë deri në procedurën e fundit”, tha ajo.

Kryesisht, kallëzimet penale janë për rastet në komunën e Gjakovës dhe të Rahovecit, por, sipas përfaqësuesve, do të merren edhe me rastet që ndodhën në krejt Kosovën.

***

Shoqata për Krimet e Luftës Gjakova 98’99 sot kanë dorëzuar kontingjentin e 15-të të kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë gjatë luftës në Kosovë.

Këtë herë 80 lëndë janë sjellë dhe në mesin e tyre është edhe një viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës që ka ngritur padi ndaj tre serbëve, të cilët edhe i ka identifikuar në zyrën e organizatës.

Me dorëzimin e këtij kallëzimi penal, shoqata tha se synojnë që të vetëdijesojnë gratë në Kosovë që ishin viktima të kësaj dhune dhe t’i padisin përdhunuesit.

Përfaqësueset e kësaj shoqate shprehen optimiste se do të ketë rezultat në dënimin e kriminelëve edhe për shkak të marrëveshjes që po synohet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryesisht, kallëzimet penale janë për rastet në komunën e Gjakovës dhe të Rahovecit, por, sipas përfaqësuesve, do të merren edhe me rastet që ndodhën në krejt Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat