Mesiç, si një hero shqiptar: Mitrovica është një! / Po Bamir Topi pse frikësohet ta shkelë veriun?!

Aktuale

Mesiç, si një hero shqiptar: Mitrovica është një! / Po Bamir Topi pse frikësohet ta shkelë veriun?!

Nga: Idriz Morina Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 15:33
Stipe Mesiç, një ditë para se ta vizitonte veriun, dhe pas tij Bamir Topi

Stipe Mesiç në vitin e 88-të të jetës së tij vjen si një hero, dhe jo vetëm si një mbështetës i fuqishëm i Kosovës dhe i shqiptarëve.

Duke besuar thellësisht se në gjakun e tij, dhe gjakun tonë rrjedh gjaku ilir, ai nuk heziton që në vizitën e tij, të shkelë veriun e Kosovës, që prej vitesh bashkësia ndërkombëtare e mbante të izoluar për shqiptarët, veçanërisht francezët mbajnë përgjegjësinë sepse e kishin dhe e kanë ende përgjegjësinë ushtarake për rajonin.

Derisa një ditë i mësoi të mos shkonin atje, me pak përjashtime.

Ende shqiptarët nuk mund të shkojnë ta vizitojnë lirshëm veriun

Por, të lirë as sot e atëherë, shqiptarët nuk mund të shkojnë lirshëm ta vizitojnë.

Kjo sepse që kur u izolua veri, dhe u dëbuan në paqe mbi 12 mijë shqiptarë, u mboll tek shqiptarët psikoza se atje është një vend i pasigurtë për ta.

Në anën tjetër, tek serbët e atjeshëm, u mboll vetëbesimi se ata mund të rrezikonin, sulmonin e madje të vrisnin shqiptarët, nëse do të synonin që të shkonin lirshëm, të paktën që të shëtisnin atje.

Kjo liri e munguar për shqiptarët dhe e tepruar për serbët deri në abuzim, ka ndikuar, që veriu të mos integrohej dhe të rezistohej aq shumë nga serbët.

Por, me rënien e disa figurave proserbe, nisi të thyhet akulli, tabuja e vendosur edhe nga institucionet, se ‘veriu është jashtë kontrollit të Kosovës’!

Image
Ish-presidenti kroat, Mitrovica është një

Po Topi....

Por, ish presidenti shqiptar Bamir Topi, pse nuk e bëri një vizitë të tillë?!

Ende Shqipëria dhe shqiptari duhet të ruhet, nëse një vizitë e atillë do të ishte ‘provokim’ për serbët?!

Pse nuk qenka provokim, që atje të shkojë ish-presidenti kroat Mesiç, dhe e kundërta të ndihet i rrezikuar dhe i kërcënuar për jetë ish-presidenti Topi!?

Topi mirë që erdhi, por keq, shumë keq që e la të vetmuar në vizitë mikun e madh të shqiptarëve!

Çfarë sugjeroi Topi që ishte në Kosovë, ne nuk e morëm vesh, askush nuk na tregoi asgjë, nëse e kishte bërë vizitën si një shëti, ekskursion!

Kurrë nuk e dëgjuam të fliste as për përpjekjen më antikombëtare për ndarjen e Kosovës! Mos të flasim për asociacionin, demarkacionin dhe çështje të tjera.

Të gjitha këto duket se paskan qenë të huaja për të.

A ishte një përpjekje e huaja, vizita e Mesiçit? Sigurisht se jo. Është një vizitë tipike nga këndvështrimi më i mirë i mundshëm shqiptarë.

Por, Topi, si ndihet, nëse Serbia na sulmon veriun, në një nga skenarët më të disfavorshëm për shqiptarët? A do të ndihej rehat e mirë.

Nëse ne thamë në fillim se Mesiçi shkoi në veri, edhe pse në moshë të pleqërisë së thellë, i motivuar nga besimi se çfarë gjaku rrjedhë në dejtë e tij, dhe këtë se bëri Topi, atëherë është normale të pyesim, se a e ndjen këtë gjak ilir, ish presidenti i Shqipërisë?!

Kur do ta vizitojnë veriun Vjosa dhe Albini?!

Por, atëherë çfarë duhet të bëjë Presidentja jonë, Vjosa Osmani në këtë rast. Kur do të premtojë ajo një vizitë në veri, meqë edhe vet është nga Mitrovica.

A nuk mund ta bëjnë një tur së bashku nëpër veri, ajo dhe Kryeministri i vendit!

Mesiç e tha pa ekuivokë, se do të shëtiste edhe pa polici në veri, dhe se do të ndjehej njësoj, dhe se Mitrovica është një!

“E dini, unë jam kureshtar. Kam dashur të shoh si njërën ashtu edhe Mitrovicën tjetër. Në fakt bëhet fjalë për një Mitrovicë… Po shoh se gjithçka është në rregull dhe qetë... Unë do të isha i sigurt sikur të kisha ardhur edhe vetëm këtu”, ka thënë Mesiq, të dielën në veri të vendit.

Pra, ai jo vetëm me deklaratë, jo vetëm me vlerësim, por edhe me veprim, ka treguar se Mitrovica është një, dhe nuk mund të jenë dy, asnjëherë!

Tashmë që kriza Ukrainës është drejt kulmit, dhe pritjet janë të ankthshme këto ditë nga frika e pushtimit rus të ukrainasve, dhe rrezikut që lufta të përhapet në Europë, siç paralajmëroi sekretari i NATO-s Jens Stoltenberg, atëherë është më se e domosdoshme, që të forcohet ndjenja e sigurisë në veri, se shtrirja e sovranitetit dhe integritetit atje është detyrë kushtetuese, dhe se prova qenësore është kur ajo pjesë vizitohet nga Presidentja e vendit Vjosa Osmani, si kryekomandantë e forcave të Kosovës, por edhe nga kryeministri i vendit Albin Kurti!

Kjo nuk nënkupton bërjen e një shëtitje, por, vizitë në pika strategjike, dhe të shqiptarëve që jetojnë në veri, si në Çabër, Boletin, Vllahi etj.

Ndjekja e Mesiçit mësimeve të tij, në këtë rast është gjëja dhe gjetja e duhur, se si ta duam atdheun, qoftë edhe nëpërmjet mesazhit që e japim me një vizitë në veri, edhe si qytetarë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat