Çfarë motivi të përbashkët kanë vrasja e Komandant “Drinit” dhe kolonel Tahir Zemajt?!

Aktuale

Çfarë motivi të përbashkët kanë vrasja e Komandant “Drinit” dhe kolonel Tahir Zemajt?!

Nga: Idriz Morina Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 20:12
Kolonel Tahir Zemaj dhe Ekrem Rexha – Komandant Drini

A është e mundur që një komandant i rëndësishëm i UÇK-së të vritej, sepse kishte paralajmëruar të shkruante një libër?

Shumë nga pistat që janë përfolur për vrasjen e komandant “Drinit” nuk pohojnë një motivim të lartë për vrasje.

Motivet e pazbardhura

Në vrasjen p.sh. të kolonelit Ahmet Krasniqit, sa ishte ministër i Mbrojtjes i Republikës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, dallohen qartë disa motive:

1. Ahmet Krasniqi ishte i vendosur për të hyrë në Kosovë, pavarësisht nëse do ta kishte përkrahjen e Qeverisë. Nëse ajo nuk do ta përkrahte ai kishte marrë vendim që të futej me të gjithë Shtabin – Zona e projektuar për të hyrë dhe për t’u vendosur ishte krahina e Rugovës.

2. Ahmet Krasniqi si ministër i Mbrojtjes nuk po dorëzohej para presionit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilët pas ofensivës së forcave ushtarake serbe gjatë verës së vitit 1998, përveç se ishin shpartalluar (pasi më parë kishin shpallur zona të lira – Malisheva etj.), e kishin humbur shumë besimin në masë, ndërsa nuk kishin arritur të strukturonin asnjë ushtri dhe asnjë organizim serioz për luftë. Ministri Krasniqi e kishte bërë të kundërtën, kishte punuar fuqishëm në strukturimin dhe organizimin vertikal dhe horizontal të ushtrisë. Kështu që ai ishte bërë rival i pakapërcyeshëm në luftë. Vrasja e tij, sipas organizatorëve të vrasjes do ta ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve, duke shpresuar se do të mbizotëronin në luftë dhe se fuqia dhe struktura e ushtarakëve të karrierës do të thyhej, dhe t’u bindeshin atyre.

3. Motivi i tretë ishin paratë – fondet e luftës. Duke e vrarë ministrin Krasniqi, llogaritnin se fondi i 3% do të kalonte tek ata, duke e frikësuar kështu kryeministrin e asaj kohe Bujar Bukoshin, që t’i bindej atyre, dhe po ashtu që kushdo që të ishte në krye të asaj ministrie t’u jepte fonde atyre, pa mbulesë!

Këto mendojmë se janë tri motivet kryesore, që mund të kenë çuar në organizimin e vrasjes, veç e veç ose të kombinuara.

Rasti i vrasjes së Ekrem Rexhës nuk i përket asnjërit prej këtyre motiveve. Ai ishte një drejtor i emergjencës në qeverinë komunale të Prizrenit, që asokohe autoritet kryesor ishte UNMIK-u.

Drejtorit dhe vetë komunat aso kohe kishin mungesë buxheti, dhe nuk bëhej fjalë që ai të mund të ndikonte në ndonjë projekt të madh ekonomik, në mënyrë që vendimmarrja e tij të bëhej shkak për të motivuar pakënaqësi të thella, aq më pak vrasje.

Drini nuk kishte autoritet në nivel vendi, sado që ishte shquar në luftë dhe kishte krijuar reputacion. Ishte shumë popullor dhe i dashur për anasit e tij. Por, nuk ishte i atillë, sa që ai të ishte pengesë ndaj udhëheqësve kryesor, As nuk ishte eksponentë i LDK-së, që të shihej si pengesë lokale, për të fituar forcat e errëta. Por, megjithatë edhe aso kohe, sipas ndonjë vlerësimi ai ishte parë si një kandidat i mundshëm për kryetar të Prizrenit, dhe dikujt t’i kishte prishur punë.

Libri si dëshmi!

Atëherë motivet këtu bien në dy raste, motivi i hakmarrjes për shkak të shkathtësive luftarake që ai kishte treguar në luftë, dhe se dikush ndihej përgjegjës për vendimin(-et) e gabuara, dhe gjatë luftës ai mund të ketë mësuar shumë për krime të pakuptueshme, vrasje të qëllimshme e të pajustifikuara.

Këto motive edhe mund të ndërlidhen më mirë, me një informacion që ka qarkulluar pas luftës. Se Drini kishte folur se kishte në plan të shkruante një libër për luftën. Madje se kishte të dhëna se çfarë kishte ndodhur.

“Ky shqiptar i moderuar kishte paralajmëruar botimin e një libri për krimet e luftës në Kosovë, përfshirë ato të UÇK-së. Disa orë pas vdekjes së Drinit, ‘udhëheqës’ të UÇK-së vizituan të venë e tij për të marrë “kompjuterin me shënime në librin e shpallur”, por policia ndërkombëtare përgjegjëse për krimet e pasluftës ishte më e shpejtë”, shkruanin mediat e huaja atë kohë.

Koloneli Tahir Zemaj, që do të vritej pas gati tri vitesh, ia kishte dalur që të botonte një libër, me histori rrëfimesh për luftën. Aty përmenden disa nga krimet më të rënda të vrasjes së shqiptarëve, ushtarëve, njerëzve të thjeshtë, kërcënimet e bëra nga krerë të UÇK-së, ndaj vetë Tahir Zemajt, për ministrin Ahmet Krasniqi dhe të tjerë.

Përpjekjet për zhdukje provash

Fakti se ka pasur përpjekje që t’i merrej kompjuteri, madje pikërisht nga i akuzuari për organizim të vrasjes së tij Sali Veseli, i cili është përmendur edhe në aktakuzë, të bën të besosh tregimin për libër apo për dëshmi të krimeve. Familja ia kishte dalur ta shmangte fillimisht kërkesën për ato të dhëna, dhe në ndërkohë ato kishin rënë në duart e policisë. Ato prova kishin qenë edhe objekt diskutimesh të dëshmive në procesin “Drini”.

Më 24 mars, 2003, kishte përfunduar gjykimi në shkallën e parë për vrasjen e ish komandantit të UÇK-së Ekrem Rexha, qe dënuar me 10 vjet burg Sali Veseli, anëtar i TMK-së, se "kishte nxitur, planifikuar dhe paguar për" vrasjen e Drinit. Tre të pandehur të tjerë qenë liruar. Por, vite më vonë edhe i dënuari i vetëm u lirua.

Komandant “Drini”, u vra para shtëpisë së tij, ndërsa po e kontrollonte gomën që ia kishin shpërthyer qëllimisht veturës së tij. Tetë të shtëna e kishin qëlluar “Drinin” nga një vetur “Opel i kuq”, që besohet se po i transportonte dy veta.

Prokurorët ndërkombëtarë asokohe kanë theksuar se “Drini” ka pasur marrëdhënie të mira me UNMIK-un, dhe se ky fakt mund të ishte motivi që çoi në vrasjen e tij.

Por, me rastin e arrestimit të Sali Veselit, kishte reaguar Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së. “Ne nuk kundërshtojmë asnjë hetim për anëtarët sepse ne respektojmë sundimin e ligjit, por ne kemi folur kundër akuzës së popullit tonë për krime lufte sepse kjo është e papranueshme. Ne konsiderojmë se akuzat e tilla bëjnë një krahasim të gabuar midis krimeve të kryera nga policia dhe ushtria serbe në Kosovë dhe vetëm luftë e bërë nga UÇK-ja”, thuhej në reagim.

Rexha përveç përgatitjes ushtarake kishte edhe një diplomë masteri në shkencat politike dhe fliste rrjedhshëm shtatë gjuhë të huaja, në mesin e tyre edhe anglishten.

Është ineteresant se aso kohe ishte kërcënuar Radio Prizreni, se mund të hidhej në erë, për shkak se po i kushtonte shumë vëmendje vrasjes së Rexhës; Kërcënimi ishte bërë nëpërmjet një telefoni duke ju thënë se “Drini” nuk ishte një person i respektuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat