​Kurti: Synojmë evitimin e kredive që ngarkojnë sektorin e ujërave

Aktuale

​Kurti: Synojmë evitimin e kredive që ngarkojnë sektorin e ujërave

Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 18:54
Kurti ka kryesuar takimin e 13-të të Këshillit Ndërministror të Ujërave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kryesuar takimin e 13-të të Këshillit Ndërministror të Ujërave. Ai ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për të zhvilluar dhe avancuar sektorin e ujërave në vend, për mbrojtje të resurseve ujore dhe për ngritjen e cilësisë së shërbimeve.

Ai theksoi interesimin për të vazhduar me ndërtimin e impianteve të reja dhe organizimin e takimeve bilaterale me donatorët aktivë të sektorit. Po ashtu, Kurti potencoi që Qeveria synon evitimin e kredive që ngarkojnë sektorin e ujërave dhe sidomos të kredive të kushtëzuara, me qëllim që të ruhet qëndrueshmëria financiare e kompanive rajonale të ujit dhe përballueshmëria e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe të kanalizimit, thuhet në një komunikatë për medie nga zyra e kryeministrit.

Bëhet e ditur se përmes vendimeve nga takimi i sotëm synohet përmirësimi i performancës së kompanive rajonale të ujit, si dhe trajtimi i çështjes së menaxhimit të llumit që pritet të krijohet me operacionalizimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura.

“Në takimin u adresua edhe problemi i mbështetjes së familjeve në nevojë për pagesën e shërbimeve të ujësjellësit dhe të kanalizimit në pajtim me përgjegjësitë ligjore që i ka Qeveria.

Me miratimin e programit Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurinë e Ujit (i quajtur FLOËS) me Bankën Botërore, u vlerësua se jemi në rrugë të duhur për të qartësuar kërkesat reale të Kosovës për zhvillimin e akumulimeve të reja si dhe për sigurinë e digave, me ç‘rast do të kërkohet të trajtohet edhe liqeni i Livoçit, i cili ka mbetur i papërdorshëm. Paralelisht me këtë, përmes programit zviceran për menaxhimin e integruar të resurseve ujore, është në përfundim përgatitja e bilancit ujor të Kosovës dhe ka filluar hartimi i planeve për menaxhimin e pellgjeve lumore”, thuhet në komunikatë.

Në këtë mbledhje, përpos ministrave të kabinetit qeveritar dhe institucioneve të linjës, të pranishëm ishin edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly , zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss si dhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe nga Banka Botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat