​Kurti: Byroja nuk ka mandat të merret me pasurinë e diasporës

Aktuale

​Kurti: Byroja nuk ka mandat të merret me pasurinë e diasporës

Më: 24 shkurt 2022 Në ora: 12:40
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Byroja Shtetërore nuk do të merret me pasurinë e diasporës. Megjithatë, ai nuk ka përjashtuar rastet kur verifikimi i pasurisë për zyrtarin në Kosovë mund ta dërgojë byronë në vende të tjera. Po ashtu, ai deklaroi se ky autoritet nuk do të përndjek kundërshtarët politik.

Në seancën ku po shqyrtohet projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, shefi i ekzekutivit, Albin Kurti tha se byroja i merr të dhënat nëpërmjet bashkëpunimit të saj me agjenci shtetërore.

Kurti: Byroja nuk ka mandat të merret me pasurinë e diasporës

“Byroja nuk ka mandat të merret me pasurinë e diasporës, pasi që nuk janë zyrtarë publikë dhe nuk janë kategori ligjore. Me diasporën mund të ketë raste të rralla dhe vetëm atëherë kur pasuria e zyrtarit nga Kosova dihet se është trasnferuar nga ndonjë shtet tjetër tek një i afërm në diasporë. Verifikimi i pasurisë për zyrtarin mund ta dërgojë byronë në vende dhe shtetet tjera dhe mund të nevojitet bashkëpunimi me këto vende, për verifikim të pasurisë të individëve që potencialisht kanë marrë apo pranuar pasuri nga pala për të fshehur gjurmët e pasurimit të pajustifikueshëm”, ka deklaruar Kurti.

Më tej, ai ka shtuar se konfiskimi i pasurisë do të bëhet vetëm nga gjykatat, e jo nga Byroja Shtetërore.

Kurti: Byroja kurrë nuk do të jetë një agjenci që ndjek dhe përndjek kundërshtarët politik

“Byroja kurrë nuk do të jetë një agjenci që ndjek dhe përndjek kundërshtarët politikë. Projektligji në mënyrë shumë të qartë ka paraparë afatet për byronë se si dhe kur duhet të veprojë. Mos veprimi i saj nënkupton heqje dorë nga verifikimi i pasurisë pas kalimit të një afati. Pala në çdo kohë gjatë gjithë procedurës të verifikimit mund të dëshmojë se pasuria e fituar është e ligjshme përmes provave që i posedon. Edhe në rastet kur pala refuzon të bashkëpunojë me byronë dhe për pasurinë e palës është gjetur shpërputhje në mes të të hyrave dhe pasurisë, prapë pala ka të drejtë që para gjykatës të dëshmojë të kundërtën e asaj që pretendon byroja. Normalisht, sa herë që byroja e sheh se nuk ka shpërputhje në mes të hyrave të pasurisë nuk e vazhdon verifikimin, por e mbyll rastin”, ka shtuar Kurti.

Kurti shtoi se pasuria do të verifikohet për të gjithë zyrtarët shtetërorë në Kosovë, të ekspozuarve politik dhe familjarëve.

Pas komenteve të opozitës për periudhën prej kur do të fillojnë hetimet për zyrtarët publik, Kurti tha se kjo është përcaktuar për siguri më të madhe.

Kurti: Janë marrë parasysh afatet kohore të cilat lidhen me rendin juridik dhe konsolidimin e shtetit

“Për të pasur mundësi zbatimin efikas të projektligjit, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut janë marrë parasysh afatet kohore të cilat lidhen drejtpërdrejt me rendin juridik, konsolidimin e shtetit dhe kohën kur qarkullimi i aseteve me vlerë më të madhe është obliguar të bëhet me transaksione bankare. Pra, siguria është më e madhe, pikërisht këtu ne kemi një qasje konservatore për hir të sigurisë së procesit dhe të procedurave. Kjo nuk do të thotë që amnistojmë krime të bëra para vitit 2008. Asnjë amnistim të asnjë krimi. Por siguria është më e madhe prej se e kemi shpallur pavarësinë”, ka deklaruar ai.

Në seancë po vazhdon shqyrtimi për herë të parë projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat