VOA: Kosova iu bashkohet sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Rusisë

Aktuale

VOA: Kosova iu bashkohet sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Rusisë

Më: 26 shkurt 2022 Në ora: 06:23
Qeveria e Kosoves

Një grup qytetarësh protestoi të premten në Prishtinë para Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë kundër sulmit rus në Ukrainë, ndërsa udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, e kanë dënuar sulmin dhe janë zotuar për bashkërendim me veprimet e aleatëve perëndimorë.

"Ne sot përveç thirrjes që po i bëjmë shtetit rus që të ndalojë luftën, që të ndalojë pushtimin e Ukrainës, ne gjithashtu po solidarizohemi, po bashkëndjejmë me popullin e Ukrainës si dhe me popullin rus i cili po lufton pro paqes në Rusi. Kjo është një situatë shumë e vështirë dhe ne si qytetarë të Kosovës gjithashtu, duke qenë që kemi përjetu edhe vet para disa viteve një luftë shkatërrimtare, më shumë se kurrë sot ne e dërgojmë këtë mesazh solidariteti dhe i themi popullit ukrainas që ne jemi me ta”, tha Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të drejtat e njeriut në Prishtinë.

Qeveria e Kosovës, iu bashkua sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Rusisë dhe disa individëve nga Bjellorusia, për siç u tha rolin e tyre në lehtësimin e sulmit rus ndaj Ukrainës.

“Sanksionet në pyetje përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i qasjes së tyre në tregjet financiare dhe masat tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe aktorët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për invazionin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo tranzitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”, tha ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla.

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është duke bashkëpunuar me aleatët perëndimorë për të kundërshtuar luftën pushtuese të Rusisë dhe për t’u përballur me ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit.

“Kjo Rusi që po e shohim sot nuk është një Rusi e re por edhe një paralajmërim që ajo nuk synon të jetë e re, në fakt ajo dëshiron që të jetë prapë e vjetër madje të bëhet edhe më e vjetër se Bashkimi Sovjetik, pra të bëhet perandori ruse. Prandaj përgjigja e botës perëndimore dhe demokratike duhet të jetë e unifikuar dhe e vendosur dhe e tillë ka qenë. Si pjesë e saj, vendimi ynë i sotëm(e premte) është bindje vlerore e jona, bashkërendim dhe bashkim me botën e lirë dhe paqedashëse dhe solidarizim me shtetin dhe popullin ukrainas”, tha kryeministri Kurti.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke ndërmarrë hapa për të ruajtur qëndrueshmërinë e sigurisë në vend. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës takoi përfaqësuesit e tri partive politike opozitare për t’i informuar siç tha për situatën aktuale të sigurisë në vend pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë dhe për masat e ndërmarra nga institucionet e sigurisë dhe bashkërendimin me partnerët ndërkombëtarë.

Rusia, një aleate e vjetër e Serbisë, refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, e cila javën e kaluar kremtoi 14 vjet të shtetësisë së saj, që tashmë është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat