​Nagavci viziton shkollat në Polac dhe Prekaz të Epërm të Skenderajt

Aktuale

​Nagavci viziton shkollat në Polac dhe Prekaz të Epërm të Skenderajt

Më: 4 mars 2022 Në ora: 19:02
Foto nga vendi i ngjarjes

Në vigjilje të Epopesë së UÇK-së dhe datave 5, 6, 7 Mars, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka vizituar sot shkollën fillore të mesme të ulët “Drenica” në Polac dhe shkollën “Azem Bejta” në Prekaz të Epërm të Skenderajt.

Ajo me këtë rast ka thënë se familja e komandantit legjendar Adem Jashari kishte edhe mësuesin e saj Shaban Jasharin, andaj në këtë familje lindën heronj që u bënë edhe emblema e lirisë dhe e shtetit tonë.

“Mësimdhënësit janë ata që kanë kontribuar më së shumti për zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë, pa lënë anash kurrë edhe frymëzimin për ta dashur atdheun dhe për ta vlerësuar lirinë. Për gjithë kontributin e tyre, shpreha mirënjohjen e MASHTI dhe Qeverisë së Kosovës për mësimdhënësit, ndërsa në dy shkollat që vizituam pamë nga afër kushtet që janë krijuar pas realizimit të projekteve që janë investime të MASHTI-t”, shkruan Nagavci në Facebook.

Shkolla “Drenica” është përfunduar në vitin 2021 dhe kap vlerën mbi 1.2 milion euro. Ndërsa, ndërtimi i sallës së edukatës fizike në shkollën fillore të mesme të ulët “Azem Bejta” është përfunduar në tetor 2021, në vlerë mbi 255 mijë euro. MASHTI po ashtu ka furnizuar me rekuizita sportive këtë sallë në vlerë mbi 60 mijë euro.

“Jemi duke punuar në shumë segmente për ta zhvilluar arsimin, në mënyrë që fëmijëve tanë t` ju ofrojmë jo vetëm kushte të mira, por edhe politika arsimore që sigurojnë zhvillimin e tyre. Krijimi i këtyre hapësirave moderne është faktor i rëndësishëm për mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore, që është edhe synim i yni i përbashkët. Puna e mësimdhënësve reflektohet padyshim në zhvillimin e personalitetit të nxënësve”, ka shkruar Nagavci duke shtuar se mësimdhënësit sot kanë mision që ta bëjnë edhe më të bukur lirinë për fëmijët tanë, duke i bërë ata të zotët e profesioneve dhe qytetarë të përgjegjshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat