Biznesmeni ndërtoi Pent House pa leje, dënohet vetëm me 3 mijë euro gjobë

Aktuale

Biznesmeni ndërtoi Pent House pa leje, dënohet vetëm me 3 mijë euro gjobë

Më: 8 mars 2022 Në ora: 15:18
Hamdi Geci

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 3 mijë euro gjobë të akuzuarin Hamdi Geci, për veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të hënën, nga gjykatësi Sabit Sadikaj, pasi paraprakisht u aprovua marrëveshja për pranimin e fajësisë që Geci së bashku me mbrojtësin e tij, avokatin Fanol Krasniqi, e kanë arritur me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimin me gjobë i akuzuari  Geci duhet ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në të kundërtën ky dënim do të zëvendësohet me dënim me burgim.

Po ashtu, Geci obligohet që të paguajë shumën prej 20 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Ndërsa, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Ndryshe, paraprakisht pasi u konsiderua e lexuar aktakuza, mbrojtësi i të akuzuarit Geci, avokati Fanol Krasniqi i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë së lidhur mes të të akuzuarit Geci, atij dhe prokurorisë, me arsyetimin se kjo marrëveshje është bërë në mënyrë legjitime dhe me vullnet të plotë dhe pa asnjë presion ndaj të akuzuarit.

I akuzuari Geci e ka mbështetur në tërësi  fjalën e mbrojtësit të tij, avokatit Krasniqi.

Në anën tjetër, prokurori  Eset Rama deklaroi se qëndron pranë marrëveshjes së arritur më 22 dhjetor 2021 në mes të akuzuarit Geci, mbrojtësit të tij, avokatit Fanol Krasniqi dhe prokurorit e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, si dhe i propozoi gjykatës që të njëjtën ta aprovojë.

Sipas aktakuzës së  ngritur më 23 dhjetor 2021, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Hamdi Geci ngarkohej se në rrugën “Hajrullah Zymi”, në Fushë Kosovë,  ka qenë i pajisur me leje ndërtimore për objektin numër 7 dhe 8, dhe pa leje ndërtimi ka vazhduar punimet për ndërtimin e penthouse kati IX, pa leje ndërtimore të objekteve për banim individual  dhe përkundër aktvendimit për ndalim të punimeve me nr.01/2020 të  25 qershorit 2020, i njëjti ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale duke mos respektuar aktvendimin dhe procedurat e zhvilluara nga Drejtoria e Inspekcionit e Komunës në  Fushë Kosovë- Inspektoriati Komunal i Ndërtimit.

Me këtë, Geci ngarkohej se ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” neni 360, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat