Isa Mustafa: Qeveria s`ka arsye të vajtojë, kjo opozitë nuk po e gjuan me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë..

Aktuale

Isa Mustafa: Qeveria s`ka arsye të vajtojë, kjo opozitë nuk po e gjuan me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë..

Nga: M.L. Më: 10 mars 2022 Në ora: 16:02
Isa Mustafa

Ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas situatës së krijuar me ngritjen e çmimeve të produkteve elementare, si vaji dhe mielli.

Mustafa ka shkruar në Facebook se Qeveria do duhej të kërkojë dhe të gjejë zgjidhje në këtë periudhë të ndërlikuar sociale por edhe politike.

Ai ka potencuar se, Qeverisë më së paku i takon të humbë kohë me arsyetime dhe me fajësime të të tjerëve.

“Çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, e shumë tjera, nuk i ngritën qeveritë e kaluara. Kjo opozitë nuk po e gjuan Qeverinë me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë.. Përpos një partie parlamentare e njërës jashtë parlamentit, opozita tjetër s`po ua prishë terezinë. Prandaj Qeveria s’ka arsye të vajtojë por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership. Dije, organizim, drejtim”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka potencuar se nuk është roli i Qeverisë tonë për ta edukuar dhe disiplinuar Putinin as për të bërë luftën në Ukrainë.

Atje po lufton një popull i tërë me përkrahje të drejtë dhe solidarizim nga e gjithë bota. Ka edhe solidarizimin tonë. Nuk është roli i institucioneve të Kosovës, po ashtu, të tmerrojë qytetarët çdo mëngjes se po na sulmon Serbia. Sepse, njerëzit shqetësohen, frikësohen; spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar. Në fund mbesin qytetarët që ju votuan, ata që e paguajnë çmimin e frustrimeve të pamenaxhueshme”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat