Raportohet se Kurti ia kërkoi dorëheqjen Gervallës, reagon Faton Peci

Aktuale

Raportohet se Kurti ia kërkoi dorëheqjen Gervallës, reagon Faton Peci

Më: 13 mars 2022 Në ora: 22:57
Kurti dhe Gervalla

Të dielën mbrëma u raportua se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka kërkuar dorëheqjen nga pozita e Ministres së Jashtme, Donika Gërvallës, duke i thënë asaj se mund të mbajë vetëm pozitën e zëvendëskryeministres. Por këtë e ka mohuar kategorikisht Ministri i Bujqësisë Faton Peci.

Peci në një reagim ka thënë se kjo është e pavërtetë. “Krejtësisht e pavërtetë”, ka thënë Peci.

Sipas disa mediave Kurti po kërkon riformatim të qeverisë dhe ka kërkuar dorëheqjen e Gërvallës. Arsyet thuhet të jenë “skandalet e vazhdueshme” të Gërvallës.

Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, nuk ka qenë i qasshëm për një përgjigje në kohën kur është shkruar teksti.

Gërvalla është kritikuar në vazhdimësi, kryesisht nga opozita, se nuk e ka kryer si duhet punën e shefes së diplomacisë. Sidomos, asaj  iu janë përmendur gabimet e njëpasnjëshme që kjo ministri i bën gjatë postimeve në rrjetet sociale duke huqur flamuj shtetesh. Po ashtu është komentuar gjatë edhe një deklaratë e saj se Kosova nuk e ‘lutë’ Greqinë për njohje si dhe mungesa e njohjes së Kosovës nga vende që nuk e kanë bërë këtë, gjatë kohës sa ajo e ushtron postin e kryediplomates dhe një varg kritikash tjera. Gjatë javës që shkoi Gërvalla ishte në qendër të komentimeve për pritjen e homologes së saj gjermane në aeroportin e Prishtinës. Një fotografi ku Gërvalla ‘ia zinte rrugën’ në tepihun e kuq koleges së saj u bë virale.

Gërvalla është ushtruese e detyrës së kryetares së Listës Guxo, partnerit të vogël në koalicionin qeverisës. LG ka katër deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe dy ministra në qeveri, Gërvallën dhe Faton Pecin si ministër i Bujqësisë. VV, si partneri kryesor në koalicion, ka 55 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe, Gërvalla dhe Kurti ishin të pranishëm në Forumin Diplomatik që u mbajt në Antalia të Turqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat