Eksperti i sigurisë flet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë

Aktuale

Eksperti i sigurisë flet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë

Më: 21 mars 2022 Në ora: 20:42
Nuredin Ibishi

Kosova thotë se Serbia ende nuk i ka bërë ndonjë kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të saj presidenciale dhe parlamentare brenda territorit të Kosovës më 2 prill. Por njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, mendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të qartësoj qëndrimin e tij para këtyre zgjedhjeve, duke mos pritur momentin e fundit.

“Qeveria ende nuk po deklarohet përfundimisht lidhur me këto zgjedhje. Vuçiqi po çon jo vetëm deklarata por edhe kërcënime ndaj autoriteteve të Kosovës se nëse nuk mbahen zgjedhjet do të kenë pasoja”, thotë Ibishi.

“Mendoj se qëndrimi i qeverisë duhet të jetë shumë i qartë para se të ndodhin zgjedhjet, ashtu siç ishte për referendum, dhe kjo në bazë të rezolutës së Kuvendit të Kosovës që detyrimisht është shpreh që nuk ka zgjedhje, qoftë referendum apo zgjedhje të Serbisë në Kosovë”, shton ai.

“Janë dy mënyra të votimit, njëra është nëpërmjet postës dhe tjetra nëpërmjet zyrës serbe në Kosovë. Këto janë dy mundësitë por se trysnia e ndërkombëtarëve po vazhdon. Edhe vendet e Quint’it, BE’së dhe SHBA po bëjnë trysni që kjo te zbatohet. Tash është qëndrimi te kryeministri dhe qeveria që të vendosin lidhur me këtë”, theksoi Ibishi.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht është zotuar se do të respektojë Kushtetutën e vendit për mënyrën se si do të mund të votojnë qytetarët me shtetësi serbe në Kosovë në zgjedhjet që i organizon Serbia.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat