Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut, kërkohet rol më i madh nga Shqipëria

Aktuale

Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut, kërkohet rol më i madh nga Shqipëria

Më: 24 mars 2022 Në ora: 00:46
Qeveria e Kosovës

Njohësit e çështjeve politike i bëjnë thirrje Shqipërisë që të ketë rol më të madh në Kartën e Adriatikut, dhe t’i ndihmojë Kosovës në proceset e anëtarësimit në këtë aleancë. Sipas tyre, nuk duhet pritur gjithnjë vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që nga vitit 2012 Kosova aspiron që të bëhet pjesë e kartës së Adriatikut, me status të barabartë me vendet e tjera të Ballkanit.

E kriza në Ukrainë, si pasojë e ndërhyrjes ushtarake të Rusisë ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që të formojë grupin punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Kartën e Adriatikut, që është instrument i kësaj aleance ushtarake.

E njëra prej problemeve kryesore që ia pamundëson Kosovës anëtarësimin në Kartën e Adriatikut, është mungesa e njohjes nga Bosnja dhe Herzegovina.

Por sipas Profesorit të Shkencave Politike, Dritro Arifi, një presion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës karshi Bosnjës, mund të ndikojë në pranimin e Kosovës në aleancën perëndimore të Adriatikut.

Në anën tjetër, analisti politik, Ben Andoni thotë se Shqipëria duhet të luajë një rol më të madh për Kosovën sepse ajo është njëra prej nismëtareve të këtij procesi, e jo të pritet vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo aleancë përbëhet nga Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, ndërkaq Kosova ka rol vëzhgues.

Karta e Adriatikut u nënshkrua më 2 maj 2003 në Tiranë nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat