Koalicioni madh antiRusi – Kosova në NATO, 23 vjet pas bombardimit të Serbisë / Ëndërr apo realitet

Aktuale

Koalicioni madh antiRusi – Kosova në NATO, 23 vjet pas bombardimit të Serbisë / Ëndërr apo realitet

Nga: Idriz Morina Më: 24 mars 2022 Në ora: 20:30
Pamje nga bombardimet e NATO-s, me 24 mars 1999

Ishte ditë e trishtë, dramatike dhe e paharruar. Të gjithë vraponim në mbrëmje të shihnim televizorin, nëse sulmet tashmë po fillonin. Ishte ditë e mërkure, a paharrueshme.

Dramë, gëzime, përqafime, urime... ekzaltim i paparë...

Sulmet filluan, njoftonte CNN, dhe pas pak do të dilnim në rrugë të shikonim se çfarë mund të shihnim. Ishte ora rreth 19.45 minuta, 24 mars 1999!

Aroma e lirisë po ndihej gjithkund. Kishin kaluar një vit të vështirë shqiptarët. Veçmas në zonat e luftës, ku serbët pamëshirshëm kishin vrarë, mbytur, e djegur të gjallë, shqiptarë të të gjitha moshave... tashmë ishin kryer dhjetëra masakra, që nga Likoshani, Qirezi, Prekazi, e deri tek e fundit, masakra e Reçakut. Kjo i vuri vulën, dhe u bë shkas që NATO-ja, e udhëhequr nga SHBA-ja të ndërhynte, për t’i shpëtuar shqiptarët nga katastrofa humanitare, në të cilën i kishte katandisur Serbia. Njësoj si Putini sot ndaj Ukrainës, Serbia e kishte vendosur t’i zhdukte shqiptarët përgjithmonë, apo të mbeteshin aq pak, sa të mos kishin asnjë rëndësi!

Ishte gëzim dhe kënaqësi e trishtë. Kishim shpresa se pas tri ditësh do të dorëzohej Serbia dhe ne do të mund të rifillonim një jetë normale, në Kosovë të lirë.

Të gjithë donim ta shihnim qiellin se si flakëronte nga shpërthimet e raketave mbi caqet ushtarake serbe, të zemëruar me Serbinë, që kishin kryer krime lufte. Ende nuk e dinim se si do të sillej atë natë apo netëve të tjera ndaj shqiptarëve.

E linim fantazinë të lirë, se si do të pësonte tashti Serbia, se si nuk do t’i mbetej askund vend Millosheviçit dhe besnikëve të tij në krime ndaj shqiptarëve... Krijonin edhe barsoleta shqiptarët aty për aty. Ishte natë sa nuk po fluturonim, që pas dhjet vjet okupimi klasik, liria po vinte...

Edhe unë mbeta jashtë me shumë të tjerë, thuajse tërë kohën, tek oborri i shkollës, ku thuajse ishte grumbulluar gjysma e fshatit.

Njësoj thuajse ishte atmosfera atë natë kudo ku kishte shqiptarë, dhe thuajse në të gjithë Kosovën, përveç atyre fshatrave dhe familjeve në qytete që u ndodhën menjëherë nën sulmet dhe grykën e armëve kobëtare serbe.

Nuk ndodhi ashtu, Serbia nuk u dorëzua, dhe jetën në Kosovë e bëri skëterrë. Lajmet për vrasje masive, vrasje kudo, dhunime, djegie, plaçkitje nga forcat serbe dëgjonim çdo orë thuaja, deri sa përfundonin lajmet.

Netët bëheshin edhe më të zeza, frika nga ajo çfarë po ndodhte anembanë Kosovës, na bënte të trembeshim. Armë nuk kishim, madje as ushqime të bollshme, as miell, grurë, apo rezerva të tjera të pakta, si makarona, që dhe ata po mbaronin me kohë.

Ata studentë që mbetën, e dinë më mirë se kushdo se çfarë kanë hequr për të mbijetuar, derisa shumë prej tyre u detyruan ta lëshojnë Kosovën, në kolonat që nuk kishin fund. Forcat serbe, po i shtynin të gjithë shqiptarët, nën kërcënimin e armëve, vrasjeve, dhunimeve, djegieve të pronave, e plaçkitjeve, që të iknin jashtë Kosovës, në dy korridoret, që herë i mbyllnin herë i hapnin, për në Bllacë në drejtim të Shkupit, në Maqedoni dhe për në Kukës, në Shqipëri.

Nga Prishtina, kisha udhëtuar të shtunën, me ftesën e nënës sime ‘se mund të bëhej më zi’, sepse në luftë ishim. Ishte lutja e saj, që më shtyri të bëja ‘plaçkat’ gati, dhe të nisesha për shtëpi, nga Prishtina, ku isha për studime.

Pas pak, me kërkesë të vëllait Sabriut, bashkë me kushëririn Besimin, shkuam rrugës së asfaltuar që ta thirrnim kontaktin Arsimin, që t’i njoftonte ata që ai i njihte, se ishte urdhri të armatoseshin, dhe të dilnin ku duhej.

Por, mbi të gjitha ishte frika, se çfarë mund të ndodhte në një sulm të papritur gjatë natës nga forcat serbe!? Ato pak roje të armatosura, nuk mund të bënin asgjë, ideja se do të na hidhnin armë nga ajri NATO-ja, mbeti vetëm ëndërr!

E vetmja zgjidhje mbeti tek shpresa. Klinton, Ollbrajt, Bler, Vesli Klark, dhe fjalët e bukura, plot zjarrmi, plot shpresë, të zëdhënësit Xhemi Shia, ishin buka dhe fryma jonë e vërtetë!

Fatkeqësisht një nga ikonat tona, të asaj lufte, ndërroi jetë mbrëmë, ish-sekretarja e shtetit amerikan Medllin Ollbrajt, “Zonja (Gruaja) e hekurt”, e cila u bë gruaja më e adhuruar tek shqiptarët, lavdia e së cilës nuk dallonte aspak, nga ajo e presidentit Klinton apo e kryeministrit britanik Toni Bler.

Image
Presidenti Bill Klinton me fëmijët shqiptarë në kampin "Stankovec" në afërsi të Shkupit

23 vjet pas, Kosova pretendente për anëtarësim në NATO

Kanë kaluar më shumë se 20 vjet, që Kosova nuk ka marrë një lajm më të madh për sigurinë e saj.

Për herë të parë zyrtarisht Kosova është propozuar të bëhet anëtare e NATO-s. Propozimi është bërë nga vendi ynë mik, Kroacia, sot në samitin dyditor të NATO-s që po mbahet në Poloni, kushtuar pushtimit rus nga Ukraina, ndihmës së saj, dhe mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës.

Aq i rëndësishëm është ky takim dhe vendimet e tij, sa vetë Presidenti amerikan Joe Biden, po merrë pjesë.

Ndërkohë, që vendi ende po hesht dhe ndodhet nën trysninë e kërcënimeve të Serbisë, por edhe të hutimeve që ia kanë shkaktuar qeveritë e kaluara, propozimi i bërë nga Kroacia, tashmë ka filluar të ketë jehonë.

Futja e Kosovës në NATO do t’i jepte fund shpresave serbe për ta ndarë Kosovën apo për ta rrezikuar atë.

E gjithë kjo ka marrë kuptim, pas fillimit të luftës në Ukrainë, invazionit rus, është krijuar një rrymë e re e të menduarit strategjik, politik, por edhe ekonomik e kulturor në Perëndim.

Perëndimi e ka kuptuar përfundimisht, se thuaja çdo e keqe, buron nga Kremlini, Moska, atje ku ideologjitë antinjerëzore kanë zënë formë, dhe ende është e vështirë të mendohet ndryshe, se ato mund të ndryshojnë, nga ndryshimet e kohës.

Putini e dëshmoi të kundërtën, në fakt ai ia zbuloi botës fytyrën e vërtetë ruse, vullnetin për krime, vrasje masive, pandjeshmëri njerëzore... një dhunë dhe terror i egër, që as mund të mendohej një dekadë më parë apo edhe dy, pas luftës së NATO-s në Kosovë. Ishte menduar se luftërat në Europë kishin marrë fund. Madje nga kjo mënyrë e të menduarit edhe shumë intelektualë në Kosovë për vite të tëra kanë thënë me pompozitet, se s’ka dhe nuk do të ketë luftëra në Europë.

Po, ndodhë jo vetëm lufta, por një nga më të ndyrat, ku Rusia dhe Putini, po përdorin armë të ndaluara për zonat urbane, dhe as që e kanë ndërmend të ndalen me aq.

Institucionet e Kosovës e kanë shfaqur shpresën, dhe kanë bërë thirrje që Kosova të pranohet në NATO, pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Po nga kush është e rrezikuar Kosova?

Kosova nuk është e kërcënuar drejtpërdrejt nga lufta në Ukrainë, por Putini e ka përmendur në disa raste, po ashtu ministri i Punëve të Jashtme Lavrov, që kur e ka filluar pushtimin e Ukrainës një muaj më parë. Vetë Patrushev këshilltari për siguri, dhe oficer i inteligjencës, i Putinit, në ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës, ka thënë se Rusia dhe Serbia kanë marrëveshje, sikurse edhe presidenti i Serbisë Vuçiqi me Putinin.

Po ashtu kanë paralajmëruar se mjafton vetëm një pretekst që ushtria serbe të ndërhyjë në veri. Ky kërcënim është bërë në mënyra të ndryshme nga Vuçiqi, por edhe nga shefi i ushtrisë serbe.

Ndërsa, sot ka kërcënuar sërish me luftë, Aleksandër Vulini, duke marrë pretekst se Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka suspenduar nga puna, një gjyqtare serbe që është takuar me presidentin e Serbisë.

“Ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konflikt të armatosur në Kosovë, të cilat shqiptarët padyshim po i përgatisin. Nëse Bashkimi Evropian, i cili është sponsor i Marrëveshjes së Brukselit, nuk thirr takim në Bruksel dhe nuk e ndalon çdo lloj dhune kundër serbëve në Kosovë, atëherë me të drejtë mund të themi se sulmi i Kurtit nuk erdhi nga koka e tij e helmuar me urrejtje”, ka thënë Vulin.

Autoritete të NATO-s dhe BE-së, si Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, përfaqësuesi për Politikë të Jashtme, Josip Borell, dhe të tjerë, kanë theksuar se nga përshkallëzimi i luftës në Ukrainë, Ballkani Perëndimor është i rrezikuar bashkë me Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

Po ashtu Rusia ka pasur shumë aktivitete në Ballkan, dhe ka instaluar luftën hibride. Vetëm në Shqipëri është vërtetuar se veprojnë 68 kompani ruse, madje me thuajse të gjitha aksionet në pronësi të tyre. Po ashtu ato besohet se kanë kapur ‘peng’ shumë politikanë, media, gazetarë etj.

Këtë shqetësim e ka shprehur edhe intelektuali gjerman Martin Henze. Sipas tij ekziston rreziku për një luftë në Ballkan, serbo-shqiptare. Po ashtu ai beson se hyrja e Kosovës në NATO, parandalon veprimet kanceroze ruso-serbe në Ballkan.

“Lufta në Ballkan, serbët dhe shqiptarët: Rama, Veliaj, Basha, Tabaku dhe Co nuk janë për t'u besuar, po e tradhtoni Kosovën? Një prani e përhershme e NATO-s në Kosovë dhe përshpejtimi i aplikimit të vendit për anëtarësim në Aleancë janë hapa të rëndësishëm për parandalimin e veprimeve malinje ruse/serbe në Ballkan. Pyetja është, çfarë të bëjmë me miqtë e serbëve: Rama, Veliaj, Basha e Co., nuk janë për t'ju besuar”, ka shkruar Henze sot, pasi Kroacia e propozoi hyrjen e Kosovës në NATO.

Djemtë mbetën të veshur

Lufta mbaroi, kaluan më shumë se 20 vjet, dhe nuk e kisha rrëfyer këtë moment, për të treguar se edhe strukturat e LDK-së, sado me detyrime lokale, të një gryke jo të vogël fshatrash, në njërin nga dy sa i ka komuna e Kamenicës, merrnin këshilla – instruksione pjesëtarët e UÇK-së nga vëllai im, edhe në shtëpinë tonë. Natyrisht, që fryma antiLDK dhe antiRugovë, në organizim e kishte bërë të veten. Por, përveç luftërave të zhvilluara nga Zhegoci në drejtim të Marecit, në zonat tjera të Kamenicës thuajse nuk pati.

Djemtë mbetën të veshur deri në fund, por e deshi fati, që të mos përjetonim masakra, veçse një ofensive, që rezultoi me disa viktima, pas rreth 50 ditësh bombardimesh nga NATO-ja, kur u gjetëm të rrethuar nga forcat serbe ushtarake dhe policore, në tri unaza. Çdo shkrehje armësh mund të ishte fatale. Në shumë fshatra, i kishin nxjerrë të gjithë nga shtëpitë, duke dashur t’i dëbonin jashtë Kosovës, si Koretin, Topanicë, Hodonoc (vendlindja ime) etj., masakrat do ta kishin zbrazur në tërësi atë zonë.

Edhe ne mund të ishim në tregimin tragjik, si një nga mbi 400 masakrat e kryera ndaj shqiptarëve, prej shtetit serb!

 
Image
Shqiptarët që kishin mbetur në Kosovë i pritnin me gëzim, hare, dashuri ushtarët e KFOR-it
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat