​Kurti në Krushë të Madhe: Kërkimi i drejtësisë për masakrat është bërë shkel e shko

Aktuale

​Kurti në Krushë të Madhe: Kërkimi i drejtësisë për masakrat është bërë shkel e shko

Më: 26 mars 2022 Në ora: 14:46
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, premtoi angazhim konkret për të kërkuar drejtësi për masakrat serbe që ndodhën në Kosovë. Në shënimin e përvjetorit ë 23-të të masakrës në Krushë të Madhe ku u vranë mizorisht mbi 240 veta tha se duke vënë në vend drejtësinë për viktimat dhe masakrat që janë kryer mbi njerëzit tanë, ne i bëjmë nder edhe shoqërive demokratike.

Para të pranishmëve që ishin mbledhur për këtë ditë, Kurti tha se masakra e kryer në Krushë të Madhe me gjithë forcën për ta përballuar, nuk e ka zhdukur dhimbjen. Ai shtoi se historitë në Krushë janë të jashtëzakonshme e do të tregohen ndër breza. 

Kurti: Duke vënë drejtësi nderojmë edhe shoqëritë demokratike 

Drejtësia jonë nuk ka nevojë të jetë as abstrakte as e importuar, por këta 241 veta kërkojnë drejtësi pikësëpari që nis nga vetë angazhimi ynë. Askush nuk ka pse të vijë e të na mësojë krimet e luftës e të gjenocidit, viktimat foshnje, viktimat gra, dëshmorët dhe të burgosurit, inteligjencën e përdhosur. Përkundrazi, ne duhet t’u mësojmë atyre që përpiqen të harrojnë fatin e mijërave njerëzve në Kosovë. Për dhimbjen tonë, por edhe për të mirën e vetë atyre. Gjithkush duhet të mësojë nga sakrifica e tjetrit. Duke vënë në vend drejtësinë për viktimat dhe masakrat që janë kryer mbi njerëzit tanë, ne i bëjmë nder edhe shoqërive demokratike”, u shpreh Kurti.

Më tej, kryeministri u shpreh se për të kërkuar drejtësi kërkohet energji vullnet ndërsa shtoi se kërkimi i drejtësisë përgjithësisht është bërë shkel e shko.

Kurti: Kërkimi i drejtësisë është bërë shkel e shko

“Krimi i luftës në Krushë të Madhe, krimi kundër njerëzimit në Krushë të Madhe, është krim makabër për të cilin nuk është ndëshkuar askush. Edhe këtë e kemi kuptuar pas dy dekadave të humbjes së kohës. Duhet të punojmë që mizorinë ta japim me një dije të plotë dhe një dinjitet të lartë. Kjo punë kërkon energji dhe vullnet, andaj dhe kemi mbetur mbrapa, e duhet ta pranojmë se kërkimi i drejtësisë përgjithësisht është bërë shkel e shko. Na e kërkon këtë rivendosje të drejtësisë çdo familje e Krushës, çdo familje e Kosovës, por mbi të gjitha vërtetësia dhe qëndrueshmëria jonë si shtet e si popull”, vijoi Kurti. 

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se sakrificat e njerëzve që kanë paguar me jetë për liri janë përgjegjësi institucionale dhe vlerë historike. Ndërsa për vrasjet e fëmijëve, tha që përbëjnë shkelje të Konventave Ndërkombëtare që ishin pranuar edhe nga serbët.

Latifi: Vrasja e fëmijëve dhe trajtimi i tyre çnjerëzorë përbën shkelje të konventave ndërkombëtare

“Të flasim dhe të shkruajmë për luftën tonë, për sakrificat e njerëzve tanë dhe për çmimin e lartë që kemi paguar për liri është përgjegjësi sa institucionale, morale e atdhetare, aq është edhe me vlerë historike. Dihet botërisht që popujt civilizuar i vlerësojnë figurat e veta ngase ata janë shembull për brezat që vijnë... Vrasja e fëmijëve dhe trajtimi i tyre çnjerëzorë përbën shkelje të Konventave Ndërkombëtare që ishin pranuar si të tilla edhe nga vet shteti serb. Kjo dëshmohet me vrasjen e fëmijëve kudo në rrethinën e Rahovecit, aty ku u kryen masakrat e tmerrshme e kudo gjithandej në Republikën e Kosovës. Por edhe të rinj e të reja të Krushës së Madhe në rrethinë”, tha Latifi.

Ndërsa, kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, mes emocioneve tha se ende ejtojnë me ankthin se a do të gjenden edhe 64 personat e tjerë të ciëlt janë të zhdukur. 

Ai shtoi se mund të kalojnë shumë vite por se zëri i tyre nuk do të shterojë deri sa të marrin dënimin e merituar të gjithë autorët e maskrës në Krushë të Madhe.

Hoti: Në Krushë akoma krimi është i gjallë, ai vërehet në çdo cep

“Mund të kalojnë shumë vite, zërat tonë nuk do të shterojnë kurrë, për të kërkuar drejtësi. Edhe sot në emër të nënave që kanë humbur fëmijë, në emër të grave që kanë humbur burrat, në emër të mësuesve që kanë humbur nxënës, e në emër të nxënësve që kanë humbur mësues i bëjmë thirrje shtetit tonë si asnjë herë më parë të kërkojë drejtësi të plotë e jo të njëanshme sikur ato nga Gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it, ku prokurorët e tribunalët ndërkombëtare më shumë u morën me viktimën, se sa të merreshin me kriminelët”, tha Hoti.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të rënda që kreu okupatori serb gjatë luftës së fundit mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat