Avokati: Vizita e Haxhiut në Hagë të shihet si përkrahje e institucioneve të vendit për ish-krerët e UÇK-së

Aktuale

Avokati: Vizita e Haxhiut në Hagë të shihet si përkrahje e institucioneve të vendit për ish-krerët e UÇK-së

Më: 30 mars 2022 Në ora: 19:17
Skender Musa

Avokati Skender Musa konsideron se vizita e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, te te paraburgosurit në Hagë nuk është ndërhyje në drejtësi.

“Albulena Haxhiu si ministre e Drejtësisë ka të drejtë që të shkojë për secilin të paraburgosur, edhe në burgjet e Kosovës, që t’i vizitojë dhe të interesohet për kushtet rreth çështjes së paraburgimit, ndërkaq sa i përket gjërave të tjera në mënyrë absolute nuk ka mundësi dhe nuk bën të përzihet, sepse Gjykata Speciale konsiderohet si gjykatë e Kosovës dhe mund të interpretohet si ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”.

“Nuk e konsideroj si ndërhyrje, sepse ministrja Haxhiu e sqaroi që është vizitë zyrtare te të paraburgosurit derisa nuk tha se do të takohet me trup gjykues apo ndonjë gjyqtar çka do të konsiderohej si ndërhyrje në procesin e sistemit të drejtësisë”.

Musa, në “Info Magazine” , ka thënë se Haxhiu mund t’i japë vetëm ndihmë morale ish-liderëve të UÇK-së që janë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë dhe jo ndihmë juridike apo përkrahje institucionale të çfarëdo natyre tjetër.

Madje, ai e konsideron vizitën e Haxhiut në Hagë si jo fort të zakontë.

“Është vizitë e padëgjuar më herët, sepse në gjykatat ndërkombëtare ndodh, siç ka qenë Gjykata për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, që institucionet shtetërore shkojnë, por duke pasë parasysh që Gjykata Speciale në bazë të ligjit dhe ndryshimeve kushtetuese konsiderohet e Kosovës është e pazakontë, sepse s’kemi pasë ministre të Drejtësisë që ka shkuar t’i vizitojë të paraburgosurit në Kosovë”.

Musa ka thënë se kjo vizitë nuk mund të jetë monitoruese, por mund ta ketë vetëm qëllimin për t’u interesuar për kushtet që ish-krerët e UÇK-së i kanë në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

“Mund të diskutohet edhe çështja që është ngritur nga mjetet e informimit e që është çështja e pagesave të mbrojtjes të të akuzuarve që janë çështje teknike, por çështjet procedurale nuk mund të diskutohen, sepse është e rregulluar me ligj që pushteti ekzekutiv nuk mund të përzihet në ato çështje”.

Avokati ka thënë se kjo vizitë e Haxhiut te ish-udhëheqësit e UÇK-së, që janë të akuzuar nga Gjykata Speciale, duhet parë si diçka pozitive.

“Kjo vizitë nuk iu ndihmon asgjë në aspektin procedural mbrojtjes së të akuzuarve. Në aspektin moral vizita e një ministreje te disa individëve që kanë kontribuar për formimin e shtetit të Kosovës dhe kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë edhe në luftë si udhëheqës të UÇK-së është e mirë, për shkak se ata njerëz mund të konsiderojnë që pavarësisht ndërrimit të pushteteve e kanë përkrahjen e institucioneve të vendit të vet”.

“Duhet të shikohet nga aspekti pozitiv edhe prej mbrojtësve të të akuzuarve, të merret si rrethanë që institucionet e Kosovës interesohen për të paraburgosurit, sidomos te çështja e paraburgimit. Avokati mbrojtës çdo situatë duhet ta shfrytëzojë, sepse nëse gjykata vazhdimisht pretendon që Kosova s’ka kushte për të siguruar praninë e pandehurve në procedurë se institucionet janë të brishta kjo vizitë mund të shfrytëzohet edhe në atë aspekt”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat