Nagavci në Kongresin e 8-të të SBASHK-ut: Paga e mësimdhënësit në Kosovë është e përafërt me ata të rajonit

Aktuale

Nagavci në Kongresin e 8-të të SBASHK-ut: Paga e mësimdhënësit në Kosovë është e përafërt me ata të rajonit

Më: 2 prill 2022 Në ora: 10:50
Kongresi i 8-të i SBASHK-ut

Arbërie Nagavci, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka deklaruar se paga e mësimdhënësit në Kosovë është e përafërt me ata të rajonit, më e madhe se në Maqedoni të Veriut, e më e vogël se në Shqipëri.

Kështu ka bërë të ditur gjatë Kongresit të 8-të të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

“Megjithatë ju siguroj se si Ministri e Arsimit edhe në grupin punues që është duke punuar në Ligjin e Pagave, jemi duke i adresuar të gjitha padrejtësitë që ishin në Ligjin e kaluar duke u munduar që të zhduken pabarazitë që reflektojë ligji i kaluar ndërmjet mësuesve klasor dhe atyre të niveleve tjera por edhe të kategorive tjera”, tha ajo.

Ministra Arsimit gjithashtu ka thënë se mësimdhënësit tanë historikisht i kanë bërë ndryshimet dhe kanë bërë përpjekjet më serioze për të ndryshuar dhe zhvilluar shoqërinë.

“Ata kanë bërë që të fitohet çdo luftë, duke filluar nga lufta kundër analfabetizmit e deri te lufta për liri dhe ndryshe nga mësimdhënësit nga vendet e tjera, ata shqiptarë janë përballur me sfida të vazhdueshme shekullore dhe i kanë kaluar me sukses të gjitha këto sfida. Këtë e dëshmuan edhe në këto dy vitet duke luftuar pandeminë”, tha Nagavci.

E para e arsimit ndër të tjera ka thënë se duke e pasur parasysh ndikimin e mësuesit janë të vetëdijshëm se duke investuar në mësimdhënësit, ne investojmë edhe në fëmijët tanë njëkohësisht.

“Sepse janë mësimdhënësit janë më meritorët për suksesin e fëmijëve. Analizat dhe studimet e tregojnë se në shumë aspekte të zhvillimit gjithëpërfshirës në sistem, Kosova qëndron më mirë se disa vende të rajonit”, ka thënë ajo.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka filluar Kongresin e 8-të, ku priten të zgjidhen struktura të larta të kësaj sindikate.

Në këtë Kongres, delegatët do ta vlerësojnë situatën aktuale në arsim dhe do të marrin vendim përfundimtar për angazhimet e radhës, për protestë, por edhe për veprime tjera sindikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat