Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj para të pranishmëve në kampin Bondsteel

Aktuale

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj para të pranishmëve në kampin Bondsteel

Më: 4 prill 2022 Në ora: 17:45
Vasfije Krasniqi

Për nder të Muajit të Ndërgjegjësimit dhe Parandalimit të Sulmit Seksual, Vajsije Krasniqi-Goodman u ftua në kampin Bondsteel në Kosovë që të mbajë fjalim, për ta ndarë nga afër përvojën e saj të hidhur, të përjetuar gjatë luftës në Kosovë.

Si një aktiviste e të drejtave të njeriut dhe e mbijetuar e krimeve seksuale të luftës, ajo foli me ushtarët, marinsat dhe civilët e vendosur në bazën e NATO-s në Kosovë, duke kujtuar se si, në moshën 16-vjeçare, u rrëmbye dhe u dërgua në një fshat të vogël, ku u bë viktimë e dhunës seksuale. Pas sprovës së saj, ajo do të bëhej e para e mbijetuar e krimeve seksuale të luftës në Kosovë që fliste me autoritetet dhe ndante historinë e saj me botën.

“Isha një fëmijë 16 vjeç. Ai ishte i armatosur; ai kishte një thikë dhe një AK-47. Isha e tmerruar”, tregon Goodman. “Unë u paralajmërova nga polici që të mos flas për atë që ndodhi”.

Megjithatë, Krasniqi-Goodman nuk lejoi që frika e asaj, që mund të ndodhte, ta pengonte të angazhohej për t’i mbajtur përgjegjës ata për krimet e tyre.

“Isha vetëm 17 vjeç kur dëshmova për Kombet e Bashkuara”, tha ajo. “Në vitin 2010, m’u desh ta rihapja sërish çështjen. Intervista të panumërta, dëshmi të panumërta, pata dëshmitarë dhe gjithçka dhe fitova. Autorët u shpallën fajtorë për krimin e tyre”.

Aktualisht, vlerësohet se rreth 20,000 gra kanë qenë viktima të traumave seksuale gjatë luftës në Kosovë, shumica e të cilave nuk i kanë raportuar përvojat e tyre nga frika e hakmarrjes, përgjigjeve negative nga familjet e tyre ose stigmave të tjera. Ato që kanë dalë, zakonisht e fshehin identitetin e tyre.

“Unë jam një nga 20,000 të mbijetuarat”, tha Goodman. “Ne duhet të ngrihemi së bashku. Përdhunimi nuk ndodh vetëm në luftë… në konflikt. Kjo ndodh në paqe; ndodh në baza ushtarake. Njerëzit nuk flasin gjithmonë për të”.

Tani deputete e Parlamentit të Kosovës, Goodman ndan historinë e saj me botën me shpresën se përvoja e saj do t’i bindë edhe të tjerat që të dalin përpara.

Vëzhguar çdo prill, Muaji i Ndërgjegjësimit dhe Parandalimit të Sulmit Seksual është një fushatë vjetore për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për sulmet seksuale dhe për të edukuar komunitetet dhe individët se si ta parandalojnë dhunën seksuale.

Kujtojmë se Krasniqi-Goodman mbajti fjalim edhe para Kongresit Amerikan më 2019, ku me plot emocione kishte rrëfyer gjithë historinë e saj të përdhunimit, fjalim i cili i kishte prekur emocionalisht edhe të pranishmit aty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat