​Haxhiu: Me Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale do të dyfishohen ditët e pushimit vjetor për të burgosurit

Aktuale

​Haxhiu: Me Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale do të dyfishohen ditët e pushimit vjetor për të burgosurit

Më: 6 prill 2022 Në ora: 12:49
Albulena Haxhiu

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit kanë votuar Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, i cili sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të mundësojë dyfishimin e ditët e pushimit vjetor për të burgosurit nga 7 në 14 ditë, si dhe 7 ditë të tjera në rrethana të jashtëzakonshme.

Po ashtu, gjatë dhënies së arsyetimit për këtë ligj ministrja Haxhiu u shpreh se ky projektligj parasheh tani që të burgosurit për lirim të parakohshëm mund të përfitojnë 3, 6 apo 9 muaj para përfundimit të dënimit.

Haxhiu: Nga 7 ditë pushim vjetor për të burgosurit kemi paraparë të bëhen 14 ditë

Aktualisht të burgosurit kanë vetëm 7 ditë pushim, plus shtatë në rrethana të jashtëzakonshme ku përfshihen rastet e vdekjes dhe të tjera si këto. Ne kemi shtuar edhe 7 të tjera pra të rregullta gjithsej janë 14 ditë pushimi në vit për të burgosurit plus 7 të tjera në rrethana të jashtëzakonshme që i bie 21 ditë gjithsej në vit. Ndonëse në këtë drejtim ka kërkesa që të rriten ende, por ne kemi konsideruar edhe duke pasur parasysh praktikat e rajonit kemi konsideruar megjithatë e mbërrin qëllimin... Është paraparë edhe përshkallëzimi i mëhershëm i dënimit ashtu që të dënuarit në varësi të dënimit në kushte të caktuara të mund të përfitojë deri 3, 6 apo 9 muaj para përfundimit të dënimit. Me ligjin aktual të dënuarit kanë mundur të përfitojnë vetëm deri në 3 muaj nga lirimi i parakohshëm pavarësisht lartësisë së dënimit të tyre”, tha Haxhiu.

Me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale është paraparë edhe zgjerim të pezullimit të dënimit për rastet e sëmundjeve të pashërueshme. Ministrja Haxhiu thotë se me këtë Projektligj të burgosurit që kanë sëmundje të pashërueshme me vendim të gjyqtarit mund të vazhdojnë trajtimin në shtëpi apo në spital.

Haxhiu: Ligji parasheh zgjerim të pezullimit të dënimit për rastet e sëmundjeve të pashërueshme

“Po ashtu është paraparë edhe zgjerimi i pezullimit të dënimit edhe për rastet e sëmundjeve të pashërueshme që kanë diagnoza terminale. Këtë e kemi problem të përgjithshëm në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Në frymën e humanizmit të ekzekutimit të sanksioneve penale kjo masë do të mundësojë që të dënuarve që kanë diagnoza të tilla me vendim të gjykatës gjithnjë jo me vendim të ministrit, bazuar në një vendim të një ekipi mjekësor të mund të vazhdojnë në shtëpi apo spital deri në shërim eventual të tyre, dhe është e natyrshme që në rrethana të tilla ata të qëndrojnë edhe pranë familjarëve nëse konsiderohet se janë në ditët e fundit të jetës”, u shpreh ministrja Haxhiu.

Ministrja Haxhiu njoftoi po ashtu me këtë ligj është paraparë edhe krijimi i një trupe shqyrtues në përbërje prej 3 gjyqtarëve të Gjykatës Supreme që do të shqyrtoj kërkesat për lirim me kusht të të burgosurve.

Sipas saj nga të burgosurit si ministri kanë pranuar shumë ankesa se kërkesat e tyre për lirim me kusht po bëhen me standarde të dyfishta apo nuk trajtohen fare.

Haxhiu: Do të krijohet një trup shqyrtues i kërkesave për lirim me kusht në kuadër të Supremes

“Një prej çështjeve që ka marrë më së shumti kohë dhe diskutime është çështja e panelit për lirim me kusht. Siç jeni në dijeni, një prej problemeve që e konsiderojmë është funksionimi i panelit për lirim me kusht është në kuadër të KGJK-së dhe ka jashtëzakonisht shumë ankesa në raport me atë se a trajtohen siç duhet rastet e kërkesave për lirim me kusht nga i njëjti panel, ka dyshime të mëdha unë nuk kam fakte që mund të dal në një përfundim. Megjithatë është një breng e shprehur dhe shumë e madhe tek të burgosurit se po përdoren standarde të dyfishta dhe nuk trajtohen siç duhet kërkesat për lirim me kusht. Ne konsideruar se është e nevojshme që vendimet e këtij paneli të jenë objekt i ankimimit, sepse aktualisht vendimi i panelit nuk mund të ankimohet. Pra, do të krijohet një trup i ri shqyrtues prej tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës sepse konsiderojmë se ky është modaliteti më i mirë i adresimit ë ankesave të të dënuarve të këtyre rasteve”, u shpreh Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë kërkoi nga deputetët anëtarë që ta mbështesin edhe Ligjin për Shërbimin Korrektues dhe Ligjin për Shërbimin Sprovues, institucione këto të cilat për herë të parë po bëhen me ligje të veçanta, e të cilat morën më pas edhe miratimin e deputetëve anëtarë të Komisionit për Legjislacion.

Në këtë mbledhje të Komisionit për Legjislacion është dërguar për votim në seancë të Kuvendit projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisё sё Kosovës dhe Kёshillit tё Ministrave tё Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çёshtje civile dhe tregtare.

Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga LDK, Driton Selmanaj kërkoi informacione nga Kabineti i kryeparlamentarit se Ligjin për Byronë Shtetërore për Hetim dhe Konfiskim të Pasurisë të Pajustifikueshme se a është dërguar në Komision të Venecias, dhe të ofrohet edhe përmbajtja e letrës së dërguar.

Selmanaj: A është dërguar Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskim të Pasurisë në Komision të Venecias

“Kemi kërkuar nga Kuvendi që ligji për Byronë Shtetërore për Hetim dhe Konfiskim të Pasurisë ta dërgojmë në Komisionin e Venecias, por nuk kemi informata nëse është drejtuar Kuvendi apo jo, cila është përmbajtja e letrës e tyre sepse shpeshherë në bazë të pyetjes janë përgjigjen e Komisionit të Venecias. Mendoj se është mirë që t’i drejtohemi zyrës së kryetarit të Kuvendit dhe të kërkojmë informata nëse është proceduar kërkesa në Komision të Venecias dhe përmbajtja e kësaj kërkese”, u shpreh Selmanaj.

Me këtë kërkesë u pajtua edhe kryetari i Komisionit për Legjislacion. Ndërsa, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri shprehu shqetësimin se kjo qeveri po i bllokon disa ligje të cilat kanë shumë rëndësi për mirëqenien e qytetarëve siç është Ligji i Pagave.

Tahiri: Agjenda legjislative ambicioze, por janë parkuar ligje të rëndësishme për qytetarët

“Ne edhe vitin e kaluar dhe këtë vit na ka ardhur një agjendë legjislative relativisht ambicioze dhe në diskutimin që patëm në kryesi, po e shfrytëzoj rastin meqenëse je këtu ministre e Drejtësisë, por edhe pjesë e kabinetit, në vlerësim tim shumica e ligjeve që kanë përmbajtje të prekin kategoritë të ndryshme në shoqëri janë parkuar, nuk po trajtohen, si Ligji i Pagave, rasti i katër ligjeve të punëve të jashtme, rasti i disa ligjeve që vijnë nga ministrja e Ekonomisë, rasti i Ligjit për Financa Lokale që parasheh grantin e katërt që nëse nuk vjen në prill, atëherë ky ligj nuk do të ketë efekt zbatimi në vitin 2013”, tha Tahiri.

Haxhiu për këtë u përgjigj shkurt se ajo mund të përgjigjet vetëm për agjendën legjislative të ministrisë që ajo drejton, por u shpreh se bindur që për këto ligje e sidomos për atë të Pagave po punohet me intensitet.

Haxhiu: Besoj se po punohet për Ligjin e Pagave

“Si ministre e Drejtësisë unë jam përgjegjëse vetëm për agjendën legjislative të Ministrisë së Drejtësisë. Nëse keni shqetësime për ndonjë projektligj në raport me MD unë ju ftoj që ta bëni, sepse sikurse dhe ministrat tjerë nuk mund të ndërhyjnë në agjendën e MD-së as unë nuk mund të ndërhyjë në agjendat e ministrive të tjera, për çka unë jam shumë e bindur se janë duke punuar me intensitet të shtuar për adresimin e secilës për çështjeve që adresove sidomos për çështjen e ligjit të Pagave që konsideroj se është i nevojshëm dhe besoj që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës tashmë është duke punuar në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion u krijuan edhe grupet punuese për Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, dhe Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat