​Kuvendi miraton Projektligjin për zyrtarët publikë

Aktuale

​Kuvendi miraton Projektligjin për zyrtarët publikë

Më: 7 prill 2022 Në ora: 06:41 Përditësuar në ora: 15:52 më 07.04.2022
Kuvendi i Kosovës

​Kuvendi miraton Projektligjin për zyrtarët publikë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot në lexim të parë Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për zyrtarët publikë.

I njëjti ka qëllim ndryshimin e nenit 22 që i jep mundësinë personelit akademik të universiteteve publike të vijojnë me procedurat për marrjen e gradave akademike edhe pasi zgjidhen deputetë.

Paraprakisht deputetët miratuan shmangie të afateve të parapara nga rregullorja e Kuvendit për miratimin e këtij projektligji.

Ndryshe, projektligji është iniciuar nga shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila dhe është përkrahur edhe nga disa deputetë të partive opozitare.

​Dhuna në ndeshjen Gjilani-Ballkani diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës

Incidenti i dhunshëm në ndeshjen e xhiros së 27- të në Superligën e Kosovës ku tifozët e skuadrës vendëse sulmuan fizikisht portierin e Ballkanit Stivi Frashëri, i cili mori lëndime trupore dhe më pas u shtrua në spital për trajtim, ka ngjallur reagime edhe në Kuvend.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Sport Albena Reshitaj, e cila këtë ngjarje të dhunshme e ka cilësuar si mesazhin më të keq të mundshëm për futbollin e Kosovës.

Ajo ka thënë se organet përgjegjëse, duke përfshirë Federatën e Futbollit të Kosovës duhet të përkujdesen për sigurinë e të gjithë akterëve brenda një ngjarjeje sportive.

Reshitaj: Dhuna në ndeshjen Gjilani-Ballkani, mesazhi më i keq për futbollin kosovar

“Skenat që u panë të dielën në stadiumin e Gjilanit ku po luhej ndeshja kryesore kampionale mes Gjilanit dhe Ballkanit ishin mesazhi më i keq i mundshëm i reprezentimit si në nivel vendi ashtu edhe para opinionit ndërkombëtar ku Kosova është tash e gjashtë vjet anëtare e organizmave kryesorë të futbolli global, Federatës Botërore FIFA dhe asaj evropiane, UEFA-së... Organizimet e ndeshjeve sportive do të duhej të ishin obligim i padiskutueshëm i secilit klub, sikurse edhe i organizmave të tjerë të këtij sporti, përfshirë vetë federatën gjegjëse për të ofruar siguri për çdo akterë në fushë, duke përfshirë futbollistët, stafet e skuadrave, gjyqtarët, delegatët e ndeshjeve, gazetarët e deri te vetë tifozët”, tha Reshitaj.

Reshitaj ka bërë thirrje që autorët e këtij sulmi të dalin para drejtësisë dhe të dënohen me dënime maksimale.

Reshitaj: Sulmuesit të dënohen me dënime maksimale

“Të shqelmosh në fushë pas asnjë pengesë, është shqetësim i madh si për ne... Kërkoj nga organet kompetente duke filluar nga prokuroria e gjykata që me dënime maksimale të ndëshkojë sulmuesit të cilët vetëm sportin nuk e duan”, tha Reshitaj.

Ndryshe, Komisioni i Garave brenda FFK-së ka marrë vendim që kjo ndeshje t’i takojë Ballkani me rezultat zyrtar 3:0, por skuadra e Gjilanit ka paralajmëruar ankesë për këtë çështje.

​Murati përplaset me opozitën për punësimet në KEK dhe gjendjen në KOSTT

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët opozitarë lidhur me punësimet në KEK. Ai potencoi se punësimet në KEK, s’kanë të bëjnë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe vetëm po tentohet të vendosen etiketa ekzekutivit.

Murati tha se në Qeverinë Kurti ka konkurse për ndërmarrjet publike, për dallim prej ish-qeverive që të punësuarit në KEK, Telekom dhe Postë janë dorëzuar me lista, pa konkurse.

Murati: Në qeveritë e PDK, LDK, AAK janë punësuar njerëzit me lista

“Ka një dallim substancial, fillimisht kjo s’ka të bëjë fare me LVV-në, normalisht tash kur s’ka kund të kritikohet qeverisja tentohet të gjenden 3-4 veta që kanë postuar ndonjë foto me LVV-në nga disa që janë pranuar dhe me këtë t’i ngjitet etiketa që këtu ka pasur diçka qeveria apo LVV-ja. Vetëm për krahasim, a keni dëgjuar ndonjëherë që është shpallur ndonjë konkurs në KEK, Telekom, Postë, apo kudo tjetër. Unë s’kam dëgjuar kurrë, pasi mijëra të punësuar janë dorëzuar me lista, është dërguar dhe janë punësuar njerëzit. S’ka pasur konkurs, hiç, tash ka konkurs për herë të parë, është procesi ankimor dhe kushdo që ka ankesa jemi të interesuar që çdo kush me pas të drejtën dhe t’i mbrohet ajo. Por jo me këso manipulime që të fajësohet qeveria”, tha ai.

Atij i reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se Qeveria Kurti ka kthyer institucionet në ahengje dhe dasma.

Bajrami: Institucionet në vend i keni kthyer për ahengje dhe dasma

“Institucionet në vend i keni kthyer për ahengje, për dasma, për kushëri dhe për familjarë. Qysh s’po doket skandal kur anëtarët e komisionit përzgjedhës i kanë punësuar fëmijët e tyre”, tha ajo.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, pati një reagim interesant për fjalën e ministrit Murati.

Haliti: Mos na qitni petulla në ujë

“S’po thoni kush i ka bërë këto hajni, të thuash në shumës, është tepër e madhe. Fole për Postën dhe Telekomin, po mirë ju e keni pushtetin, a ka prokurori, gjykata. Rrugët për t’u rregulluar këto çështje dhe saktësuar të vërtetën është rruga e drejtësisë dhe organeve të ndjekjes. Mos na qitni petulla në ujë që thoshte Jakup Krasniqi këtu”, tha ai.

Duke i reaguar ministrit Murati, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se qeveria s’ka dhënë ndihma për qytetarë, por lëmoshë.

Tahiri: Qeveria Kurti s’ka dhënë ndihma, por lëmoshë

“S’ke dhënë ndihma, por keni dhënë lëmosh. Ti ministër e ke pasur lehtë ta vendosësh në buxhet Ligjin e pagave”, tha ai.

Ministri Murati foli edhe për gjendjen e rëndë të KOSTT-it. Ai tha se fajtor për këtë janë ish-qeveria e udhëhequr nga PDK dhe LDK.

Murati: Vendimi i PDK-LDK e ka sjell KOSTT-in në këtë gjendje

“ZRrE-ja asokohe me një bord që ishte përcaktuar nga PDK dhe LDK, kishte vendosur që barrën e veriut t’ia vendosë KOSTT-it. Pra kjo e ka sjellë gjendjen e KOSTT këtu ku është. Sa i përket KEK-ut, në vitin 2008 ka pasur një investim 210 milionë euro, por shtrohet pyetja a është marrë vlerë asokohe. Janë ngjyrosur disa pajisje dhe janë blerë si të ri, (dhe janë) montuar. Kanë qenë rastet edhe në Prokurori. Nëse doni me pa rezultatin e qeverive të juaja të kaluara, shikoni Telekomin, KEK-u ka shpëtuar se LVV-ja nuk iu la t’ia bëni KEK-ut atë që i keni bërë Telekomit”, tha ai.

Aliu i pëgjigjet Tahirit: Rruga Prishtinë – Podujevë përfundon brenda dy muajve

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i është përgjigjur pyetjes së deputetit të AAK-së, Besnik Tahiri, rreth kohës se kur do të përfundojnë punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë.

Aliu tha se punimet do të përfundojnë brenda 2 muajve, sapo të fillojë sezoni i ndërtimeve e që sipas tij, është muaji prill.

Ai tha se që nga 2018 kur është nënshkruar kontrata për këtë rrugë, janë kryer vetëm 30 për qind e punimeve.

“30 për qind të tjera janë kryer brenda tre muajsh dhe pjesa e mbetur kryhet në një periudhë shumë më të shpejtë, pra diku 1 deri në 2 muaj, sapo të fillojë sezoni e ndërtimeve e që është muaji prill”, është shprehur Aliu.

Ministri Latifi: Ligji për transplantimin e organeve brenda vitit sillet në kuvend

I pyetur nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, se kur Kosova do të bëhet me ligj për transplantim të organeve, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se ky ligj do të vijë në kuvend brenda këtij viti.

“Sa i përket transplantimit të indeve dhe organeve, unë jam i informuar se ky draft-ligj paska qenë qysh në vitin 2012”.

“Kjo nuk është paraparë vitin e kaluar që të vijë në kuvend, por ne e kemi shtuar këtë dhe do ta sjellim sa më shpejt që të jetë e mundur por gjithsesi këtë vit”, është shprehur Latifi.

Ai tha se kjo do të bëhet, për shkak se në Kosovë ka një numër të madh të pacientëve që kanë dështim të veshkave e indeve të tjera.

Tahiri e Murati përplasen në seancë: Me një të rame 80 mijë të vrame

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri i ka kërkuar llogari ministrit të Financave, Hekuran Murati lidhur me deklaratat për ndihmën që kjo qeveri u ka ofruar qytetarëve.

Tahiri tha se Kosova nuk ka nisur as me Qeverinë Kurti, e as me ministrin Hekuran Murati. 

“E dyta po flet për subvencionime dhe për atë që çdo gjë ka nisur me ju, me ty. Kosova nuk ka nis as me ty, as me juve, ka me vazhdu kanë me ardh të tjerë, por në kohën sa jeni në funksion a ka mundësi me i bë do vepra sepse e keni fuqinë parlamentare dhe buxhetin. Nuk jeni në pandemi”, tha ai. 

Më tutje, deputeti i AAK-së deklaroi se kjo qeveri nuk ka dhënë ndihma për qytetarët, por siç ka thënë ai lëmoshë.

Tahiri përmendi edhe mos miratimin e Ligjit për Pagat në sektorin publik. 

“Sa i përket ndihmave mos hi në detaje. Nuk ke dhënë ndihma. Ke dhënë lëmoshë. E ke pasur shumë lehtë ministër me vendos në buxhet Ligjin për Paga. Me një të ramë 80 mijë të vrame. Tek zyrtarët publik e ke shumë lehtë me u marr me pagën minimale. Para një jave e keni vendosur Albin Kurtin me sindikatat me fol për pagën minimale”, tha ai. 

Lidhur me çështjen e Ligjit të Pagave u kundërpërgjigj, ministri i Financave, Hekuran Murati. 

Ai tha se Ligji i Pagave ka ngecur për shkak të kundërshtimeve nga sindikatat. 

“Pagën minimale shumë shpejtë besoj edhe atë do ta rregullojmë. Ka pas kundërshtime nga sindikatat. Normalisht që i kanë arsyet e tyre jo të qëndrueshme, për shkak se asnjë anëtarë i atyre sindikatave nuk preket nga ky vendim e as nga paga minimale, mirëpo janë arsyet politike që sindikatat për të cilat sindikatat nuk do të duhej që të bënin politikë”, ka thënë Murati.

Murati: VV-ja e ka shpëtu KEK-un - ja çfarë thotë për punësimet

Ministri i Financave, Hekuran Murati i ka quajtur manipulime akuzat për punësimin e militantëve dhe familjarëve në Korporatën Energjetike të Kosovës. Në Kuvend, ai tha se “opozita kritikon për çështjet dhe problemet që vet i ka shkaktu”.

Murati tha se Lëvizja Vetëvendosje e ka shpëtuar KEK-un, dhe se më herët nuk kishte pasur kurrë konkurs aty dhe në ndërmarrjet tjera publike.

“Sa për KEK-un, që po përmendet, nëse doni me e pa tamam rezultatin e punës tuaj, qeverisjeve tuaja të kaluara, shikojeni Telekomin”, i tha Murati opozitës. “KEK-u ka shpëtu pikërisht sepse Lëvizja Vetëvendosje s’iu ka lënë me bë me KEK-un çka keni bë me Telekomin”, tha ai.

Konkursin e fundit në KEK, Murati tha se “po mundohen disi ta lidhin me Lëvizjen Vetëvendosje”.

“S’ka të bëjë fare”, tha ai, ndërsa iu drejtua qytetarëve.

“Po i pyes qytetarët tash, se ju e di që s’përgjigjeni drejt. A keni dëgju ndonjëherë në 20 vitet e kaluar që është shpallur konkurs në KEK, Telekom, Postë apo diku tjetër. Unë s’kam dëgju kurrë”, tha ai.

Më herët, Murati tha se “mijëra të punësuar janë punësuar me lista”.

“Është dërguar lista dhe janë punësuar njerëzit”, tha ministri, ndërsa kujtoi se ekziston procesi ankimor për konkursin në KEK.

Bajrami-Muratit: Institucionet i keni kthyer në vende për dasma

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka replikuar me ministrin e Financave të tanishëm, Hekuran Murati, rreth punësimeve siç i quajti ajo, familjare në KEK.
Ajo iu drejtua Muratit, duke i thënë se nuk ke nevojë që t’i bindësh ata, por duhet t’i bindë qytetarët e Kosovës.

“Ministër nuk ke nevojë që të na bindësh neve, bindi qytetarët e Kosovës, atyre që u ke thënë se kushërinjtë janë për dasma e nuk janë për t’i çuar në KEK e as në ministri”, është shprehur Bajrami.

Tutje, Bajrami tha se borxhe ka pasur gjithmonë, e po ashtu edhe shtesa për pensionistë, teksa kritikoi qeverinë se bujqit nuk janë duke e blerë naftën pa akcizë.

“Borxhe ka pasur gjithmonë, kemi gjetur edhe ne. Shtesa pensionistëve iu janë paguar edhe më herët. Bujqit nuk janë duke e blerë naftën pa akcizë. Unë s’e njoh asnjë fermer në Kosovë që e ka blerë  naftën pa akcizë”.

“Para një jave ke deklaruar se ke shpërndarë 230 milionë, por qytetarët thanë se nuk e kanë marrë asnjë cent”, ka thënë Bajrami.

Ajo gjithashtu kritikoi qeverinë se ndërmarrjet publike janë të mbytura në borxhe, ndërsa qytetarët, sipas saj, po e shohin se institucionet i keni kthyer në vende për ahengje, për dasma e kushërinj.

Kusari-Lila komenton luftën në Ukrainë: Pamjet nga Bucha janë të njëjta me Reçakun, Rezallën, Izbicën e Krushën

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, në seancën e sotme foli edhe për luftën në Ukrainë, e shkaktuar nga Rusia.

Në këtë rast, Kusari-Lila krahasoi Kosovën e Ukrainën, pasi sipas saj, ngjashmëri u pa edhe në brutalitetin rus dhe atij serb të 23 viteve me parë.

Më tej, e para e grupit parlamentar të VV-së, paralele tërhoqi edhe në krimet që Rusia i ka kryer në Bucha, Irpin e qytete të tjera, ku tha se nuk dallojnë fare nga pamjet e Reçakut, Krushës, Rezallës, Izbicës e masakrave të tjera.

“Serbia prapë e gjeti vetën në anën e gabuar. Në krah me Rusinë dhe kundër gjithë botës demokratike. Përvec se prej 23 shkurtit, kur Serbia u rreshtua krah Rusisë dhe gjenocidin që ajo po e zhvillon në Ukrainë, ajo tashmë po legjitimon krimet që po shfaqen përmes imazheve nga Bucha, Iripin e qytete tjera, e të cilat nuk dallojnë fare nga pamjet e Recakut, Krushës, Rezallës, Izbicës e shumë masakrave të tjera të Kosovës”.

“Kjo paralele ka të bëjë me shtetin që nuk pranoi t’i drejtohet Kosovës dhe qeverisë së saj me emrin e saj për t’iu mundësuar serbëve të Kosovës organizimin e qendrave të votimit në disa qendra të Kosovës”, është shprehur Kusari-Lila.

Ndërsa, sa i përket fshirjes së 6 mijë emrave shqiptarë nga lista e votuesve në Luginë, Kusari-Lila tha se ky akt është i barabartë me dëbimin nga shtëpitë e tyre apo spastrimi etnik, që sipas saj, ka ndodhur me dekada me radhë.

Besnik Tahiri-qeverisë: E keni marrë Kosovën me çelësa në dorë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar me përmbushjen e agjendës legjislative.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje e mori Kosovën ‘me çelësa në dorë’, derisa kërkoi nga qeveria që të lë fjalët dhe t’i kthehet punës.

“Mi prezantu 27 ligje për periudhën janar-mars dhe me i sjell vetëm 9 ligje është turpi i kësaj qeverie dhe tregues i mosefikasitetit nga ana e saj. Vetëvendosja e ka marrë Kosovën me çelësa në dorë. Me buxhet mbi 2 miliardë, me 117 njohje dhe me vendimin e GJND-së që vërteton se shpallja e Pavarësisë ka qenë e drejtë dhe legjitime, me ushtri e polici”.

“Populli kërkon prej tyre me i kry ato punë për të cilat kanë marrë besimin për t’i bërë. Ajo që po shohim deri më tan, konstatojmë se asnjë ligj që prek direkt qytetarin e Kosovës nuk është bërë. Ligji për Investime, Ligji për Paga, Ligji për Zyrtarët Publikë nuk janë askund”.

“E keni marrë Kosovën me çelësa në dorë, ndërkaq ktheheni prapa 20 vjet. Bëni ju cka kemi bërë ne për 20 vjet. Kryeni ju autostradat që janë nisur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat