Drejtori i SHSKUK-së e konfirmon prishjen e aparatit të koronografisë, që i lë pacientët të presin

Aktuale

Drejtori i SHSKUK-së e konfirmon prishjen e aparatit të koronografisë, që i lë pacientët të presin

Më: 7 prill 2022 Në ora: 18:44
Valbon Krasniqi

Drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka konfirmuar se njëra nga aparaturat për koronografi në ShSKUK është në defekt.

Ai  deklaroi se po mundohen që aparatura të funksionalizohet sa më shpejtë.

“Aktualisht njërën nga dy aparatet i kemi në defekt në prishje. Janë kontaktuar serviserët dhe brenda kontratës ekzistuese pritet që shumë shpejt të kthehet në funksion edhe aparati që është në defekt”, tha ai.

E për rastet urgjente, Krasniqi tha se punon aparati tjetër.

Në ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha sot se nuk ka informacione për prishjen e aparaturës për koronografi.

Kjo pasi u pyet nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

“Unë nuk kam pasur informata se aparati për koronografi nuk është në funksion. Me këtë do të merrem qysh sot”, tha ai gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat