SPAK deklarohet për aksionin në kufi: 17 policë në burg dhe 3 të pezulluar

Aktuale

SPAK deklarohet për aksionin në kufi: 17 policë në burg dhe 3 të pezulluar

Më: 8 prill 2022 Në ora: 12:59
Foto ilustrim

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë të ditur detaje nga operacioni i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës në pikën kufitare të Morinës.

Në njoftimin për mediat, SPAK deklaron se procedimin penal për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ka filluar mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

“Gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës. Veprimet e kundërligjshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”, deklaron SPAK.

Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundërligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Masat e sigurimit personal janë: ‶Arrest në burg‶ për 17 persona punonjës policie, ‶Arrest në shtëpi‶ për 14 shtetas dhe punonjës policie si dhe ‶Pezullim nga detyra‶ ndaj 3 punonjës policie.

SPAK thekson se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Departamentin e Policisë Kufitare, kanë ekzekutuar sot masat e sigurimit personal caktuar nga ana e gjykatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat