U tha se Kurti u kërkoi dorëheqje pasi votuan kundër Kodit të ri Civil? Ja çfarë thotë deputeti i LVV-së

Aktuale

U tha se Kurti u kërkoi dorëheqje pasi votuan kundër Kodit të ri Civil? Ja çfarë thotë deputeti i LVV-së

Më: 14 prill 2022 Në ora: 16:03
Eman Rrahmani

Mediat të enjten kanë raportuar se Kryeministri Albin Kurti u ka kërkuar dorëheqjen deputetëve të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje, që e stopuan në Kuvend miratimin e Kodit të ri Civil që parashihte bashkësitë civile të qifteve të seksit të njëjtë.

Por, një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, që ishte kundër këtij neni të projekt-kodit civil të hartuar nga Ministria e Drejtësisë që drejtohet nga bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, dhe votoi kundër miratimit të tij në seancën e 16 marsit, po i mohon këto raportime.

Eman Rrahmani  tha se raportimet jenë “ta pa vërteta”.

“Nuk kemi pas as diskutim, as kurgjo në lidhje me këtë çështje”, tha ai, të enjten.

Madje, sipas Rrahmanit as nuk kanë pasur diskutim me Kryeministrin Kurti në lidhje me këtë çështje, pas dështimit të votimit të Kodit të ri Civil në Kuvend.

“As nuk është kërku dorëheqje as nuk ka pas asnjë diskutim me grup parlamentar ose me deputetët të cilët kanë votu ose nuk e kanë votu kodin civil”, tha deputeti i LVV-së.

Me 16 mars 2022, Kuvendi i Kosovës nuk e ka kaluar në lexim të parë Projektkodin Civil. 29 vota ishin kundër miratimit të këtij kodi të ri Civil, 28 për dhe katër deputetë kanë abstenuar. Në sallë, në momentin e votimit ishin 77 deputetë nga 120 deputetë, pasi 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.

Kundër këtij projekt-ligji të miratuar paraprakisht në Qeveri të Kosovës kanë votuar edhe një grup i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë së shefit të ekzekutivit, Albin Kurti. Madje, kjo ishte hera e parë që 14 deputetë të LVV-së votuan ndryshe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar.

Mediat sot ka raportuar se Kryeministri Kurti, javën e kaluar, ka takuar veç e veç disa prej deputetëve të tij që i dolën kundër gjatë votimit të Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës. Sipas këtij raportimi, në takim, Kurti gojarisht u ka kërkuar dorëheqjen nga postet që mbajnë brenda Vetëvendosjes me arsyetimin se gjuha e përdorur gjatë diskutimeve në seancë ishte e papranueshme.

Madje, duke u thirrur në burime të afërta me kryeministrin Kurti, medumi raporton se se lideri i VV-së ishte i ashpër gjatë takimeve, duke u kërkuar në mënyrë direkte dorëheqje deputetëve të partisë se tij që nuk e votuan Kodin e ri Civil.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat