Qerkini për Kandiqin: E kemi humbur një mikeshë shumë të fortë për personat e pagjetur

Aktuale

Qerkini për Kandiqin: E kemi humbur një mikeshë shumë të fortë për personat e pagjetur

Më: 21 prill 2022 Në ora: 00:12
Bajram Qerkini

Sot, Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut ka mbajtur tryezë me temën “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pagjetur”.

E pranishme në këtë tryezë ishte aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq. Gjatë fjalimit të saj, kryetarët e shoqatave nuk deshën ta dëgjojnë, duke u larguar nga salla. Sipas tyre, prezenca e saj në këtë mbledhje ishte e panevojshme.

Për këtë gjest komentoi Bajram Qerkini, nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, i cili këtë e cilësoi si ‘një marri’.

“Ajo ka treguar informata që ne nuk i kemi ditur deri më sot. Ka punuar shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Qerkini.

“Unë nuk e di se nga erdhi kjo ide dhe çfarë patriotizmi është që në këtë kohë mos me u bashku dhe me u ndalë me dëgju se çka flet një doktoreshë e pranuar ndërkombëtarisht për luftën që bën për të drejtat humanitare”.

“Ata kanë dalë se nuk shohin larg dhe nuk janë të prekur drejtpërdrejt dhe janë më shumë njerëz që merren me politikë dhe thashetheme.”

“Ajo është munduar të thotë disa gjëra që ne nuk i kemi ditë dhe të cilat ajo i ka zbuluar. Është shumë mëkat i madh për mua të mos ndalem me e dëgju një njeri që ka zbuluar disa gjëra që janë sekrete, të cilat ajo ka dashtë të na tregojë si familjarë, mjerisht ne nuk e kemi dëgjuar”.

Qerkini tha se lëshimi i sallës u iniciua nga një njeri, i cili, sipas tij, ka qenë në kryesi të Natasha Kandiqit.

“Ai sot ka intervenuar me e lëshu sallën, thotë se jam kryetar i Këshillit Koordinues. Ai kryetar ka qenë që 4 vite, e ka uzurpuar politikisht këshillin”, tha Qerkini, duke mos ia përmendur emrin.

“Janë njerëz të cilët nuk e kanë askënd pas vete, nuk e kanë asnjë të regjistruar për të pagjetur, nuk kanë askënd të humbur”.

Tutje Qerkini tregoi se çfarë i tha Kandiq atij, pasi që u bojkotua fjalimi i saj.

“Ajo tha asgjë nuk më keni thënë mua, por iu keni thënë institucioneve tuaja, asgjë nuk më keni thënë mua, por e keni fyer shtetin e juaj, institucionet e juaja, ju nuk më keni bërë mua asgjë, keni kujdes, sepse duhet të flisni ashtu siç është situata, unë kam ardhur në aspektin human”, tregoi Qerkini.

“E kemi humbur një mikeshë shumë të fortë për personat e pagjetur dhe sidomos për të drejtat e njeriut”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat