Letonia në krah të Kosovës/ Kërcënimet e Rusisë, Osmani jep paralajmërimin për kujdes

Aktuale

Letonia në krah të Kosovës/ Kërcënimet e Rusisë, Osmani jep paralajmërimin për kujdes

Më: 22 prill 2022 Në ora: 06:54 Përditësuar në ora: 13:33 më 22.04.2022
Presidentja Vjosa Osmani

Osmani: Serbia bllokuese e dialogut, do të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje për targat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se kërcënimet nga Rusia dhe Serbia paraqesin rrezik për rajonin ballkanik. Osmani, në konferencën për medie me presidentin letonez, Egils Levits, kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Ndërkohë, theksoi se Kosova ka bërë maksimumin për të arritur marrëveshjen për targa me Serbinë, mirëpo pala serbe nuk ka pasur gatishmëri dhe po e bllokon progresin në dialog. Përkitazi me këtë, ajo paralajmëroi përpjekje të radhës për të pasur një ujdi për targat.

Osmani: Kemi dhënë maksimumin për marrëveshjen për targa

“Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje, ashtu siç ka kërkuar dhe BE-ja në përputhjeje me kriteret, parimet dhe standardet e BE-së, por ne nuk mundemi të marrim përgjegjësi për atë që po e shkakton pala tjetër, këtë rast pala serbe. Ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje, ajo çka mund t’ju siguroj është se Kosova do të jetë palë konstruktive dhe do të vazhdojë të jetë palë që respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane. Ndërkaq se si do të sillet Serbia varet nga ta, por sjellja e tyre e deritanishme vetëm e ka bllokuar progresin në dialog. Deri tash kjo çështje është diskutuar në nivel të kryenegociatorëve. Sa përket udhëheqësve të dialogut, këtë rast kryeministrit tonë, si në çdo takim deri tani, kryeministri i vendit ka potencuar dhe do të vazhdojë të potencojë se ky proces është i përqendruar në njohje reciproke”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se Rusia dhe siç tha, ajo sateliti i saj Serbia, paraqesin rrezik për rajonin ballkanik, por edhe më tej.

Osmani: Rusia dhe Serbia rrezik për rajonin

“Së bashku do të sfidojmë kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe aleati i saj Serbia, e të cilat paraqesin rrezik real për rajonet tona dhe përtej. Dy vendet tona ndajnë të kaluar të dhimbshme, por nëse qëndrojnë të bashkuar jam e bindur në suksesin tonë, në luftën kundër tiranisë dhe autokracisë”, shtoi Osmani.

Osmani kërkoi mbështetje edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Osmani: Aleancat perëndimore duhet t’i kenë dyert e hapura për Kosovën

Kam kërkuar mbështetjen e presidentit Levits në rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik dhe kam theksuar se këto aleanca duhet t’i kenë gjithmonë dyert e hapura për shtetet si Kosova duke treguar përkushtimin dhe plotësimin e kritereve për të qenë pjesë e saj”, deklaroi ajo.

Presidentja Osmani komentoi edhe raportimet e fundit për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj me dyshimet së është i përfshirë në një skandal financiar.

Osmani: Ne i besojmë ambasadorit tonë

“Sa i përket atyre që publikohen dua të potencoj atë siç e ka thënë edhe presidenti Biden, rreziku më i madh në raport me demokracitë tonë këto ditë, nuk janë vetëm tanket, por edhe dezinformatat. Kështu që si presidente pres që për çdo çështje që publikohen të konfirmohen dhe ato nuk konfirmohen, ne procedojmë ashtu siç i kemi marrë vendimet tona. Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuzat e tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë gjitha këto çështje në organet e drejtësisë”, përfundoi Osmani.

Osmani për rastin e ambasadorit Berishaj: Rreziku më i madh në raport me demokracinë nuk janë vetëm tanket por edhe dezinformatat

Presidentja Vjosa Osmani, në konferencën për media me homologun nga Letonia, Egils Levits, ka folur për rastin e ambasadorit të Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj i cili u përfol në një skandal financiar në Slloveni sipas një storje televizive të një televizioni slloven.

Presidentja Osmani ka thënë se është për keqardhje që konstatohet diçka për ambasadorin Berishaj pa u konstatuar nga organet e drejtësisë.

“Sa i përket pyetjes që në fakt nuk ishte pyetje por konstatim, është për keqardhje që ju konstatoni një gjë për një ambasador të Kosovës por që nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore. Sa i përket dekretimit natyrisht që e kam dekretuar edhe shtetësinë sepse janë kompetenca të presidentes pra kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin”, tha ajo para gazetarëve.

Presidentja Osmani tutje u shpreh se për demokracinë përveç tankeve janë të rrezikshme edhe dezinformatat duke e cituar presidentin amerikan Joe Biden.

Kurse sa i përket atyre që publikohen dua ta potencoj atë që e them vazhdimisht siç e ka thënë presidenti Biden rreziku më i madh në raport me demokracitë tona nuk janë vetëm tanket por edhe dezinformatat. Kështu që si presidente unë pres që për çdo çështje që publikohet të konfirmohen dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë dhe të gjithë presim organet e drejtësisë para se të konstatojmë diçka siç u konstatua”, tha ajo.

Eglis Levits: Do të japim mbështetjen tonë për liberalizmin e vizave për Kosovën

Presidenti i Letonisë, Eglis Levits është shprehur se bashkëpunimi midis Kosovës dhe Letonisë do të vazhdojë.

Ai është shprehur se si shtet, ata do të japim mbështetjen e tyre në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovë.

Po ashtu Presidenti i Letonisë, ka thënë se çështja e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm por nuk duhet të pengojë integrimin e Kosovës.

‘’Kosova  përket Evropës, Kosova dhe Letonia duhet të bashkëpunojnë që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare’’ ka thënë Eglis Levits.

Kosova dhe Letonia janë miq në distancë por janë miq të afërt në mes vete.

Pas Osmanit, Eglis Levits pritet të zhvillojë takim edhe Glauk Konjufcën dhe Albin Kurtin.

Osmani i kërkon presidentit të Letonisë mbështetje për anëtarësim në NATO e BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidentin e Letonisë, Eglis Levits, ka thënë se është biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dyja vende.

Ajo ka thënë se si dy vende mike, Kosova dhe Letonia do të vazhdojnë të kontribuojnë për të mbështetur paqen.

Gjatë një konference për media të premten me presidentin e Letonisë, Egils Levits, Osmani ka thënë se nëse shtetet evropiane qëndrojnë të bashkuara, do të kenë sukses në luftën kundër tiranisë.

Jam e bindur se me qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe me vendosmërinë tonë për ta forcuar demokracinë dhe lirinë, do t’i sfidojmë kërcënimet që nga vijnë nga Rusia. Nëse qëndrojmë të bashkuar jam e bindur në suksesin tonë në luftën kundër tiranisë dhe autokracisë”, ka thënë Osmani.

Ajo po ashtu ka thënë se Osmani i ka kërkuar homologut të saj Levits që Letonia ta mbështet Kosovën në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe BE.

Duke qenë se Letonia është një zë kyç në NATO dhe në BE kërkova mbështetjen e Levits në rrugëtimin tonë drejtë integrimit euro-atlantik dhe kam theksuar se këto aleanca duhet t’i kenë gjithnjë dyert e hapura për shtetet si Republika e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Osmani: Kërcënimet që vijnë nga Rusia janë të shumta dhe serioze

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Letonisë, ka thënë se ka shprehur dëshirën për të bashkëpunuar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe në fusha të tjera.

Vizita e tij po ndodhë kur kontinenti po ballafaqohet me një realitet të trashtë dhe Ukrainë po ballafaqohet me luftë nga Rusia. Kjo vizitë po ndodhë në një kohë vendimtare të sigurisë globale”, ka thënë ajo.

Kërcënimet që vijnë nga Rusia janë të shumta dhe serioze dhe janë urgjenca më reale me të cilat ballafaqohet jo vetëm Kosova por edhe vende të tjera. Do të vazhdojmë ta ngremë zërin tonë që Rusia dhe satelitet e saj vazhdojnë ti paraqesin”, ka shtuar Osmani.

Sipas saj duke qenë që shteti i Letonisë është vend kryq në NATO, ajo ka kërkuar nga ai që të ndihmojë që edhe Kosova të jetë pjesë e saj.

Dy vendet tona ndajnë të kaluar të dhimbshme por nëse qëndrojmë të bashkuar jam e bindur në suksesin tonë dhe si të tillë do të gëzojmë ardhme më të mirë brenda Bashkimit Evropian".

Në Kosovë nuk keni vetëm një aleat të besueshëm por keni në vend mik të vërtetë.

Konferencë e përbashkët e Osmanit dhe Levits

Ka nisur konferenca e përbashkët e presidentëve Osmani dhe Levits.

 

Osmani pret me ceremoni shtetërore homologun letonez

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me ceremoni të larta shtetërore ka pritur homologun letonez, Egils Levits.

Fillimisht të dy presidentët do të zhvillojnë një takim dhe më pas do të ketë konferencë të përbashkët për media.

Presidenti i Letonisë, Egils Levita në kuadër të kësaj vizite do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në orën 12:15, kurse në orën 12:50 do zhvilloj takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ceremonia e pritjes së presidentit letonez Eglis Levits

Ka nisur ceremonia e pritjes së presidentit letonez Eglis Levits.

Presidenti i Letonisë, Egils Levits viziton sot Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani - Sadriu pret sot për vizitë zyrtare Presidentin e Republikës së Letonisë, Egils Levits.

Fillimisht në Sheshin 'Ibrahim Rugova' Presidentja Osmani do ta presë Presidentin Levits me ceremonitë më të larta shtetërore.  

Pas ceremonisë së pritjes, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani - Sadriu zhvillon takim me Presidentin e Republikës së Letonisë, Egils Levits si dhe në fund të takimit Presidentja Osmani dhe Presidenti Levits mbajnë konferencë për media.

Përgjatë kësaj vizite Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

Me qëllim të qarkullimit të lirë të eskortës nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta zyrtare.

Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta, do të angazhohen zyrtar policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat