Byroja po i amniston komandantët e pasuruar paligjshëm dhe nga fondet “Vendlindja thërret” dhe 3%!?

Aktuale

Byroja po i amniston komandantët e pasuruar paligjshëm dhe nga fondet “Vendlindja thërret” dhe 3%!?

Nga: Idriz Morina Më: 24 prill 2022 Në ora: 13:15
Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Bujar Bukoshi dhe Xhavit Haliti. Foto ilustrim nga "Bota sot"

Qeveria e Kosovës e ka miratuar një Projektligj për themelimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas Projektligjit, mandati i Byrosë do të jetë vetëm hetimi i pasurisë së paligjshme të krijuar pas njohjes së Pavarësisë së Kosovës.

Kompromise të gabuara

Ky kompromis dhe ky vendim ka disa të këqija të rënda. E para gjë e papranueshme është se me këtë ligj, nuk njihet organizimit institucional në Kosovë para Pavarësisë, çka në aspektin moral të shoqërisë sonë nuk është i drejtë dhe as i ndershëm. As njohja e qeverisjes para vitit 2008, e filluar me zgjedhje të lira nacionale të vitit 2001, por edhe mohim i shtetëndërtimit – Shtetit paralel, 1991-1999.

Për mendimin tim, Ligji duhet të hetojë pasuritë e krijuara që nga Shpallja e Kosovës Republikë, dhe nën hetim duhet të jenë të gjithë zyrtarët e gjallë, që janë pasuruar në mënyrë të dyshimtë.

E dyta, duke i hetuar këta do t’ia pamundësonte atyre që kanë menaxhuar fondet e mëdha, 3% dhe “Vendlindja thërret” që ta fshehin abuzimin dhe pasurimin nga ato fonde.

Dhe çështja tjetër, duke mos njohur aktivitetet e zyrtarëve para vitit 2008, u jepet mundësia, qindra apo edhe mijëra zyrtarëve dhe atyre që kanë krijuar pasuri të mëdha apo edhe marramendëse para vitit 2008 apo mbi të cilin pasurim, e shumëfishuan pasurimin e mëpastajmë, që ta fshehin atë.

Një gjë procedurale, që të bën të shtrosh pyetjen themelore është, se si ligji do ta ndajë në kohë, ta zëmë, nëse një zyrtar thotë se para 17 shkurtit 2008, e ka krijuar pasurin p.sh. 300 mijë euro, dhe me të e fsheh, pasurimin gjatë vitit 2008 apo më pas, nëpërmjet tenderëve, sepse paratë nuk i ka përfituar në mënyrë legale, por pikërisht nëpërmjet shkeljes së ligjit. Dhe sipas mandatit të Byrosë, ai pasurimin paraprak, e paska ‘legal’, toka, shtëpi, banesa, në Kosovë dhe jashtë saj.

Po ndonjë komandant, i shumëpërfolur për pasurim, që është pasuruar nga biznese të paligjshme dhe ka përfituar miliona euro para vitit 2008, pse duhet të amnistohet?

Një kryeministër, ministër, deputet i pasuruar para vitit 2008, po në mënyrë të paligjshme, pse duhet të amnistohet?

Apo edhe çdo politikan dhe i pasuruar tjetër që duhet të hetohet pse duhet të amnistohet për ato që ka bërë para vitit 2008?

Si paska qenë i ndershëm para vitit 2008 e pas vitit 2008 është bërë i pandershëm apo e kundërta, vetëm një muaj apo një javë pasi e përfshin hetimi, përmbyset karakteri i tij apo fisnikërohet?!

Pyetja është se pse po bën qeveria kompromis me njerëz të korruptuar fuqishëm?

Sa është numri i atyre që po mbron, apo edhe nëse dikush në mesin e saj ka probleme të atilla?

Është e qartë se opozita e tanishme nuk po e duron dhe se ka ndërmend ta përkrahë këtë Projektligj edhe me kufizimet aktuale, pavarësisht që nuk mund ta pengojë miratimin e tij.

Amnistia për fondet?!

Vetëm nga fondi “Vendlindja thërret” besohet se janë keqpërdorur apo nuk dihet se si janë shpenzuar, ku kanë shkuar dhe si janë ndarë, më së paku 150 milionë deri në 300 milionë euro.

Image
Bujar Bukoshi e Isa Mustafa, ishin dy drejtuesit kryesor të 3%

Për Fondin e 3 %, po ashtu nuk janë hequr dyshimet, se pavarësisht se janë arsyetuar rreth 300 milionë euro, nuk besohet që ai fond mos të ketë pasur më shumë mjete.

Po ashtu fondi i shitjes së ‘Dardania bankës’ për 5 milionë euro, dhe që nuk është zbardhur si është shitur dhe ku kanë shkuar paratë.

Image
Ramush Haradinaj, dy herë ishte në Hagë

Po ashtu ka ekzistuar një fond për lirimin e Ramush Haradinajt nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, pse nuk duhet të hetohet apo të bëhet transparent ai fond, edhe pse ka pasur një tentativë hetimi, si pasojë e të cilit proces asokohe deklaronin njerëzit se ‘fluturonin’ paratë nëpër xhirollogari bankare, duke ju rënë para si nga qielli, dhe më pas porositeshin njerëzit, ti kthenin mbrapsht ato para, kesh.

Mbi atë model është krijuar një fond për lirimin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, që janë në Hagë.

Kjo do të thotë po ashtu të mos hetohen ata që u pasuruan nga privatizimet e paligjshme dhe të pandershme, mbi bazën e të cilave po ashtu e shumëfishuan pasurinë, dhe madje që çoi edhe në vdekje të njerëzve, hapje dhe mbyllje hetimesh të panumërta, dhe dështimesh të drejtësisë dhe të qeverisjes në vend.

Dikush këtu është pasuruar edhe duke kryer vrasje, kërcënime, shantazhe, kidnapime?

A po falen edhe këto së bashku njëkohësisht!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat