Ndërpritet intervistimi në prokurori i Arben Çitakut, shkak avokati Besnik Berisha

Aktuale

Ndërpritet intervistimi në prokurori i Arben Çitakut, shkak avokati Besnik Berisha

Më: 26 prill 2022 Në ora: 15:32
Besnik Berisha

Me urdhër të prokurorit për Krime të Rënda, Rasim Maloku, është ndërprerë intervistimi i Arben Çitakut, ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Ambientit, i cili po hetohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Intervistimi i Çitakut është ndërprerë pas ndërhyrjeve të avokatit të tij, Besnik Berisha, në pyetjet e prokurorit Maloku gjatë procesit të intervistimit, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Prokuroria, në një njoftim për media të martën, tha se avokati Berisha ka refuzuar që të mos përgjigjet në pyetjet e prokurorit drejtuar klientit të tij, pavarësisht “tërheqjes së vërejtjes së vazhdueshme nga ana e prokurorit”.

Gjatë seancës së dhënies së deklaratës nga i pandehuri në zyrën e Prokurorit të Shtetit për Krime të Rënda në Ferizaj, z.Rasim Maloku, është ndërprerë marrja në pyetje e të pandehurit, pasi që në vend të tij është përgjigjur mbrojtësi i të pandehurit, avokati Besnik Berisha”, tha Prokuroria e Ferizajt.

“Gjatë marrjes në pyetje, pavarësisht tërheqjes së vërejtjes së vazhdueshme nga ana e prokurorit të çështjes z.Maloku ndaj avokatit mbrojtës Besnik Berisha që të mos përgjigjet në pyetjet e parashtruara, edhe pse mund të konsultoheni me klientin tuaj, mirëpo, jo që të përgjigjeni në vendin e tij, i njëjti ka vazhduar njëjtë dhe prokurori në këtë fazë të procedurës ka ndërprerë marrjen në pyetje të të pandehurit dhe i ka njoftuar palët se do të njoftohen më kohë për seancën e ardhshme”, tha Prokuroria.

Po ashtu, Prokuroria ka njoftuar se procesi i intervistimit të Çitakut nuk është mbajtur më 14 shkurt.

“Po ashtu, vlen të theksohet se lidhur me këtë rast edhe seanca e dhënies së deklaratës që ishte caktuar të mbahej me datën 14 Shkurt 2022, ndaj të pandehurit Arben Çitaku, nuk është mbajtur, pasi që në Prokurori, nuk janë paraqitur mbrojtësit e të pandehurit avokati Halit Shaljani dhe avokati Besnik Berisha”, tha Prokuroria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat