Putini krahasoi Kosovën me Krimenë dhe Donbasin/ Reka: Analogji false e Putinit

Aktuale

Putini krahasoi Kosovën me Krimenë dhe Donbasin/ Reka: Analogji false e Putinit

Nga: A.SH Më: 27 prill 2022 Në ora: 11:25
Foto nga takimi

Ish-ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka thënë se analogjinë e mëhershme false të “Krimesë me Kosovën”, të martën presidenti rus, Vladimir Putin e “begatoi” edhe me atë të Donbasit.

Sipas tij, ai u mundua ta shes krahasimin e paqëndrueshëm të dy rasteve krejtësisht të ndryshme.

“Kosova, pra luftoi për çlirim kundër shtetit të huaj (Serbisë), duke e mbrojtur territorin e vet nga ky pushtim. Krimea dhe Donbasi, ndërkaq u “pavarësuan” me pushtimin nga një shtet i huaj (Rusia) duke shkëputur territor të Ukrainës”, ka shkruar ai.

Shkrimi në Facebook:

Analogjitë false të Putinit

Analogjinë e mëhershme false të “Krimesë me Kosovën”, dje Putini e “begatoi”edhe me atë të Donbasit. Në takimin me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Guterres, ai u mundua ta shes krahasimin e paqëndrueshëm të dy rasteve krejtësisht të ndryshme.

Pavarësia e Kosovës lindi nga lufta çlirimtare kundër një shteti të huaj pushtues që ushtronte aparthejd dhe gjenocid kundër popullatës shqiptare. Ndërkaq, Kremlini njohi njëanshëm “pavarësinë“ e Krimesë, Donjeckut e Luganskut për t'i bashkuar Rusisë. Kosova, pra luftoi për çlirim kundër shtetit të huaj (Serbisë), duke e mbrojtur territorin e vet nga ky pushtim. Krimea dhe Donbasi, ndërkaq u “pavarësuan” me pushtimin nga një shtet i huaj (Rusia) duke shkëputur territor të Ukrainës.

Jo se këto nuk i din presidenti i njerit nga 5 shtetet-anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Aq më tepër që edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dallon qartë keto dy raste, duke vendosur ndryshe. Në vitin 2010, GJND-ja konkludoi se pavarësia e Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare. Po kjo gjykatë e OKB-së muajin e kaluar, e dënoi invazionin rus në Ukrainë, si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Më qartë se kaq shëndosh. Mirëpo, “analogjia” e Putinit synon mbajtjen e Serbisë në orbitën ruse para “hapjes së letrave” në “pokerin e madh” në East River.

Kuptohet, nëse ndërkohë, ai nuk gjykohet për krime lufte.

Foto: Reuters

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat