Frika nga marrëveshja përfundimtare me Serbinë / Shansi për ta përmbysur dominimin dhe narracionin serb!

Aktuale

Frika nga marrëveshja përfundimtare me Serbinë / Shansi për ta përmbysur dominimin dhe narracionin serb!

Nga: Idriz Morina Më: 27 prill 2022 Në ora: 11:31
Delegacioni amerikan i udhëhequr nga Dr. Karen Donfried, Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në takim me presidenten Vjosa Osmani

Duket se dialogu do të kthehet fuqishëm në tryezë.

Trysnia për Kosovën është rritur nga emisarët e SHBA-së, edhe pse nuk janë të qarta mesazhet që janë dhënë brenda takimeve në Presidencë dhe Qeveri, për shkak të konfidencës së lartë të informacioneve.

Nga ajo që është thënë nga zyrtarët e lartë amerikan është e qartë se Kosova duhet të ulet në tryezë me Serbinë, për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

Image
Delegacioni amerikan i udhëhequr nga Dr. Karen Donfried, Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në takim me kryeministrin Albin Kurti

Lufta e Ukrainës kundër Rusisë, dhe jehona saj

Në fakt, pavarësisht të krizës ruse, të shkaktuar nga lufta pushtuese në Ukrainë, përplasja e gjithë Perëndimit me Rusinë, dhe Serbia si e vetmja aleate e saj në Europë (duke mos e llogaritur Bjellorusinë, që është një shtet satelit i regjimit diktatorial të Putinit), nuk po ndëshkohet.

Pavarësisht zërave jo të pakët, që BE-ja ta përjashtojë Serbinë nga dialogu dhe procedurat e anëtarësimit, duket se ende është duke mbretëruar në qarqe të caktuara, se Kosova është një pengesë për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, edhe pse është e njohur nga të gjithë, se është vetëm një palë që po e refuzon arritjen e marrëveshjes, dhe ajo është pala serbe, që këmbëngul se nuk ekziston shteti i Kosovës, prandaj edhe nuk duhet të njihet sipas tyre.

Sigurisht që të gjitha këto, në linja të përgjithshme, i dinë zyrtarët dhe i ka të qarta SHBA-ja, përkatësisht Departamenti i Shtetit, por pse shqiptarët nuk po arrijnë t’i bindin, që çështjet t’i shohin nga pikëpamja reale, për publikun mbetet e pakuptueshme.

Një aspekt mund të jetë se trysnia u kthye në Kosovë, për shkak se e gjithë thuaja administrata Biden është e përqendruar në dy linja, dhënien fund të krizës ruse, duke e mundur Rusinë në Ukrainë, gjë që të cilën e ka shprehur qartësisht SHBA-ja, sërish këto ditë (se ushtria ukrainase është e gatshme ta mund Rusinë), dhe e dyta, që duke luftuar për zgjidhjen e krizës, nëpërmjet luftës, përkatësisht arritjes së një fitoreje solide, të evitohet përplasja bërthamore me të cilën, Rusia, përkatësisht Putini po e kërcënon botën.

Pra, derisa vëmendja e gjithë pushtetit, shoqërisë dhe mediave amerikane është e përqendruar në krizën e luftës në Ukrainë, ka diplomat ambicioz në Stejt Departament, që të liruar nga angazhimet e tjera të tepërta, dhe të tjerë të rënduar nga angazhimi në Ukrainë, dhe mungesa e rezultatit të qartë e përfundimtar, gjurmojnë apo duan të regjistrojnë një histori suksesi.

Dhe në pamundësi për ta bindur Serbinë, që duhet ta njohë Kosovën pa kushte, ata i kthehen vazhdimit dialogut afërsisht aty ku ka mbetur, për të synuar zgjidhjen përfundimtare, duke ushtruar trysni tek më i dobëti.

Një përshtypje të tillë e krijojnë edhe disa analistë në media.

Kjo strategji është e gabuar nga interesi shqiptar, por gjithashtu mund ta çojë në mossukses edhe vetë SHBA-në.

Image
Dr. Karen Donfried, Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me presidenten Vjosa Osmani në takim me media

Serbia shpreson në triumfin e Rusisë

Serbia ende nuk është e gatshme të bisedojë pa kushtëzime me Kosovën, sepse ende llogarit në një fitore potenciale të Rusisë në Ukrainë, llogarit pastaj në mbështetjen diplomatike të Kinës, edhe pse pa Rusinë nuk e ka aspak të sigurt atë.

Derisa Serbia ende shpreson në triumfin e Putinit, shqiptarët besojnë thellë në fitoren triumfaliste në Ukrainë të Perëndimit, kështu që zhvillimin e ngjarjeve, përkatësisht të arritjes së një marrëveshje e shohin të rëndësishme, vetëm pas dorëzimit të Rusisë, përkatësisht të triumfit të aleancës perëndimore, pjesë të së cilës e konsiderojnë veten shqiptarët.

Pra, ende jemi në një terren pasigurie, dhe se drejtuesit e shtetit të Kosovës, nuk duhet dhe nuk duan me gjasë të hedhin zarë, pra të hyjnë në bisedime për një marrëveshje përfundimtare me shtetin fqinjë, i cili e mohon ekzistencën tonë - kushtetuese dhe si ngjarje në gjeostrategjinë botërore, si një vend sovran, nga 2008-ta.

Duhet të kërkojmë ndihmë!

Kjo kërkon njohje të thellë të zhvillimeve, analizë të brendshme dhe shfrytëzim të resurseve njerëzore, që përgjithësisht janë deficitare apo të munguara në vend, dhe për të pasur një situatë më të qartë, institucionet duhet të kërkojnë ndihmën (kuptohet duke investuar) të instituteve të specializuara amerikane dhe të emrave të shquar, që e njohin shkëlqyeshëm këtë pjesë, dhe të marrin rekomandimet e tyre, se kur është koha më e duhur për bisedime me Serbinë për një marrëveshje përfundimtare, nëse është momenti aktual, siç po shprehen disa zyrtarë amerikan, apo nëse këtë ata po e thonë thjesht për retorikë, dhe se ata duan rezultate personale, dhe se nuk janë vërtetë në thelbin e interesit amerikan që marrëveshja të arrihet që tash.

Gjithmonë ka interes në politikën e jashtme, që çështjet që janë të hapura prej kohësh të përmbyllën sa më parë. Kjo është nevoja absolute apo imanente e vetë çështjeve, dhe se nga kjo logjikë mund të jenë nisur edhe disa zyrtarë të lartë amerikan.

Por, çfarë do të ndodhë nesër?

Sigurisht se edhe në këtë aspekt, zyrtarët e lartë amerikanë janë më të informuarit, dhe kanë para vetes pritjet më të sakta të mundshme për fundin e luftës në Ukrainë dhe për pozicionin që mund të marrin apo mbajnë tani serbët.

Rreziku kryesor në bisedimet e mëhershme vinte se ishte ndërtuar një shoqëri obediente ndaj pushtetit-shtetit, dhe se kjo dominancë ishte krijuar po nga vetë pushtetarët- shtetarët tanë, të cilët, pas Rugovës, ishin të varur në vazhdimësi nga zyrat e huaja perëndimore, nga autoriteti apo pushteti perëndimor!

Pra edhe perëndimorët e emancipuar, kërkojnë shpesh aso njerëzish në politikë, pasi ata janë më të përshtatshmit për t’iu nënshtruar zbatimit të kërkesave të tyre.

E kush tjetër do të mund të ishte më i përshtatshëm se sa politikanët që kishin dosje, të dyshuar për krim të organizuar, pasurim marramendës personal dhe familjarë, si Hashim Thaçi, ish kryeministër në dy mandate dhe më pas president etj.

Por, sot jemi në një realitet të premtuar se është i ndryshëm nga i kaluari, ku obedienca dhe nënshtrimi i politikanëve apo shantazhimi, i presidentes Vjosa Osmani dhe i kryeministrit Albin Kurti, nuk pritet të vie në shprehje.

Një fund të bisedimeve duhetë të arrihet rezultati, por duke mos hequr dorë nga asgjë nga pavarësia jonë, sovraniteti, integriteti dhe tërësia tokësore, koncepte të pohuara dhe të promovuara fuqishëm nga ambasadori amerikan në Kosovë z. Hovenier.

Image
Dr. Karen Donfried, Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me kryeministrin Albin Kurti

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat