Biznesmeni që e vendosi shqiponjën në Podujevë në mesin e të arrestuarve me 83 kg drogë

Aktuale

Biznesmeni që e vendosi shqiponjën në Podujevë në mesin e të arrestuarve me 83 kg drogë

Më: 5 maj 2022 Në ora: 17:29
Shqiponja në Podujevë

Muhamet Hasani, është biznesmeni llapjan që u arrestua në mesin e shtatë personave që u kapën me 83 kilogram drogë. Hasani siç merr vesh Gazeta ka në pronësi “Albba trans SH.P.K.” dhe “Eurotexdantel”, ndodhet në paraburgim që nga muaji shkurt. Ai dyshohet për “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve”.

Biznesmeni Muhamet Hasani, në Podujevë njihet për gjestin “patriotik” që kishte bërë në 20 vjetorin e çlirimit të kësaj komune – vendosjen e shqiponjës gjigande në hyrje të qytetit.

Por për një gjest aspak patriotik ai është duke u përballur me ligjin në Kosovë. Gazeta merr vesh se Muhamet Hasani, është arrestuar në shkurt të këtij viti, si pjesë e grupit prej shtatë personave që u kapën me 83 kilogram drogë.

Biznesmeni Hasani dyshohet për “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve”.

Sasia prej 83 kilogramëve e drogës së llojit heroinë, ishte kapur në pikën kufitare në Han të Elezit, pasi ishte gjetur në një kamion me targa të Turqisë.

Image
Biznesmeni Muhamet Hasani

Më pas policia kishin kontrolluar edhe pesë lokacione ku edhe kanë konfiskuar pasuri të madhe.

“Lidhur me operacionin nga të dyshuarit janë sekuestruar: kamioni në të cilin janë gjetur substancat narkotike, një kombibus, një veturë, dy armë zjarri me 5 fishekë, para të gatshme 11.630 euro, 55 dollarë, 670 dinar të Maqedonisë, 8250 lira turke, 12 telefona celularë, disa dokumente, ndërsa në proces të sekuestrimit janë edhe 12 vetura, një shtëpi dhe villa në Brezovicë”, thuhej në njoftim.

Biznesmeni Muhamet Hasani, ende ndodhet në paraburgim që nga muaji shkurt kur edhe është arrestuar. Këtë e ka konfirmuar avokati i tij, Behar Ejupi.

“I është vazhduar masa e paraburgimit. Është në paraburgim deri në fund të muajit maj. Prokurori ende nuk e ka marrë në pyetje”, tha Ejupi.

Biznesmeni Hasani, ka në pronësi kompaninë “Albba trans SH.P.K.”. Sipas regjistrimit të bizneseve (ARBK), kjo kompani merret me transportin rrugor të mallrave, transporti detar dhe bregdetar i mallrave, magazinimi dhe ruajtja, tregtia me shumicë e veshjeve dhe këpucëve dhe aktivitetet të tjera të transportit.

Në ARBK ky biznes është regjistruar në vitin 2019 dhe ka të regjistruar dy punëtorë, shkruan Gazeta Insajderi.

Aksionar në këtë kompani bashkë me Hasanin është edhe biznesmeni tjetër Shefket Demi. I njëjti po ashtu është arrestuar si pjesë e grupit që u kapën me 83 kilogramet e drogës.

Pronat afër 1 milionë euro të biznesmenit Hasani

Bizesmeni llapjan, Muhamet Hasani, përveç “Albba Trans”, ka në pronësi edhe biznesin Eurotexdantel. Në kuadër të këtij binzes zhvillohen aktivitetet lidhur me tekstil e materiale të tjera për veshje.  

Objekti gjigand i “Eurotexdantel” është hapur së fundmi në Gracanicë, në afërsi të rrugës magjistrale Ferizaj-Prishtinë.

Përvec bizneseve Hasani, posedon edhe prona, shtëpi e objekte në Podujevë e Gracanicë.

Gazeta Insajderi, merr vesh se në pronësi të Hasanit është një shtëpi dhe parcelë në Podujevë vlera e të cilave është 42 mijë dhe 8  mijë euro.

Derisa pasuria më e madhe e tij në prona është në Gracanicë.

Ai posedon një objekt për magazinim komercial në vlerën 307 mijë eurove, dyqani gjingand në vlerë prej 280 mijë euro dhe zyre në vlerë 132 mijë eurove.

Përvec tyre, në Gracanicë Hasani ka edhe një dyqan 26 mijë euro. Si dhe një parcel në vlerë 62 mijë euro dhe shtëpi familjare 27 mijë euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat