​Ramosaj: Dhjetëra kërkesa drejtuar ministrave të Kurtit, asnjëherë nuk më kanë pritur në takim

Aktuale

​Ramosaj: Dhjetëra kërkesa drejtuar ministrave të Kurtit, asnjëherë nuk më kanë pritur në takim

Më: 2 qershor 2022 Në ora: 22:50
Bashkim Ramosaj

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin ka komunikuar vetëm tri herë, dy herë me telefon dhe njëherë me formë të shkruar. Njëri prej këtyre tri komunikimeve ka ndodhur gjatë Qeverisë Kurti I.

Ramosaj, në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tregoi se për çfarë ka biseduar me Kurtin këto tri herë.

“Me kryeministrin e Kosovës kam pasur tri komunikime, dy herë me telefon dhe një herë me formë të shkruar. Komunikimi im i parë ka qenë në mandatin e tij të parë kur ka filluar pandemia. Komunikimi i dytë ka qenë kur ka ndodhur një rast i helmimit të ujit. Dhe komunikimi i tretë i cili ka ndodhur në rastin kur më thotë t’i drejtohem një ministri se më ka rezervuar një termin me të”, tha ai.

Ramosaj deklaroi se ka me dhjetëra kërkesa drejtuar ministrave të Kurtit për t’i takuar e që sipas tij, asnjëherë nuk e kanë pritur në takim.

“Janë më shumë se 7 ose 8 ministra që mundem t’i dëshmoj që kanë më shumë se 49 kërkesa për me më prit në takim për çështje ekzistenciale të Komunës së Deçanit”, tha Ramosaj.

Këto deklarata ai i ka dhënë gjatë debatit për moszbatimin e vendimit të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese përmes së cilit kërkohet që 24 hektarë tokë t’i kthehen Manastirit të Deçanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat