EULEX ofron mbështetje për institucionet e Kosovës në sundimin e ligjit

Aktuale

EULEX ofron mbështetje për institucionet e Kosovës në sundimin e ligjit

Më: 9 qershor 2022 Në ora: 16:44
Lars-Gunnar Wigemark

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ndau sot medalje për shërbim në Politikën e Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) për njësinë rezervë të policisë së specializuar të tij, e cila zbarkoi përkohësisht në Kosovë në muajin mars 2022.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se bashkëpunimi me Kosovën do të vazhdojë në forcimin e demokracisë, fuqizimit të rendit dhe ligjit.

Wigemark: EULEX-i i përkushtuar të mbështesë institucionet e Kosovës

“Sot populli ukrainas po paguan çmimin e agresionit dhe po vuan në vijën e parë të frontit, nesër mund të jetë secili prej nesh. Askush nuk është imun ndaj agresionit. Si një mision civil i CSDP-së, EULEX-i është i përkushtuar të mbështesë institucionet e Kosovës në sundimin e ligjit, duke përfshirë gjyqësorin, shërbimet korrektuese dhe policinë, për t'u bërë më efikase dhe më të përshtatshme. Ne jemi gjithashtu këtu për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur duke mbështetur kapacitetin mjekoligjor të Kosovës. Për më tepër, ne ofrojmë mbështetje teknike për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe ne ofrojmë një mbulesë shtesë të sigurisë civile, duke i siguruar partnerët tanë se BE-ja është e përkushtuar për një Kosovë të qëndrueshme dhe paqësore. Bashkëpunimi ynë afatgjatë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in në mekanizmin e trefishtë të sigurisë është ndoshta më i rëndësishëm tani”, tha ai.

Përkrahje për sundim të ligjit ofroi edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Szunyog: Investim serioz për të ndihmuar Kosovën

“Të gjitha institucionet e BE-së përfaqësohen nga më shumë se 500 persona në terren në Kosovë. Ne jemi të pranishëm edhe me shtetet tona anëtare, me 17 shtete anëtare të pranishme në Kosovë, dhe po mundohemi ta bëjmë punën tonë së bashku. Ky është një investim serioz në Kosovë, i cili tregon qartë përkushtimin tonë për të ndihmuar Kosovën dhe për ta parë Kosovën si pjesë të familjes evropiane”, tha ai.

Në ceremoninë e ndarjes së këtyre medaljeve ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai vlerësoi partneritetin me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës në fushën e sigurisë, derisa theksoi se janë të vendosur në ngritjen profesionale të Policisë së Kosovës, luftimit të krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Kurti: Mekanizmat evropianë të sigurisë duhet të jenë evropianë dhe të sigurt si kurrë më parë

“Po jetojmë një kontekst krejtësisht të ri, një luftë e tmerrshme po zhvillohet në kontinentin tonë. Mbrojtja dhe siguria, gjeopolitika, gjeosiguria, gjeoekonomike dhe gjeostrategjia kanë përjetuar një tërmet me pasoja të pakthyeshme. Në momentin kur kërcënohet liria dhe të drejtat fondamentale, siç shohim çdo ditë nga invazioni dhe agresioni i federatës ruse në Ukrainë është koha të përkujtojmë vlerat që bëjnë shtetet demokratike dhe janë garanci e paqes dhe respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut. Mekanizmat evropian të sigurisë duhet të jenë evropian dhe të sigurt si kurrë më parë. Kur krimi dhe korrupsioni kërcënojnë funksionimin efikas dhe transparent të institucioneve, sundimi i ligjit bëhet sfidë”, tha ai.

Njësia Speciale e EULEX ishte e përbërë prej 70 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë nga Portugalia dhe Franca. Ata zbarkuan në Kosovë duke ju përgjigjur nevojës së EULEX-it për të pasur forca shtesë në terren dhe në mënyrë që ky mision të jetë në gjendje t’i mbështesë më mirë homologët e tij kosovarë nëse kjo kërkohet dhe nëse është e domosdoshme, duke e marrë parasysh mjedisin e sigurisë në Kosovë dhe situatën e sigurisë në rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat