I torturonin, i rrihnin, gjymtonin ua digjnin kufomat / “Njeriu i ri” i Enver Hoxhës, ia thyente gjymtyrët kufomave të atdhetarëve

Aktuale

I torturonin, i rrihnin, gjymtonin ua digjnin kufomat / “Njeriu i ri” i Enver Hoxhës, ia thyente gjymtyrët kufomave të atdhetarëve

Nga: Idriz Morina Më: 9 qershor 2022 Në ora: 19:33
Demir Pojani

Shihni se si në Shqipëri, komunistët i vrisnin, torturonin dhe i dënonin me dënimet më të larta atdhetarët shqiptarë nacionalistë.

Shikoni se si edhe kufomat ia torturonin, shikoni se si i lënin pa bukë, pa ushqime.

Kështu pësonin edhe nacionalistët shqiptarë që iknin nga Kosova, atëherë nën Jugosllavin komuniste dhe sapo kalonin kufirin, i nënshtroheshin torturave dhe tmerreve?

Pyetja logjike është pse e bënin këtë? A ishin të urdhëruar nga regjimi komunist i diktatorit Tito, dhe Beogradi? A po i shin të bindur që Shqipërisë nuk i duhen nacionalistët shqiptarë, as të Kosovës!

Ata që iknin në Shqipëri kryesisht apo në mënyrë absolute ishin edhe adhurues të Enver Hoxhës, por kujt i interesonte kjo, ai nuk donte probleme me Jugosllavinë?

Pse ta rrezikonte pushtetin për ca të rinjë, adhurues të tij, a nuk kishte boll në Shqipëri, me qejf apo pa qejf?

Të parat persekutoheshin familjet atdhetare shqiptare

Është trishtuese dhe e paimagjinueshme se çfarë krimesh kanë bërë komunistët. Një nga dëshmitarët e mbijetuar të burgjeve të komunizmit, Demir Pojani, që vuajti 17 vjet në burgun e Burrelit nga viti 1973 deri më 1990, tregon disa sekuenca të pabesueshme, që të drithërojnë edhe sot.

Ai e përshkruan shumë saktë edhe në aspektin filozofik edhe kriminal se si ishte i ndërtuar regjimi komunist hoxhist.

Ai dëshmon se si regjimi komunist të parët i persekutonte familjet atdhetare shqiptare, me kontribute që nga Lidhja e Prizrenit dhe Shpallja e Pavarësisë!

Ata fillimisht shpalleshin “armiq të popullit”: “Njerëzit e cilësuar si “armiq të popullit”, kishin origjina të mrekullueshme: familjet e tyre kishin qenë me kontribute në Rilindjen Kombëtare; të parët e tyre me vuajtje të mëdha ia mbërritën qëllimit të ngrinin flamurin në Vlorë dhe siguruan pavarësinë e vendit. Ishin nipërit dhe stërnipërit e kësaj pjese më të mirë të shqiptarëve që u sfilitën në burgje”, rrëfen Pojani për Memorie.al.

Dy mijë vjet pas

Ai thotë se regjimi e kishte kthyer Shqipërinë dy mijë vjet pas, duke krijuar dy klasa të vetme, skllavopronarët dhe skllevërit!

Skllavopronarët ishin: “anëtarë të Frontit Demokratik”, ndërsa skellvërit: ishin ata që nuk ishin anëtar të Frontit Demokratik. Këtyre skllevërve iu mohoje, “e drejta që të mbronin atdheun, s’kishin të drejtë të valëvisnin flamurin, s’kishin të drejtë të nderonin të rënët në luftë, domethënë nuk kishte asnjë të drejtë”.

“Ishte thjesht si në kohën e Romës së lashtë: qytetarë të lirë dhe skllevër; ne na kishin çuar dy mijë vjet pas, na kishin çuar në shtresën e skllevërve, ndërsa për vete ata u bënë skllavopronarë të atyre që themeluan shtetin”.

Unë do të ndalem vetëm tek një pjesë dëshmie tjetër, se si kishte krijuar ‘njeriun e ri’, diktatura hoxhiste.

Ky njeri, që unë parapëlqej ta kundrojë sipas teorisë së Fromit, për Tjetërsimin, nuk ishte aspak një njeri i ri, që ndoshta metaforikisht e kishin përdorur fanatikët e ideve marksiste-leniniste.

Në fakt, ky njeri, është pa ndjenja, është njëlloj njeriu, që i është fshirë kujtesa për të shkuarën, por edhe e ka humbur lidhjen me realitetin. Ata, nuk e njohin vuajtjen e tjetrit, nuk e njohin as dhimbjen njerëzore, i janë fshirë emocionet për rilindësit, si krijimtarë të ideologjisë së ndërtimit të shtetit shqiptar. Ata nuk e kanë asnjë emocion për ata që e shpallën Pavarësinë, dhe njerëzit që mund t’i lidhnin me ato kujtime dhe histori.

Gjithçka kishte filluar me ata, me 1944/45. Por, për të ndërtuar edhe modelet e dhunës, të torturimit dhe të hetimit, i kishin marrë nga hetues serb të Jugosllavisë komuniste. Natyrisht, ata ua kishin lënë jo vetëm modelin më të dhunshëm, por edhe modelet e projekteve për tjetërsim, asgjësim të shpirtit shqiptar!

Image
Burgu i Burrelit

Aq shumë ishin tjetërsuar, sa që edhe kufomat e të vdekurve i gjymtonin.

“Vdiqën, i nxorën, i hodhën përjashta, te vendi, te qershiza. Ishte çudi e madhe se kur vdiste një i burgosur atje, ata sillnin arkivolë të vegjël dhe me kazmë ua thyenin këmbët, ua palosnin trupin në arkivol dhe e çonin atje ku e çonin”, dëshmon tronditshëm Pojani.

Egjiptianët e lashtë dhe të gjitha kulturat e hershme, nuk i dhunonin kufomat. Këtë lloj modeli e kemi përjetuar ne shqiptarët vetëm nga serbët, të cilët edhe kur nuk kishte luftë i dhunonin, i vrisnin duke i përvëluar si në masakrën e pakrahasueshme të Gjilanit me 1944/1945.

“Ia pamë këmbët të thyera, megjithëse ai ishte i shkurtër. Pyetëm se çfarë do të bëhej me kufomën e atij njeriu dhe na thanë: karroca e plehrave ka shkuar të marrë disa plehra në një vend. Sa të mbarojë punë me plehrat, do të vijë ta marrë”, dëshmon Pojani.

Për komunistët në Shqipëri, një i vdekur ishte një plehrë, madje edhe ashtu të gjymtuar kur i varrosnin, nuk ua linin asnjë gjurmë, shenjë, që të mund të zbulohej identiteti i tij.

Këto modele u bartën në Kosovë

Një pjesë e të majtës në Kosovë, që u përfshi në organizimin e luftës në Kosovë, duke e pasur idol Enver Hoxhën, si duket edhe nëpërmjet emisarëve të saj nga Shërbimi Inteligjent, i cili padyshim se ishte i komprometuar edhe nga Beogradi, ua transmetoi egërsinë sllavo-komuniste, se si të silleshin ndaj kundërshtarëve politik, mbështetësve të Ibrahim Rugovës.

Image
Foto ilustrim - Viktima të vrasjeve politike

Vrasjet ndoqën të njëjtin model, edhe ndaj kundërshtarëve të vetë të majtës.

Behadin Hallaqit, vetëm pse ishte kundërshtues i sjelljeve të udhëheqësve të së majtës në UÇK, e vrasin dhe ia zhdukin kufomën, bashkë me Shaban Shalën.

Dy anëtar të familjes Stolaj, vëllezër, nga komuna e Malishevës, i kanë vrarë gjatë luftës dhe ia kanë zhdukur kufomat. Një anëtar i familjes Përteshi, u rrah aq rëndë, sa ai vdiq, dhe trupi i tij u hodh në një kanal.

Dëshmitarin NN në Hagë, vetëm pse ishte mbështetës i Rugovës e kishin rrahur aq shumë, sa edhe e kishin tredhur.

Skender Kuqin e arrestuar e kishin rrahur aq shumë, sa që vdiq, pa ia dalur të merrte ndihmën e parë, ndërsa veshka e tij i shihej nga jashtë me sy, nga thellësia e plagës prej rrahjeve edhe me hunj.

“Më 16 korrik 1998 ose rreth kësaj date, Skënder Kuqi, i pavetëdijshëm dhe i plagosur rëndë si pasojë e rrahjeve të pësuara gjatë burgimit prej UÇK-së, u transferua në objektin mjekësor të UÇK-së në Irzniq për mjekim, ku vdiq. Veshka e tij shihej prej një plage të hapur si pasojë e rrahjeve. Ai u varros prej ushtarëve të UÇK-së në Jabllanicë. Më vonë kufoma e tij u zhvarros dhe iu dha familjes së tij në bazë të udhëzimeve të Ramush Haradinajt”, thuhet në aktakuzë në gjykatën speciale.

Pas luftës Haki Imerin, ish-kujdestarin e Hashim Thaçit në shkollë, e kishin vrarë pasi e kishin torturuar. Shaban Manajn e kishin vrarë dhe djegur kufomën e tij.

Vrasjet dhe dhunën ndaj kundërshtarëve politik nuk e ndalën për rreth një dekadë!

Mallkimi

I regjur nga vuajtjet e jetës, Pojani, është dëshmitarë që e sheh dhe e ndjen se Shqipëria është e përçarë, madje po nga soji i atyre njerëzve, që urdhëronin, bashkëvepronin, dhe i bënin gjymtimin e kufomave shqiptare, pavarësisht nëse ai njeri mund të ishte trashëgimtarë i një historie madhështore të Shqipërisë.

“Sot Shqipëria është më e përçarë se asnjëherë, ndërsa ne që kemi kurajën ta themi atë që duam, më shumë urrehemi: janë gati të na hanë mishin”, thotë Pojani.

Mallkimi i atyre viktimave si duket edhe sot po na ndjek. ‘Njeriu i ri”, Edi Rama, është vetëm një figurë ‘metonimike’ e Enver Hoxhës, me atë që ka bërë dhe po bënë në Shqipëri, tashmë nëntë vjet.

“Këta erdhën dhe për 45 vjet zhdukën atë që kishin bërë shekujt dhe krijuan njeriun e ri. Nëna ime, çfarë krijuan! Edhe sot vazhdojmë me njeriun e ri”, thotë revoltueshëm Pojani.

Njerëzit si Pojani, përkundër vuajtjeve, ata ende nuk donin që me tregimet e tyre ta lëndonin shëndetin mendor të shqiptarëve, as të mos e turpëronin shtetin para botës.

Por, nuk mund të pranonte, një rrëfim tjetër përveç se të vërtetit, dhe që ajo të shërbejë për çlirim nga krimet e të ardhmes.

“Shumë gjëra nuk i kemi treguar, por tashti që e shohim se ç’bëhet, unë do t’ju them se prej nga vijnë: vijnë prej atyre që hanin mish robi, edhe o do të të bënte spiun, o s’kishin derman. Di unë shokë të mitë, plus çfarë kam hequr vetë…! Unë i kam mundur ata, i munda me kocka, me grushtet gjak”, rrëfen trishtueshëm Pojani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat