​AMA dhe KPM në National Press Club

Aktuale

​AMA dhe KPM në National Press Club

Më: 10 qershor 2022 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

Delegacionet e Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë dhe Komisionit të Pavarur të Mediave të Kosovës gjatë qëndrimit të tyre në SHBA, zhvilluan një takim me Bill McCarren, Drejtor Ekzekutiv i National Press Club (Klubit Kombëtar të Shtypit) dhe Gilbert Klein President i Institutit të Gazetarisë, ish President i National Press Club.

Në takim morën pjesë për AMA-n, Kryetarja Armela Krasniqi, Sekretarja e Përgjithshme në detyrë, njëkohësisht Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë, Romelda Rrapollari ndërsa për KPM Kryetari Xhevat Latifi, zëvendësues i Kryeshefit Ekzekutiv, Faruk Rexhaj.

National Press Club është themeluar në vitin 1908 dhe shërben si një organizatë profesionale dhe sociale për gazetarët dhe profesionistët e komunikimit.

Bashkëbiseduesit diskutuan mbi sfidat me të cilat po përballet media sot në të gjithë botën dhe vështirësitë e gazetarëve profesionistë për të ushtruar profesionin e tyre në shërbim të publikut pa u ndikuar nga fenomene të ndryshme që po e cënojnë median.

Në takim u nda bindja se zhvillimet komplekse në sektorë të ndryshëm të jetës shoqërore kanë shtuar nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve dhe aktorëve relevantë në këtë fushë.

U ra dakord që me National Press Club të nisë eksplorimi i mundësive për shkëmbimin e eksperiencave përmes praktikave më të mira dhe mbështetjen e medias mbarë shqiptare me projekte për rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve.

Më herët, dy delegacionet zhvilluan një takim në DASH me Drejtorin e Zyrës për Europën Qendrore dhe Juglindore Martin McDowell dhe gjithashtu me Olga Madruga-Forti, Komisioni Federal i Komunikimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat