​Rritja e besueshmërisë së gazetarisë në Ballkan, temë e konferencës Paqja, Siguria e Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor

Aktuale

​Rritja e besueshmërisë së gazetarisë në Ballkan, temë e konferencës Paqja, Siguria e Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor

Më: 11 qershor 2022 Në ora: 16:40
Foto nga vendi i ngjarjes

Në konferencën e Lidershipit në Ballkan “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor” që po mbahet në Prishtinë, u diskutua edhe për rritjen e besueshmërisë së gazetarisë në Ballkan.

Përfaqësues të mediave në rajon dhe profesorë të gazetarisë përmenden sfidat aktuale të mediave, duke theksuar konkurrencën, presionin nga politika, zhvillimin e hovshëm të internetit dhe lajmet e rreme.

Profesori i gazetarisë, Lutfi Dervishi tha se aktualisht është pozitive fakti që ka shumë mjete të informimit.

Dervishi: Në Shqipëri kemi mjaft sasi, por jo edhe shumë cilësi të mediave

Në kohën e sotme kemi një problem, lajmi dhe lajmësi janë bërë një, koha që kemi sot është shumë më sfiduese sepse nuk jemi vetëm në treg. Nëse dikush do të më pyes si është gjendja e medias në Shqipëri, e një fjalë unë do të thosha mirë, ndërsa me dy fjalë do të thosha jo mirë. Pse është mirë, është mirë në kuptimin që ka shumë mjete informimi, asgjë nuk mbetët pa thënë, në kuptimin e sasisë nuk kemi pse të çahemi, është jo mirë sepse nuk kemi shumë cilësi, është mirë sepse të gjithë televizionet dhe agjencitë janë publike, është jo mirë sepse nuk është se i përkasin 100% publikut, është më shumë pushteti i radhës”, tha ai.

Emilios Perdikaris nga Agjencia ANA e Greqisë, tha se lufta në Ukrainë ngjall frikën për konflikt më të gjerë dhe pasiguri për të ardhmen.

Perdikaris: Paqja e stabiliteti të domosdoshme për të gjitha vendet e Ballkanit

Lufta na kujton edhe diçka tjetër, se paqja, stabiliteti dhe siguria janë kushte të domosdoshme për të gjitha vendet e Ballkanit. Ne e kemi përjetuar këtë në të kaluarën dhe sot e dimë se këto parime mund të sigurohen përmes perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Roli ynë si gazetarë është shumë i rëndësishëm. Bashkëpunimi ynë është për të mirën tonë. Ne kemi shumë arsye për të rritur bashkëpunimin tonë. Unë besoj fort se ne mund ta bëjmë këtë, duke synuar zbutjen e kontradiktave tona. Jetojmë në të njëjtën zonë, kemi një mënyrë jetese të përbashkët, përballemi me të njëjtat probleme. Prandaj, ne duhet të kemi një qëllim të përbashkët: të lëmë pas të kaluarën dhe të punojmë për një të ardhme më të mirë”, tha ai.

Duke folur për zhvillimin e internetit dhe rrjeteve sociale, Branka Gabriela Vojvodiq, drejtoreshë e përgjithshme e agjencisë kroate të lajmeve HINA, tha se digjitalizimi i shpejtë ka sjellë sfida për gazetarinë si profesion.

Vojvodiq: Mediat janë të detyruara të zhvillojnë modele të tjera biznesi për të ruajtur qëndrueshmërinë

Cili është roli i mediave sot, atëherë do të përmend vetëm dy fjali për rolin e agjencive dhe ai rol duhet të jetë i dyfishtë. Edhe ne jemi viktima të këtij procesi, por ne jemi edhe pjesë e problemit, andaj edhe media është e përfshirë në të gjitha të këqijat që po ndodhin, duke qenë se në platforma sot dominojnë reklamat digjitale. Mediat janë të detyruara të zhvillojnë modele të tjera biznesi për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe të jenë relevante. Në këtë proces ndiqet imperativi i shpejtësisë, është më i rëndësishëm sesa saktësia, vendimet editoriale bazohen më shumë në ekonominë e vëmendjes ndaj analitikës së internetit dhe jo në besueshmërinë dhe përmbajtjen e verifikuar. Ky proces i de-profesionalizmit të gazetarisë dhe pamundësisë së mediave që në mënyrë adekuate dhe të shpejtë të përgjigjen në ndryshime teknologjike, ka hapur nevojën e formimit të organizatave të veçanta për të verifikuar informacionin, dhe këtu e kam fjalën për programet softuerike dhe llojet e ndryshme të ‘Fake-checkers’”, tha ajo.

Ndërsa Erman Yuksel nga Agjencia Anadolu e Turqisë, tha se janë të përkushtuar të rrisin cilësinë dhe të luftojnë dezinformatat.

Yuksel: Jemi të përkushtuar të luftojmë lajmin e rremë

Ana e fortë është me të vërtetë vetëm lajmi i vërtetë, ne gjithë këtë e plasojmë në 13 gjuhë për të gjithë abonuesit tanë, dhe produktet e tona i kanë më shumë se 3 mijë foto dhe me mijëra burime të tjera mediatike që i bëjmë çdo ditë për abonuesit tanë të rregullt dhe për mbi 100 vende të ndryshme nëpër botë. Ne mezi presim të rrisim numri ne abonuesve tanë dhe të rrisim cilësinë dhe përmbajtjen jo vetëm në Ballkan por edhe përtej Ballkanit. Jemi të përkushtuar të jemi të saktë, pavarësisht informacionit që kemi dhe të luftojmë lajmin e rremë dhe keqinterpretimin dhe mendoj që ne si agjenci me siguri do të punojmë më shumë”, tha ai.

Halit Hajdini nga Agjencia e Lajmeve MIA e Maqedonisë së Veriut, foli për kushtet në të cilat punojnë gazetarët, por gjithashtu theksoi nevojën edhe për një sistem më të avancuar arsimor.

Hajdini: Nuk kemi gazetarë të profesionalizuar në sektorë të ndryshëm

Ne kemi një sistem arsimor jashtëzakonisht të dobët, dhe gazetarët të cilët e mbarojnë gazetarinë kanë probleme të jashtëzakonshëm me gjërat elementare të gazetarisë. Ne nuk kemi gazetarë të profesionalizuar për mjekësi, ne nuk kemi për ekonomi, ne kemi defekte të mëdha në shkolla dhe të cilat përcjellën të gazetaria. Barra e madhe që i jepet gazetarisë është me peshë më të madhe sesa mund ta përballojë ajo. Ne kemi institucione pro edhe agjenci të lajmeve, mediat në përgjithësi, siç e kemi shoqërinë. Fatkeqësisht për mendimin tim, shoqëria jonë në Ballkan është jo shumë mos të them dembele, por nuk e shoh se jemi në atë nivelin që kërkohet në të gjitha fushat, përfshirë gazetarinë”, tha ai.

Konferenca organizohet nga Federata Universale e Paqes (UPF), në partneritet me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, Washington Times Foundation, Shoqatën Ndërkombëtare të Mediave për Paqe (IMAP), dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Rinisë dhe Studentëve për Paqe (IAYSP).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat