Asociacioni i Komunave: MAPL ndërhyri në kompetencat e komunave për festivalin “Sunny Hill”

Aktuale

Asociacioni i Komunave: MAPL ndërhyri në kompetencat e komunave për festivalin “Sunny Hill”

Më: 15 qershor 2022 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka reaguar pas anulimit të festivalit “Sunny Hill”, i paraparë të mbahej në Prishtinë, pasi i njëjti u zhvendos në Tiranë.

AKK thotë se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ndërhyn në kompetencat dhe në autonominë lokale të komunave të cilat janë të përcaktuara me ligjet në fuqi.

Sipas AKK-së, në dokumentin e MAPL-së shihet dhe vërtetohet qartë ndërhyrja e ministrisë në kompetencë të komunës e që sipas saj, këto ndërhyrje janë pengesë serioze në mundësinë e zhvillimit ekonomik lokal por edhe pengesë në zhvillimin e demokracisë lokale.

“Neni 6 i Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës thotë se: ‘Afati i dhënies në shfrytëzim i pronës së paluajtshme të komunës vendoset nga komuna, e jo nga niveli qendror, ku komunat kanë të drejtë ta japin pronën e vet komunale në shfytëzim nga 1-15 vite, më shumë se 15 vite, pra deri në 99 vite dhe se komunat mund të japin në shfrytëzim pronën e paluajtshme për më pak se një (1) vit’. Kurse në shkresën e MAPL-së e nënshkruar nga Ministri z. Elbert Krasniqi drejtuar kryetarit të komunës së Prishtinës z. Përparim Rama kërkohet në mënyrë arbitrare që komuna t'a adresojë kërkesën për ndryshimin e afatit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për festivalin ‘Sunny Hill’”, thuhet në reagim.

AKK ka përfunduar reagimin me urimi se “kjo do të jetë hera e fundit që niveli qendror me dashje ndërhyn në kompetencat e komunave”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat