Pse mashtrojnë se Prishtina u çlirua natën që hyn forcat ruse / Kush e çliroi Prizrenin – Komandant “Drini” nuk iu bind urdhrave të Agim Çekut?!

Aktuale

Pse mashtrojnë se Prishtina u çlirua natën që hyn forcat ruse / Kush e çliroi Prizrenin – Komandant “Drini” nuk iu bind urdhrave të Agim Çekut?!

Nga: Idriz Morina Më: 19 qershor 2022 Në ora: 19:36
Komandant "Drini" e shpëtoi Prizrenin nga një masakër me lista e serbëve

Ende jemi në ditët festive të komunave për çlirimin nga forcat okupuese serbe. Shumë nga detajet nuk janë zbuluar, edhe pas 23 vitesh. Shumë qytete të Kosovës, kanë vendosur data të çlirimit, sipas ditës së defilimit të forcave të UÇK-së, por në shumë komuna të Kosovës, qytetarët e kanë festuar çlirimin me hyrjen e forcave të KFOR-it, si britanik në Prishtinë, amerikan në Gjilan e Ferizaj etj.

Në disa raste, ka përputhshmëri, të ditës së çlirimit dhe ditës së zbrazjes nga forcat serbe.

Kush e çliroi Prishtinën në fakt?

Me 11 qershor, rrugëve të Prishtinë defiluan forcat ruse, të nisura nga Bosnja, dhe vazhduan në drejtim të Aeroportit të Prishtinës. Ndërsa, udhëheqës të UÇK-së të Zonës së Llapit, vazhdojnë të thonë se ata e çliruan Prishtinën një ditë para fillimit të hyrjes së KFOR-it.

Në disa raste në media, hyrja e trupave ruse në Kosovë, dhe vendosja në Aeroportin e Prishtinës, është përmendur se ishte një moment kulminant, kur sipas disa ushtarakëve mund të shpërthente një luftë botërore, ndërmjet NATO-s dhe Rusisë.

Sipas rrëfimeve të ushtarakut britanik, që po i udhëhiqte forcat britanike në Kosovë aso kohe dhe rreth 30 mijë ushtarë të KFOR-it, Xhejms Blunt, i cili më vonë u bë një yll muzike, sikur, ai ta kishte dëgjuar urdhrin e NATO-s të dhënë nga vetë komandanti amerikan Vesli Klark, që të godiste dhe ‘shkatërronte’ forcat ruse, mund të kishte shpërthyer një luftë e re botërore. Por, ai thotë se e kishte refuzuar urdhrin, duke kërkuar, që një urdhër të tillë ta merrte nga ushtria britanike.

Sipas rrëfimit të tij, pas pak, ishte kontaktuar nga gjenerali britanik, Majk Xhekson, përgjegjës për misionin e KFOR-it, i cili i kishte kërkuar po ashtu të mos e zbatonte urdhrin amerikan.

“Ne kishim 200 rusë të rreshtuar duke na drejtuar armët e tyre në mënyrë agresive, që ishte… dhe ju e dini që na ishte thënë të arrinim në aeroport dhe ta kapnim atë”.

Kur James u pyet në një intervistë në vjeshtën e shkuar për BBC, nëse ndjekja e urdhrit do ta rrezikonte Luftën e Tretë Botërore, ai u përgjigj:

“Absolutisht. Dhe kjo është arsyeja pse ne po kërkonim udhëzimin nga ushtria jonë, e jo nga një gjeneral amerikan. Fatmirësisht në radio doli gjenerali Mike Jackson, fjalët e sakta të të cilit në atë kohë ishin: “Unë nuk do t’i bëj ushtarët e mi përgjegjës për fillimin e luftës së tretë botërore”, dhe na tha pse nuk duhet të heqim dorë nga rruga”, ka deklaruar Blunt.

Aleat të kujt?!

Një detaj i tillë është diskutuar fare pak, në media dhe fare pak i është kundërvënë atyre që pohojnë se e kanë çliruar Kosovën dhe Prishtinën.

Madje Rrustem Mustafa – Remi, dhe grupimi rreth tij ende vazhdojnë të pohojnë se Prishtina u çlirua me 11 qershor!

Nuk e dimë nëse e kanë menduar se çfarë duan të arrijnë apo të thonë. Por, është e sigurt se ata po vazhdojnë të thonë se kryeqytetin e çliroi UÇK-ja, dhe me këtë të ruajnë të drejtën se edhe Kosovën e çliruan ata.

Image
Rrustem Mustafa – Remi

 

Por, përveç se po ia mohojnë drejtpërdrejtë një meritë NATO-s, duke gënjyer, ata po ia bëjnë një shërbim Rusisë, që të duket sikur dikush nga forcat çlirimtare shqiptare po tregonte afinitet për hyrjen e forcave ruse.

Nëse Prishtina do të kishte qenë e çliruar dhe forcat ruse hyn, jo vetëm pa lejen e NATO-s, por edhe duke rrezikuar t’i asgjësonin, pyetja është se në anën e kujt ishin këto forca të UÇK-së, që sapo e kishin çliruar Prishtinën?

Nëse ishin në aleancë me NATO-n, ato duhej t’i godisnin forcat ruse, madje edhe pa lejen e NATO-s! Duhej t’ua mbyllnin rrugën, që të mos arrinin fare nga Merdarja në Prishtinë, meqë ata që e ‘çliruan Prishtinën” i takonin Zonës së Llapit. Derisa nuk ia bën asnjë pengesë rusëve, që do të ishte krejtësisht legjitime, atëherë si e çliruan Prishtinën, ndërsa forcat ruse po mundoheshin ta bënin pikërisht të kundërtën, ta ruanin sovranitetin e Serbisë në Kosovë, ta pengonin pavarësimin etj.

U deshën disa vite diplomaci nga SHBA-të dhe shtetet perëndimore, që ta bindnin Rusinë, t’i tërhiqte të gjitha forcat e saj nga Kosova.

Forcat ruse, që morën emrin më pas, forca paqeruajtëse të KFOR-it, u larguan nga Kosova pas më se katër vitesh, më 2 korrik të vitit 2003, në një ceremoni të mbajtur në KFOR, kur komandant ishte gjenerali italian, Fabio Mini, sipas raportimeve të asaj kohe.

Pra, ndërsa jo vetëm rrezikohej Kosova nga forcat ruse, po ai provokim mund të kishte çuar në luftën e tretë botërore, injorantë të luftës dhe të paqes, mburren se si e kanë çliruar Prishtinën, ndërsa të gjithëve që kemi jetuar në atë kohë, e kemi përjetuar si ankth, hyrjen e atyre forcave, dhe pritjen që ia bënin serbët në Prishtinë.

Dy forca, çlirimtare nuk mund të kishte me 11 qershor. Përveç se ishin forcat serbe, ushtarake, policore e paramilitare në Kosovë dhe, që po luanin me letrën e fundit, futjen e ushtarëve rusë, forcat serbe nuk e kishin nisur tërheqjen. Asnjë shqiptar nuk mund të kthehej rrugëve të zakonshme në Prishtinë.

Historia nuk mund të shkruhet nëpërmjet propagandës, dhe marrjes së meritave në mënyrë të dhunshme. (Për hir të vërtetës, mendoj se më shumë e kanë pasur për privilegje, dhe nga vetëlavdërimi, por shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën, dhe ta dallojnë nga propaganda brezat që po vijnë).

Po ashtu këto deklarime ishin në kundërshtim edhe me vetë kreun e komandës së UÇK-së, që udhëhiqej nga Agim Çeku.

Çlirimi i Prizrenit

Urdhri i Agim Çekut që në Prizren, forcat e UÇK-së të mos hynin, para largimit të forcave serbe, është një dëshmi tjetër e manipulimit të të dhënave pas luftës.

Image
Agim Çeku urdhëroi që në Prizren, forcat e UÇK-së të mos hynin

Për këtë, këto ditë, mbështetësit e komandant “Drinit”, Ekrem Rexhës, kanë sjellë në kujtesë disa fakte të pas luftës, për ditën e çlirimit të Prizrenit, dhe operacionit të UÇK-së, të udhëhequr nga “Drini”.

Sipas komandant ‘Drinit”, siç e sjellë në kujtesë faqja e Fb me emrin e tij, Forcat serbe donin ta kryenin një masakër të re.

“Kishin përpiluar listën e shfarosjes së mbi 300 personave. Kjo na shtyu që, pa pëlqimin e ShP-së, të ndërmerrnim masa ad-hoc. Mirëpo, mendoj se efektiviteti ishte në nivelin e kërkuar. Meqë me marrëveshjen e Kumanovës obligoheshin “UJ”-ja dhe NATO-ja, ne kishim dorë të lirë deri në hyrje të KFOR-it”, citohet të ketë thënë “Drini.

Lulzim Kabashi, ish-komandant i batalionit të Kabashit, në një deklaratë për media televizive e konfirmon, se Çeku kishte urdhëruar “Drinin” të mos futej në qytet dhe të respektonte Marrëveshjen e Kumanovës.

“Komandant “Drini” në fillim të operacionit për çlirimin e Prizrenit, nga Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjeneral Agim Çeku merr urdhër që të mos hyjë në qytetin e Prizrenit me forcat e UÇK-së, me pretekst se duhet respektuar marrëveshja e Kumanovës. Mirëpo komandant “Drini” i thotë: “Ne nuk jemi nënshkrues të asaj marrëveshje; unë me forcat e UÇK-së veç kam hyrë në Prizren”.

Sipas të dhënave që sjell faqja me emrin e komandant “Drinit”, me 15 qershor forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe tërësisht tërhiqen nga Prizreni.

Ndërsa, një informacion tjetër, për një ngjarje në kufi me Shqipërinë në Morinë, me 12 qershor, zhvillohet një dialog interesant, dhe që dëshmon se kush po i ndiqte forcat serbe nga Kosova.

Sipas dialogut të transmetuar në media dhe rrjete sociale, video e cila ende gjendet në internet, ushtaraku i ndjerë Helmut Harff (5 qershor 1939 - 8 shtator 2018), ai e kishte pyetur komandantin e ushtrisë serbe, për kohën që iu duhej atyre për ta lëshuar zonën kufitare dhe për t’u vendosur në Prizren, para se të tërhiqeshin edhe nga atje, serbi kishte kërkuar gjashtë orë.

Por, pas kësaj, përgjigje gjenerali Harff i thotë se kanë urdhër të largohen për 30 minuta.

Biseda:

“Sa minuta ju duhen që të largoheni?”, pyet gjenerali gjerman komandantin serb.

“Gjashtë orë”, thotë komandanti serb.

“Kjo nuk është e mundur. Keni 30 minuta”, tha gjenerali gjerman.

“Por na duhet një dokument për municionin që po lëmë pas”, replikon oficeri serbi.

“Ky është një urdhër”, tha gjenerali. “Koha po ecën. Ju kanë mbetur edhe 28 minuta”.

Pra, kjo është një përgjigje edhe për komandantët si “Remi”, edhe për të gjithë ata që duan t’i japin vetes meritat që nuk i kishim.

Ushtarët e UÇK-së, dhe lufta politike e Presidentit Rugova dhe institucioneve paralele ishin ndihmësit dhe shkaktarët, me forcat që kishim lufta mund të zgjaste shumë më shumë, dhe humbjet do të ishin shumë më të mëdha. Ajo që kishte si vizion Rugova, apo që e ndërtoi me ndihmën e miqve amerikan, rezultoi e saktë.

Ne duhet ta ndërtojmë ushtrinë aktuale, dhe ta armatosim ashtu, që Serbia, as të mos e ëndërrojë kthimin në asnjë pëllëmbë të Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat