​Haxhiu pranon se po pengohet në procesin e vettingut

Aktuale

​Haxhiu pranon se po pengohet në procesin e vettingut

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 21:33
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se Kosova nuk e ka luksin të mos i zbatojë rekomandimet e Komisionit të Venecisë dhe se ka njerëz që po mundohet ta pengojnë në realizimin e procesit të vettingut.

Ajo në RTKLive tha se reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës është shumë e madhe edhe pse nuk është arritur të proklamohet si e tillë sa duhet, duke pasur parasysh se kjo ministri ka punuar paralelisht në shumë drejtime dhe nuk ka arritur t’i njoftojë drejtpërdrejt qytetarët për benifitet që kanë nga kjo reformë.

“Refuzimi nuk i ndihmon sistemit të drejtësisë, por as vetë atyre. Nëse para opinionit të Komisionit të Venecisë situata ka qenë më e paqartë, duket se ka pasur një pajtim që çfarëdo që thotë Komisioni i Venecisë i cili vepron objektivisht do të duhej të ishim të përbashkuar rreth atij opinioni. Kam pritur se kur ta kemi këtë opinion ta vazhdojmë punën në këtë reformë. Kosova nuk e ka luksin që të mos i zbatojë rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke qenë se ata krijojnë standarde për vende të ndryshme se si bëhen reformat”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se kryesuesi i Këshillit Gjyqësor nuk e ka parë ftesën pasi ka qenë jashtë vendit, derisa nga Këshilli Prokurorial thjesht nuk kanë dashur t’i përgjigjen ftesës për takim.

E pyetur nëse mund të shkohet me vetting përpara nëse vazhdon një refuzim i tillë nga KPK-ja, ministrja ka thënë se duhet bërë përpjekje për të gjetur një konsensus.

“Jam e interesuar që të kemi takime dhe nuk kam formë tjetër për ta arritur këtë konsensus. Asnjë individ dhe asnjë institucion nuk mund ta pengojë Ministrinë e Drejtësisë për ta përmbyllur çështjen e amendamenteve kushtetuese dhe pastaj paketës ligjore për reformën në drejtësi”, ka shtuar ministrja.

Ajo ka thënë se është penguar në drejtim të reformës në drejtësi, por sipas saj askush nuk do të mund ta pengojë procesin e vettingut.

“Reforma në drejtësi nuk ka për qëllim largimin apo eliminimin e individëve brenda sistemit të drejtësisë. Reformat nuk mund të mbesin peng i individëve, por ato do të vazhdojnë”, tha Haxhiu duke shtuar se do të respektohet secili rekomandim i Komisionit të Venecisë.

Haxhiu pret që partitë opozitare t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për takimet mbi procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë. Ajo ka deklaruar se gjatë kësaj jave janë planifikuar takime me partitë e përfaqësuara në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat