Gjykimi ndaj Lavdim Krasniqit: dëshmitarja “zbulon” për falsifikimin e një dokumenti

Aktuale

Gjykimi ndaj Lavdim Krasniqit: dëshmitarja “zbulon” për falsifikimin e një dokumenti

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 16:33
Pamje nga gjykata

Dëshmitarja Zana Deva, tha se raporti i ekzaminimit mikrobiologjik me të dhënat e Bashkim Mulollit, që në shikim të parë vërehet se është i falsifikuar.

Këtë deklarim, Deva e dha në seancën e së martës, në gjykimin ndaj Lavdim Krasniqit, ish-drejtor i Sekretariatit të KPK-së dhe tre të akuzuarve tjerë, Ardian Krasniqi, Marigonë Berisha dhe Flora Doda, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në njërën nga pikat e aktakuzës, Ardian Krasniqi po akuzohet se më 19 gusht 2020 kishte falsifikuar testin e COVID-it me të dhënat e Bashkim Mulollit, se kinse ky i fundit kishte rezultuar pozitiv, më të cilin test do t’i mundësohej të njëjtit shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Deva deklaroi se ajo është specialiste e mikrobiologjisë e cila punon në Institucionin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në laboratorin ku bëhet testimi me PCR, e që tutje sqaroi procedurën standarde për plotësimin e një raporti të ekzaminimit mikrobiologjik.

Me lejen e trupit gjykues, prokurori Zejnullah Gashi ia prezantoi dëshmitares Deva, raportin e ekzaminimit biologjik të 19 gushtit 2020 me të dhënat e Bashkim Mulollit, duke e pyetur nëse ky raport është i  lëshuar nga IKSHPK-ja dhe nga doktoresha.

Dëshmitarja Deva, pas shiqimit të raportit deklaroi se që në shikim të parë është vërejtur se është falsifikim edhe i faksimilit edhe i nënshkrimit.

Po ashtu, ajo tha se gjatë pandemisë kanë pasur shumë thirrje nga ana e policisë për shumë raste të falsifikimit, të cilat tha se kanë qenë me faksimil dhe nënshkrim të saj apo të kolegëve të tjerë, duke shtuar se të gjitha të dhënat mund të konfirmohen në laborator pasi që çdo mostër është e evidentuar dhe mund të kërkohen të dhënat për çdo pacient.

Ndërsa, dëshmitari i radhës Fahri Kajtazi tha se Bashkim Mulollin e njeh vetëm si qytetar dhe se në të kaluarën ishin takuar në rrugë, ishin përshëndetur në një lokal në Ulpianë.

Kurse, lidhur me të akuzuarin Ardian Krasniqi, dëshmitari Kajtazi tha se të njëjtin e njeh përmes Bashkim Mulollit i cili ia kishte kërkuar shtëpinë e tij që e kishte në lagjen “Nic” në Çakllavicë që t’ia lëshonte me qera shokut të tij, e që fjala ishte për Ardianin.

Ai tha se ata ishin dakorduar që Ardiani bashkë me familje, të qëndronte në atë shtëpi me çmim 400 euro në muaj, qeranë e të cilës tha se e kishte paguar Bashkim Mulolli me para cash dhe pa kontratë, duke shtuar se në total i kishte paguar për 9 muaj rreth 4000 euro.

Ndërsa, lidhur me shpenzimet komunale ai tha se ato i kishte kryer Ardian Krasniqi.

Tutje, dëshmitari Kajtazi tha se Ardiani aty kishte qëndruar për më pak se 1 vit dhe nga aty ishte larguar pa ndonjë paralajmërim me ç’rast tha se kishte kuptuar se diçka nuk ishte në rregull në mes të Ardianit dhe Bashkimit.

I pyetur nga prokurori i shtetit Gashi, se çfarë veture kishte vozitur Ardian Krasniqi, dëshmitari tha se për aq sa i kujtohet ka qenë veturë e tipit “Audi” ose “Passat”.

Seanca ka vazhduar me dëshminë e dëshmitarit, Isen Sadiku i cili tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë më 28 janar 2021, duke shtuar se Bashkim Mulollin e ka dajë.

Tutje, Sadiku ka sqaruar se në vitin 2019 kishte pasur një veturë të tipit VË T-Roc me ngjyrë të bardhë në emër të firmës së tij “Te Hysi”, të cilën i’a kishte dhënë Bashkimit për shfrytëzim për 10 ditë apo dy javë.

Më pas, Sadiku tha se pas rreth dy muajsh, Bashkimi e kishte aksidentuar veturën duke e rregulluar pastaj të njëjtën dhe duke u dakorduar me Bashkimin që t’ia jepte 5000 euro ashtu që i njëjti të blinte një veturë të njëjtë por të re për të.

Dëshmitari Sadiku, tha se deri sa kishte qenë duke udhëtuar me familje, Bashkimi e kishte telefonuar duke i thënë që të shkoj te noteri për t’ia dhënë një autorizim me ç’rast tha se kishte shkuar e kishte nënshkruar një autorizim apo kontratë dhe kishte dalur menjëherë nga aty.

Sipas tij, tek noteri prezent ishte një person rreth 50 vjeç.

Pas këtij deklarimi, prokurori Gashi kërkoi nga dëshmitari nëse personi që po e përshkruan gjendet në sallën e gjykimit e që dëshmitari Sadiku tha se “ jo nuk është”.

I pyetur se a kishte pasur ndonjë vajzë aty, dëshmitari tha se aty kishin qenë dy apo tri vajza por të cilat nuk e dinte se a kishin qenë për këtë veturë apo jo.

Prokurori i shtetit përsëri kërkoi nga dëshmitari të shikojë në sallë nëse dikush nga vajzat e pranishme kishte qenë aty atë ditë por që i njëjti pas shiqimit përsëri deklaroi se “nuk e njoh ndonjë femer nëse ka qenë dikush aty apo jo sepse ajo ka qenë çështje minuti, unë veç kam hi e kam nënshkru e kam dal”.

Tutje, lidhur me atë se si e njeh personin me emrin Ardian Krasniqi, ai tha se me të ishte takuar disa herë në lokalin “Sole”, duke shtuar se të njëjtin e njeh përmes disa shokëve e jo përmes Bashkim Mulollit.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Gashi se pasi që me Bashkimin ka raporte familjare, a i kishte treguar i njëjti nëse kishte pasur probleme me ndonjë person atë kohë, dëshmitari tha se  “Bashkimi zakonisht gjithë ka pas probleme dhe tash nuk po di për cilin rast”.

Ndërsa lidhur me atë se ditën kur kishte shkuar te noteri, a e kishte pyetur Bashkimin se për çfarë arsye po e shiste veturën, dëshmitari Sadiku tha se Bashkimi më herët i kishte thënë se veturën i’a kishte dhënë një shokut të vet duke i premtuar se do t’ia blente veturën e re ashtu siç ishin dakorduar.

Tutje, në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarës Marigonë Berisha, avokatit Fatlum Podvorica se pasi që veturën e kishte blerë në emër të biznesit a ishte liruar nga dogana dhe akciza, dëshmitari Sadiku tha se nuk lirohesh nga ky obligim në rast se blen një veturë në emër të biznesit.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatëses Alltën Murseli se a e dinte se çfarë kishte nënshkruar tek noteri, dëshmitari Sadiku tha se nuk e dinte dhe nuk ishte interesuar për këtë çështje dhe këtë i’a kishte besuar Bashkimit.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Ismajl Haliti, i cili tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici më 7 prill 2021 duke shtuar se ai punon në Këshillin Prokurorial të Kosovës si zyrtar i administratës për 3 vite.

Ai tha se më 16 shkurt 2021 i kishte ardhur një vendim nga drejtori për emërimin e tij si menaxher i kontratës  “furnizim me mobile” për kryesuesin e KPK-së.

Haliti, tha se pas një kohë ishte ftuar nga zyra e prokurimit që të dilte të merrte një dollap për në zyre të kryesuesit ku kishte qëndruar deri sa ishte montuar dollapi duke shtuar se aty kishte pasur edhe mobile të tjera por që nuk ishte në dijeni për to.

“Për shkak se gjatë asaj kohe të furnizimit me mobile tjera ne kemi qenë me staf esencial për shkak të pandemisë dhe nuk kam njohuri më shumë”, shtoi ai.

Ai tha se mobilet kishin ardhur më 26 shkurt 2021 ndërsa në momentin e ardhjes së tyre prezent tha se kishin qenë Era Shala, Marigona Berisha dhe Leonita Devaja për të cilët tha se kanë qenë në pranim të komisionit të mobileve.

I pyetur nga prokurori Gashi se kishte pranuar ndonjë dokument faturë për mobilet në fjalë si menaxher, ai tha se pasi që kishte ardhur dollapi i fundit dhe ishte vendosur aty, faturat kishin ardhur më vonë e jo të njëjtën ditë.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi ka aprovuar  propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Lavdim Krasniqi, avokatit Ramë Gashi për dëgjimin e dëshmitarit Florent Latifaj  ndërsa refuzoi propozimin e tij për dëgjimin e Nesrin Lushta, Agim Maliqi, Rasim Rasimi – gjyqtarë në Gjykatën Supreme.

Tutje, prokurori Gashi ka propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohet edhe komisioni për shqyrtimin e ofertave të tenderit në rastin e kësaj çështje penale me arsyetimin se me anë të dëshmisë së tyre do të vërtetohet se në momentin e shqyrtimit të ofertave, mobilet kanë qenë të vendosura në zyrën e kryesuesit të KPK-së.

“Meqenëse drejtori i sekretariatit, tash i pandehuri ka pas ndikim, na si prokuror nuk kemi gjet bashkëpunim të qartë me sekretariatin e këshillit prokurorial dhe jemi privuar nga marrja e dëshmisë përkatësisht vendimi për shqyrtimin e ofertave e që tani ne e kemi kuptu që komisioni për shqyrtimin e ofertave lidhur me tenderin në fjalë është Hana Zogiani, Teuta Krasniqi dhe Azem Svarqa”, tha prokurori Gashi, duke e arsyetuar propozimin e tillë.

Lidhur me këtë propozim, avokati Gashi tha se prokurori i shtetit deklarimin se i mbrojturi i tij ka pasur ndikim në KPK, duhet ta dëshmojë me fakte, shënime dhe veprime të sakta konkrete kur ka ndodhur ai ndikim, ndaj kujt ka ndodhur ndikimi, në çfarë mënyre është shprehur ai ndikim, duke e vlerësuar si paragjykim dhe duke i’u drejtuar prokurorit “është në stilin e prokurorit të çështjes, e të vepruarit e tij që nga nisma e kësaj çështje penale, diçka krejtësisht e pabazuar dhe diçka që nuk i ka hije prokurorit të krimeve të rënda të prokurorisë më të rëndësishme në Kosovë”.

“I mbrojtur im për kohën për të cilën fol prokurori i shtetit ka qenë në paraburgim e pastaj në arrest shtëpiak dhe ka pas urdhër që nuk guxon ti ofrohet fare objektit të KPK-së”, ka shtuar avokati Gashi.

Deklarimet e mbrojtësit Gashi, i ka mbështetur edhe avokatët Alban Makolli si mbrojtës i të akuzuarit Ardian Krasniqi dhe avokati Arlind Jupolli si mbrojtës i të akuzuarës Flora Doda.

Prokurori Gashi ka kërkuar nga trupi gjykues që ta dënoj avokatin Gashi duke konsideruar se i njëjti ndaj tij ka përdorur fjalë fyese dhe dikredituese që cenon integritetin e tij profesional në këtë çështje penale por edhe në përgjithësi.

Por që, trupi gjykues ka refuzuar propozimi prokurorit që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohet komisioni për shqyrtimin e ofertave në SKPK me arsyetimin se nuk ka pikë të akuzës sa i përket ofertave por vetëm pranimit të mallit.

Kurse, sa i përket dënimit të avokatit Gashi, trupi gjykues ka vlerësuar se shprehjet e mbrojtësit nuk kanë qenë fyese e as ofendime ndaj prokurorit të shtetit.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale pritet të vazhdojë nesër më 6 korrik 2022.

Ndryshe, shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 6 tetor 2021, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2021 kishte aprovuar pjesërisht kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve Lavdim Krasniqi e Marigonë Berisha duke hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj Krasniqit me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Berishës për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.

Kurse, ajo ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “ushtrim ndikimi” dhe “mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “ushtrim ndikimi”, veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Për Marigonë Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa, për Flora Dodën, vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mirëpo Gjykata e Apelit më 4 shkurt 2022 ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, me ç’rast ka vendosur që Lavdim Krasniqi të gjykohet edhe për dy pikat e aktakuzës për korrupsion. Ndërsa ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që CD të shpallet si provë e papranueshme.

Gjithashtu, Apeli ka anuluar vendimin e shkallës së parë edhe sa i përket të akuzuarës Marigona Berishës për veprën penale “Blerja, posedimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe çështjen e ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje në shkallën e parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.

Siç thuhet në aktakuzë, përmes të akuzuarit Ardian Krasniqi disa herë të njëjtit kanë pranuar të holla, duke arritur shifrën prej 40 mijë euro, si dhe dhuratë, një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, për asistenten e të akuzuarit Lavdim Krasniqi, të akuzuarën Marigonë Berisha.

E që këto përfitime sipas aktakuzës, janë pranuar nga të lartcekurit duke premtuar se do të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në Kolegjin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, për uljen e dënimit, sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, për të dënuarin Bashkim Mulolli, si dhe të shtyhet ekzekutimi i dënimit për te njëjtin.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon ata se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Tutje, prokuroria i ngarkon Marigonë Berishën dhe Ardian Krasniqi se veç e veç kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Sipas aktit akuzues, e akuzuara Berisha më 16 dhjetor 2019 kishte falsifikuar dokumentin më të cilin ajo pretendonte se në zyrën e noterit Sefadin Blakaj i ka paguar Bashkim Mulollit shumën prej 8 mijë e 400 euro dhe dënimet kundërvajtëse në vlerë 600 euro, e që më pas është konstatuar se nënshkrimi i Mulollit në këtë dokument nuk është i tij.

Ndërsa, Ardian Krasniqi po akuzohet se më 19 gusht 2020 kishte falsifikuar testin e COVID-it me të dhënat e Bashkim Mulollit, se kinse ky i fundit kishte rezultuar pozitiv, më të cilin test do t’i mundësohej të njëjtit shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Aktakuza Lavdim dhe Ardian Krasniqin i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktin akuzues thuhet se dy të akuzuarit Krasniqi, për shkak të obligimeve që kishin ndaj Bashkim Mulollit kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që kishin penguar arrestimin e Albi Mulollit i cili ishte i dyshuarit për kryerjen e vrasjes se rënde në tentative, duke ia mundësuar këtij të fundit arratisjen nga Kosova për në Shqipëri më veturën zyrtare të akuzuarit Lavdim Krasniqi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Lavdim Krasniqi ngarkohet edhe për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Flora Dodën, pasi që në cilësinë e personave përgjegjës kishin shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik.

Prokuroria pretendon se në muajin shkurt të vitit 2021, të akuzuarit Krasniqi dhe Doda, kanë predikuar fituesin dhe kanë diskriminuar operatorët e tjerë ekonomik, duke favorizuar operatorët ekonomik (OE) “Graniti Shpk” dhe “Solos Studios“ si dhe përkundër vendimit të Sekretariatit të KPK-së, në fillim të vitit kalendarik, i cili në kuadër planifikimit të prokurimit kontrata e KPK-së ka qenë e lidhur me OE, “Mobeland Shpk”. Të njëjtit thuhet se kanë porositur dhe pranuar mobilie në vlerë prej 9 mijë e 480 euro, e që pas disa ditësh është lidhur kontrata dhe janë zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, Lavdim Krasniqi akuzohet edhe për mosdeklarim të pasurisë, pasi që sipas prokurorisë, i akuzuari Krasniqi më 31 mars 2020 në deklaratën për deklarim të pasurisë nuk ka përfshirë shumën e të hollave prej 40 mijë euro, të cilat i ka pranuar nga Fitim Arifi për shitjen e banesës, si dhe të hollat në shumën prej 10 mijë euro, të cilat ia ka dhënë mikut të tij Alush Zariqi, në emër të blerjes së dy banesave.

Krejt në fund prokuroria e ngarkon Marigonë Berishën edhe për veprën penale ”Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”, sepse më 16 dhjetor 2019 e ka pranuar një veturë në vlerë prej 25 mijë euro nga Bashkim Mulolli edhe pse ka qenë e vetëdijshme se kjo veturë ishte fituar më vepër penale të shkaktuar nga Lavdim dhe Ardian Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat