Ish-ambasadori i Kosovës në Japoni thotë se Shinzo Abe ishte mbështetës i madh i Kosovës

Aktuale

Ish-ambasadori i Kosovës në Japoni thotë se Shinzo Abe ishte mbështetës i madh i Kosovës

Më: 8 korrik 2022 Në ora: 21:27
Shinzo Abe

Ish-ambasadori i Kosovës në Japoni, Leon Malazogu ka deklaruar se ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe është takuar dy herë gjatë vitit 2019 me presidentin e Kosovës atë kohë, Hashim Thaçin.

Malazogu tha se Abe ka ofruar mbështetje shumë të madhe për Kosovën.

“Abe ka pritur presidentin e Kosovës dy herë gjatë vitit 2019, ka qenë jashtëzakonisht përkrahës si në pjesën formale të Samitit, por edhe me pjesën joformale gjatë darkës, ku ka ofruar ndihmë dhe mbështetje shumë të madhe përfshirë edhe kontaktet me disa vende të tjera në nivel më të lartë, kur e kanë marrë si obligim dhe ku më vonë e kanë vazhduar të mbajnë këtë kontakt me disa këshilltar të tij, ashtu për t’i ndihmuar Kosovës për të depërtuar në vendet aziatike sa më mirë”, deklaroi ai.

Sipas tij, Abe i ka inkurajuar deputetët e vendit të tij që të jenë pjesë e grupit të miqësisë dhe të ndihmojnë Kosovën.

“Ai ka hapur rrugë dhe i ka inkurajuar disa nga deputetët më me peshë dhe ndikim në vendin e Japonisë që të jenë pjesë e grupit të miqësisë dhe të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën”, tha më tej Malazogu.

Ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe është qëlluar me armë zjarri gjatë një fjalimi në qytetin Nara, ku po merrte pjesë në një tubim zgjedhor dhe më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Abe ka thyer rekordet si kryeministri më jetëgjatë i Japonisë. Ai ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020. Atëbotë, ai ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat