Zemaj: LDK-ja është pasuri kombëtare

Aktuale

Zemaj: LDK-ja është pasuri kombëtare

Më: 9 korrik 2022 Në ora: 20:56
Armend Zemaj

Matjet e fundit të opinionit publik, tregojnë një rritje të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në secilin sondazh të publikuar, përkrahja për këtë parti është dyfishuar, teksa Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka rënë në 38%. Këto rezultate, e kanë entuziazmuar lidershipin e LDK-së, gjersa e ritheksojnë synimin e tyre për t’u bërë partia më e madhe në vend.

Në sondazhin e fundit të publikuar, LVV-ja e kryeministrit Albin Kurti është rënditur e para me 33.2%, një rënie e madhe nga rezultati i 14 shkurtit të vitit të kaluar, e ku fitoi mbi 50%.

Por, rritje të madhe në përkrahje ka shënuar LDK-ja, e cila në sondazh u rëndit e dyta, me 21.60%.

Deputeti Armend Zemaj, tregoi mendimin e tij se pse po ngjan ky ndryshim në përkrahje. Përveç angazhimit e punës të LDK-së si opozitë, ai thekson edhe paaftësinë e Qeverisë si faktor që po ndikon në ngritjen e partisë së tij.

Lidershipi i LDK-së, në vazhdimësi po dëgjon me shumë kujdes e po ju qëndron shumë afër qytetarëve të vendit. Po ashtu, LDK po punon fuqishëm e po vepron në harmoni me interesat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Si opozitë, fokusin kryesor e kemi te zgjidhjet e problemeve, me theks të veçantë përballë krizave të cilat nga paaftësia e Qeverisë po thellohen edhe më tej”, deklaroi Zemaj.

Por, ai thotë se LDK megjithatë në politikën e jashtme është konstruktive. LDK, sipas Zemajt, nuk i bën opozitë shtetit të Kosovës, siç i kundërshton vendimet e pushtetit.

LDK, si themeluese e shtetit, natyrshëm që opozitë i bën pushtetit, mirëpo interesit të shtetit kurrsesi. Kjo është LDK-ja. Kjo është kultura jonë politike. Kështu do të jetë përherë; në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të shtetit”, tha ai.

Në përgjigjen e tij, Zemaj thotë se LDK është në rrugë të mirë për t’u bërë partia e parë ne vend. Madje, deputeti i LDK-së beson se kjo parti ofron platformën më të mirë qeverisëse.

LDK është në rrugë të mirë e të mbarë të rikthimit të saj në pozitën e saj origjinale; e para në vend, sepse aty është vendi i saj natyral. Një gjë e tillë u dëshmua në zgjedhjet e fundit lokale, ku LDK doli partia me përkrahjen më të madhe në vend. LDK, është pasuri kombëtare. LDK është më e mira e vendit. LDK e ofron platformën më të mirë qeverisëse, të cilës do t’i prijë kryeministri i ardhshëm, Lumir Abdixhiku”, tha ai.

Analistja Zana Avdiu ka një shpjegim për rënien e shpejtë të VV-së në sondazhe, të cilat dikur i fitonte bindshëm.

Si mos me ra VV, kur të gjitha kauzat mbi të cilat është ngritë, po dalin që kanë qenë të rrejshme, dhe tash qytetarët po e shohin me sytë e tyre këtë. VV pikë të fortë e ka pas luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, dhe sot për një kohë kaq të shkurtë, është e përfshire kokë e këmbë në të dyjat”, komentoi Avdiu.

Në sondazhin e fundit, që u publikua ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje në vendin e parë, ndonëse me 33.2%.

Partia e Abdixhikut u radhit e dyta, me rritje të ndjeshme. 21.60% e respondentëve u përgjigjën se do të votonin LDK-në në zgjedhjet e ardhshme.

Partia Demokratike, që udhëhiqet nga Memli Krasniqi, pozicionohet në vendin e tretë me 18.30%, kurse AAK zë vendin e katërt me 10.10%.

Në bazë të matjeve të fundit, AKR është mbi Listën GUXO, ndonëse asnjëra nuk e kalon pragun zgjedhor prej 5%. Njëjtë edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat