Zaimi i VV-së reagon për ikjet masive nga Kosova

Aktuale

Zaimi i VV-së reagon për ikjet masive nga Kosova

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 13:09
Arbër Zaimi

Zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, është përfshirë në debatin që ka nisur në vend pas publikimit të statistikave nga ASK’ja për ikjen masive të qytetarëve nga Kosova.

Zaimi ka cituar një deklaratë të sociologut dhe filozofit italian, Toni Negrit, që ka thënë se shqiptarët kur fituan lirinë nuk vepruan drejt krijimit të Shtetit, por vendosën të ikin prej vendit të tyre në kërkim të lirisë.

“Simbas Toni Negrit, shqiptarët kur fituan lirinë nuk vepruan drejt krijimit të Shtetit, por vendosën të ikin prej vendit të tyre në kërkim të lirisë (asaj që sapo fituan). Iknin prej vendit të tyre, ku kishte shumë nevojë për shumë punë, drejt vendeve të tjera në kërkim të punës. Mirëpo në kapitalizëm edhe vendet e tjera, ato të pasurat, vërtet kanë nevojë për punëtorë por jo për fuqi punëtore të pakontrolluar. Prandaj vendet e huaja vendosën të ndërtojnë në shërbim të tyre Shtetin që shqiptarët nuk e ndërtuan vetë në të mirë të vetes…”, ka shkruar Zaimi.

Ndryshe, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 42 mijë qytetarë e kanë braktisur vjet Kosovën.

Kjo shifër është me e larta në pesë vjetët e fundit, rreth 30 mijë më pak se në vitin 2017.

“Emigrimi ndërkombëtar- numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë. Pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legalë. Emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërnguljes së përhershme (kryesisht në shtetet fqinje), studime afatgjata me punësim etj. Përveç vendeve të BE-së dhe EFTA-së një numër i kosovarëve kishte emigruar edhe në vende të tjera kryesisht në SHBA, Turqi, Kanada dhe vende tjera”, thuhet në raportin e ASK’së.

Se popullsia e Kosovës është tkurrur me kalimin e viteve e tregojnë edhe statistikat e Eurostat.

Sipas këtyre të dhënave, popullsia e Kosovës  është reduktuar me 10.2%, në krahasim me vitin 2003, kur raportohen për herë të parë të dhënat.

Postimi i tij i plotë:

Mërgimi, ikja

Simbas Toni Negrit, shqiptarët kur fituan lirinë nuk vepruan drejt krijimit të Shtetit, por vendosën të ikin prej vendit të tyre në kërkim të lirisë (asaj që sapo fituan). Iknin prej vendit të tyre, ku kishte shumë nevojë për shumë punë, drejt vendeve të tjera në kërkim të punës. Mirëpo në kapitalizëm edhe vendet e tjera, ato të pasurat, vërtet kanë nevojë për punëtorë por jo për fuqi punëtore të pakontrolluar. Prandaj vendet e huaja vendosën të ndërtojnë në shërbim të tyre Shtetin që shqiptarët nuk e ndërtuan vetë në të mirë të vetes…

Në 1998 Toni Negri në një videointervistë të gjatë flet pak ndër të tjera edhe për Shqipërinë. Thotë:

“Ajo provincë e çuditshme e Botës së Tretë, apo ndoshta e Botës së Dytë socialiste, sovjetike e në krizë, por në çdo rast një fenomen ikjeje prej vendit që nuk ishte më arratisje prej luftës civile apo prej ndonjë gjëje tjetër por në të vërtetë ishte kjo figura e çuditshme postmoderne e ikjes në kërkim të punës, pasurisë dhe kulturës që i joshte. Ç’ishull i çuditshëm, ç’vend i çuditshëm që është Shqipëria, e rrethuar nga të gjitha anët prej botës, e lidhur herë pas here me ideologji e struktura organizative bizarre, e cila në momentin që fitoi lirinë nuk lëvizi drejt Shtetit, drejt kushtetimit të Shtetit, por thjesht iku në kërkim të lirisë. Ikën të gjithë me anije. Çfarë ndodhi pastaj? Me synimin për ta vënë nën kontroll këtë fuqi punëtore, për t’i vënë digë asaj, për t’i ndaluar ato masat të njerëzve prej ardhjes dhe destabilizimit të tregjeve dhe vendeve të kapitalizmit të pjekur, ata u përpoqën me çdo kusht e çdo kosto ta ringrinin Shtetin prej së jashtmi, me forcë. Situata e Shqipërisë është një paradoks që më duket goxha interesant. Këtë e themi duke e ditur megjithatë se ka patur shumë situata të tjera në historinë e kapitalizmit kur dy të nevojshmet janë paraqitur njëkohësisht: nga njëra anë nevoja për të patur një mobilitet vërtet të fortë të tregut të punës e nga ana tjetër nevoja për të vendosur një rregullim të suksesshëm mbi të. Çdo pasurim kapitalist kalon në këtë ngushticë mes Shilës e Karibdës, midis këtyre alternativave. Padyshim se edhe në këtë rast janë përpjekur të aplikojnë formula të ndërmjeme për të bllokuar lëvizjen e popullsive, siç kanë qenë dikur “the poor laës” në historinë e fillimeve të kapitalizmit veçanërisht në Angli, ligje që në thelb synonin bllokimin e lëvizjes së fuqisë punëtore. Sot këto përpjekje janë rishfaqur, në formën e politikave Shtetërore, përmes një lloj rishpërndarjeje në ato pjesë ku ka mundësi për investim, pra atje ku është e mundur që të vihet nën kontroll fuqia punëtore…”

Image
(Imazh: “Qendër Qëndrueshmërie të Përkohshme”, Adrian Paci, 2007)
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat