Rezultatet e ujit në Han të Elezit: Prezente numër i tërësishëm i baktereve të gjalla mbi normën e lejuar

Aktuale

Rezultatet e ujit në Han të Elezit: Prezente numër i tërësishëm i baktereve të gjalla mbi normën e lejuar

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 09:57
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka vazhduar hulumtimi epidemiologjik në Han të Elezit.

Sipas njoftimit, për analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike janë marrë mostra në fshatin Gorancë, tek rezervuari kryesor i cili futet me rënie të lirë në rrjetin shpërndarës të fshatit dhe në disa shtëpi private që furnizohen me ujë nga ujësjellësi lokal i fshatit.

Dy mostrat e ujit të marra në fshatin Seqishtë dhe Gorancë, sipas aspektit fiziko-kimik, janë në përputhshmëri me standardet e parapara.

“Nga aspekti mikrobiologjik në mostrën e ujit të marrë në fshatin Seqishtë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla, ndërsa në mostrën e ujit të marrë në fshatin Gorancë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale”, thuhet në njoftimin e ministrisë, transmeton Klankosova.tv.

Kurse, nga mostrat e fecestit të rasteve simptomatike, ministria e Shëndetësisë bën të ditur se janë izoluar “E. coli Enteroaggregative (EAEC) dhe Norovirus GI/GII”.

Më tej, MSh bën të ditur se në 24 orët e fundit janë paraqitur 34 raste në AMF-në e fshatit Groancë dhe 13 raste në QKMF-në e Hanit të Elezit.

“Të gjitha rastet ishin nga fshati Gorancë dhe kishin simptomatologji të njëjtë me: ethe, temperaturë, kokëdhembje, mundim, vjellje dhe barkqitje”, bën të ditur ministria, përcjell Klankosova.tv.

Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë edhe me gjashtë rekomandime për banorët e kësaj zone

“1. Raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, ligji “Parandalimi dhe luftimi i sëmundjeve ngjitëse në Kosovë” (LNR: 02/L-109).

Të vazhdohet me informim të qytetarëve për vlimin e ujit i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose te shfrytëzohen resurset tjera që kanë ujë të sigurtë.

Te instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor.

Te përcjellet cilësia e ujit, të vazhdohet me mostrim për analiza laboratorike-bakteriologjike dhe vlera e Cl rezidual.

Marrja e të gjitha masave për njoftim dhe vetëdijësim të qytetarëve për situatën e krijuar.

Rekomandimi kryesor: Komuna pas përfundimit të instalimit të sistemit të klorizimit, vendosjes së orëmatëseve dhe sanimit të rezervuarit kryesor, të ia dorëzoj KRU “Bifurkacioni“-it në menaxhim”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat