Gjykimi ndaj Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut – çka deklaruan para gjykatësit

Aktuale

Gjykimi ndaj Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut – çka deklaruan para gjykatësit

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 14:47
Dardan Krivaqa

Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu nuk e kanë pranuar fajësinë lidhur me akuzat për dhunimin dhe vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani.

Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, ndërsa Sejdiu është deklaruar i pafajshëm.

Këtë deklarim, dy të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Valdet Avdiu, në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Madje, i akuzuari Krivaqa ka filluar të qajë në momentin kur është pyetur se a e ka kuptuar aktakuzën.

“Nuk po them se jam i pafajshëm dhe nuk dua të deklarohem lidhur me fajësinë në këtë fazë”, deklaroi ai para gjykatësit.

Ndonëse tha se nuk po kupton asgjë, Krivaqa shtoi se nuk ka nevojë për sqarime shtesë.

“Kurrgjë nuk po di, por nuk kam nevojë për sqarime”, u shpreh ai.

Kurse, i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu, deklaroi se e ka kuptuar aktakuzën me të cilën akuzohet.

Me këtë ka përfunduar seanca fillestare.

Prokuroria Themelore në Ferizaj muajin e kaluar njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.

Ata akuzohen për “Vrasje të rëndë”. Krivaqa akuzohet edhe për veprën penale “dhunimi”, ndërsa Sejdiu për veprën penale “ndihmë në kryerjen e dhunimit”.

Dardan Krivaqa ishte arrestuar më 25 gusht 2021, pasi dyshohet se në Ferizaj, në banesën e tij, “me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara kishte ushtruar fillimisht dhunë psikike, pastaj edhe dhunën fizike, e cila kishte vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera kishte vdekur”.

Ndërsa, Arbër Sejdiu ishte arrestuar më 24 gusht 2021, pasi që dyshohet se kishte qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës dhe kishte kontribuar “në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat