Albin Kurti falënderon deputetët që votuan Byronë

Aktuale

Albin Kurti falënderon deputetët që votuan Byronë

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 17:24
Albin Kurti

Kryeministri i vendin, Albin Kurti ka falënderuar të gjithë deputetëtët që votuan për këtë projektligj.

Kurti gjithashtu ka premtuar se ky projektligj do të standarizohet në fazën tjeter, në mënyrë qe të jetë në përputhje me rekomandimet e Venecias.

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Me votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ecim bashkë drejt mundësimit të konfiskimit civil (pa dënim) të pasurisë që nuk justifikohet dot. I falenderoj deputetët e Kuvendit për këtë votim me të cilin iniciuam themelimin e një mekanizmi të rëndësishëm me diskrecion për të hetuar pasurinë e të gjithë personave zyrtarë. Me rekomandimet e vlefshme të Komisionit të Venecias, ky Projektligj do të standardizohet plotësisht në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe, po ashtu, do ta rrisë efikasitetin e luftimit të korrupsionit, siç ka qenë zotimi ynë e për të cilin jemi maksimalisht të përkushtuar.

Në seancën e sotme gjithashtu është miratuar Projekt-kodi i Procedurës Penale. Projekt-kodi është hartuar në përputhje me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare i cili përveç përmirësimit të procedurave penale, do t’i kontribuojë tutje ndjekjes dhe ndëshkimit të rasteve korruptive. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar të drejtave të palëve në procedurë, në veçanti të drejtave të palëve të dëmtuara apo viktimave.

Ndërkaq Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë, i miratuar sot, parasheh reformimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion dhe avancimin e këtij segmenti të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, përmes së cilit do të mundësohet krijimi i një klime ku parandalohet dhe luftohet korrupsioni dhe pasurimi i paligjshëm nga këto kategori.

Me fjalë të tjera, ishte një seancë e suksesshme në të cilën më së paku kishte rëndësi sa kujt i dukesha i rrezitur unë. Ndërkohë, procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë është një çështje tjetër, dhe konsultimet me partitë opozitare për të sigurisht që duhet të vazhdojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat