Dështon takimi Kurti-Vuçiq

Aktuale

Dështon takimi Kurti-Vuçiq

Më: 18 korrik 2022 Në ora: 17:13
Albin Kurti, Aleksnader Vuçiq

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se ka dështuar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel. Kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinë, tha se përkundër paralajmërimeve për takim të nivelit të lart gjatë muajin korrik, Serbia po tenton të sabotojë procesin e dialogut, rrjedhimisht edhe fillimin e diskutimeve për marrëveshjen finale.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi, tha se pozita e Kosovës, asnjëherë nuk ka qenë më e mirë në raport me procesin e dialogut. Para deputetëve, Bislimi, kritikoi kompaninë Elektroserver për vonesa të qëllimshme në zbatimin e udhërrëfyesit për marrëveshjen për energjinë në veri. Krahas këtyre, zëvendëskryeministri u shpreh optimist edhe për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Bislimi: Për shkak të sabotimit të Serbisë ka dështuar takimi Kurti-Vuçiq

“Takimi i datës 14 korrik është dashur të jetë trelateral mes zotëri Lajçak-ut dhe dy kryenogicatorëve. Ai nuk ka ndodhur për arsye se Serbia ka bërë presion për ndërrim të agjendës, i cili normalisht nuk është pranuar. Pra, kemi një sabotim apo minim të procesit nga ana e Serbisë. Por, megjithatë për të treguar vendosmërinë e palës kosovare që të jemi aktiv në dialog dhe të punojmë drejt marrëveshjes finale, kam udhëtuar në Bruksel dhe kam pas dy takime me Lajçakut, ku kemi diskutuar për hapat e mëtejmë. Ideja ka qenë që të përgatitet tereni për takim të radhës, mbase këtë javë, nesër, ndërmjet dy krerëve të shtetit, por kjo ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë së zotëri Vuçiq-it që të shkojë në Bruksel. Zotëri Kurti është deklaruar i gatshëm që të fillojë sa më shpejt diskutimet për marrëveshje gjithëpërfshirëse, por Vuçiq ka përdorur si arsyetim vizitën e presidentit të Egjiptit, i cili pritet të qëndrojë tri ditë në Serbi”, tha ai.

Mirëpo, deputetja opozitare e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ironizoi me Bislimin, duke e pyetur se a po fle mirë, pas deklaratave të kryeministrit Kurti, se i njëjti, bie dhe zgjohet me preokupimin e zbatimit të marrëveshjes për energjinë në veri.

Deliu-Kodra: Po bëni shumë punë, madje as gjumin s’po mundeni me bë

“Kisha dashur që këtë reflektim që e keni sot me punën e shumtë, madje që as gjumin s’po mundeni me bë, me pa pak në një prapakthim tuajin në kohën kur keni qenë në opozitë dhe diskursin që e keni pas në raport proceset integruese”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur, Bisilimi, tha se ai do t’i përmbahet mandatit në dialog 100 për qind, andaj, siç tha ai, edhe deputetët opozitarë duhet të flenë lirshëm.

Bislimi: Pozita e Kosovës në procesin e dialogut nuk ka qenë kurrë më e mirë

“Unë si kryenegociator e kam një mandat shumë të qartë dhe atij mandati i përmbahem 100 për qind. Në atë mandat nuk ka asnjë lëkundje dhe besoj se pozita e Kosovës në procesin e dialogut nuk ka qenë kurrë më e mirë. Nuk ka asnjë arsye për brenga dhe skepticizëm, kjo është në tërësi. Këtu ju mundeni me flejë lirshëm”, shtoi Bislimi.

Kritika për mos konsensus të Qeverisë në raport me dialogun, adresoi deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Kadrijaj: Pse ende nuk e keni një platformë për dialogun

“Pse ende nuk e keni një platformë për dialogun. Pse s’ka strategji për dialogun, shpesh po kërkoni konsensus, ndërsa s’po i merrni konsensusin që po e kërkon opozita”, shtoi ai.

Por, Bislimi, paraqiti, sipas tij argumentet pse partitë opozitare nuk po bashkëpunojnë për dialogun me Serbinë.

Madje, tha se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ia ka shqyer raportin e dërguar për dialogun.

Bislimi: Haradinaj e ka shqyer raportin për dialogun

“Për dijeninë tuaj, kur kemi filluar me procesin e dialogut i kemi ftuar të gjithë liderët politikë që të vijnë, të diskutojnë dhe të informohen për elementet dhe rrugën përpara, lideri juaj (PDK) nuk ka ardhur hiç. Ndërkaq, lideri i LDK-së ka ardhur dhe ka thënë se ‘do ta keni mbështetjen tonë të plotë nëse e zbatoni platformën tonë për dialogun, e platforma e LDK-së i ka marrë 10 për qind, unë dua të zbatojë platformën e 50 përqindëshit, mua nuk më ka zgjedh Lumir Abdixhiku në krye të negociatave, por Albin Kurti, rrjedhimisht prej tij e marrë mandatin. Ndërsa lideri juaj (AAK), kur ia kam dërguar një raport shtatë faqesh rreth procesit të dialogut, ka thënë a ‘ai ka qenë a’, ‘veç e kam marrë, e kam shqyer dhe e kam gjuajtur në bërllok, pasi unë i marrë dokumentet veç të kryeministrit’. Nëse doni kryeministri është këtu, por raportimin unë e bëj. Pra ky ka qenë interesimi i partive opozitare për procesin e dialogut” ka thënë Bislimi.

Bislimi foli edhe për zbatimin e udhërrëfyesit për marrëveshjen për energjinë, për çka tha se Elektroserver qëllimshëm po vonon procesin.

Bislimi: Ka vonesa të qëllimshme nga Elektroserver

“Ajo që po ndodh për momentin është se ka vonesa të qëllimshme nga ana e Elektroserver në pikën e dytë, ku thuhet se brenda shtatë dite ata është dashur të dërgojnë databazën e të gjitha të dhënave. Ata kanë refuzuar, me arsyetimin se nuk kanë ende të dhëna, BE-ja e dinë dhe ne e dimë se të dhënat ekzistojnë, por kam frikë se ata nuk duan të ekspozohen për një keqpërdorim që i kanë bërë qytetarëve në veri, pasi kompanitë serbe u kanë marrë parave qytetarëve për konsum të energjisë që nuk ia kanë ofruar”, tha ai.

Ndërkohë, u shpreh optimist për liberalizimin e vizave.

Bislimi: Me liberalizim të vizave jemi bukur mirë

“Me liberalizim të vizave jemi bukur mirë, duke krahasuar krejt historinë e mëparshme. Pajtohem me ju se kriteret janë përmbushur që në vitin 2018. Unë jam shumë optimist se relativisht shpejt mund të dalim me lajme të mira. Mirëpo ato duhet t’i nxjerrim kur të jenë në tavolinë. Pasi kemi përvoja të këqija me paralajmërime për liberalizim të vizave”, theksoi Bislimi.

Krahas këtyre, Bislimi, raportoi edhe për agjendën euro-integruese, ku theksoi se deri më tani kanë zbatuar një të tretën e ERA II.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat