Ministrja Haxhiu qeshet me rezistencën ndaj byrosë - ‘thumbon’ opozitën

Aktuale

Ministrja Haxhiu qeshet me rezistencën ndaj byrosë - ‘thumbon’ opozitën

Më: 23 korrik 2022 Në ora: 00:04
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur për byronë për konfiskimin e pasurisë, për të cilën ajo është zotuar publikisht që do të adresohen në tërësi të gjitha vërejtjet e Komisionit të Venecias, përpara themelimit.

Ministrja Haxhiu ka thënë se nuk ka pritur rezistencë kaq të madhe nga ana e opozitës lidhur me byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar. Ajo, me dozë irone, ka folur për arsyet e kësaj rezistence.

“Unë nuk e kam prit që ky projektligj do të ketë një rezistencë kaq të madhe. Shumë mirë që disa sende që i mendon nuk thuhen dhe nuk lexohet mendja”, ka thënë ajo në emisionin “dPt te Fidani”.

Haxhiu ka thënë se pasuria e vjedhur nga një zyrtar, kurrë nuk mund të bëhet e tij. 

“Disa po thonë çka me bo, i kemi ato pasuri. Ato pasuri që i janë vjedhë shtetit, kurrë nuk mund të bëhen të zyrtarit. Ato mund të jenë vetëm përkohësisht të tij”, ka thënë ajo.

“Krejt janë të qarta, krejt janë të përcaktuara. S’duhet t’ia kane frikën ata të cilët s’kanë gjë me fshehë”, ka vazhduar ajo.

Ministrja ka shpjeguar edhe për mënyrën se si byroja do të nxitet për të hetuar, pasi të jetë themeluar.

“Në momentin kur konsiderohet që një person ka përfituar pasuri të pajustifikuar dhe ka vendim të formës së prerë për të, kjo nënkupton që ndaj tij mund të ndiqen hetimet. Pra ky projektligj ndjek pasurinë e pajustifikuar”, ka thënë në fund ajo. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat